Ndërlidhjet

Iran: Khamenei e mbështeti Hassan Rohanin

  • RFE /RL

Në Teheran të Iranit po vazhdojnë ceremonitë me rastin e inaugurimit të presidentit të ri të zgjedhur, Hassan Rohani, që kulmoi me mbështetjen e liderit suprem Ajatollah Ali Khamenei. Pas kësaj mbështetjeje, presidenca e zotit Rohani u zyrtarizua.

Në fjalimin e tij me këtë rast, Hassan Rohani tha se Irani duhet t’i shmanget asaj që ai e cilësoi si “kurs radikal” dhe ta ndjekë “një rrugë të moderuar”, e cila do të çonte në “prosperitet dhe progres”.

Sipas tij, iranianët duhet të jenë më produktivë në agrikulturë dhe industri, për ta nxitur ekonominë e Iranit.

Njëherësh, Hassan Rohani theksoi se Qeveria e Iranit do të ndërmarrë “hapa të rinj në ngritjen e pozitës së Iranit në arenën ndërkombëtare, e mbështetur në interesat kombëtare” , ndërsa qëllim e ka edhe tërheqjen e sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit.

Më tutje Rohani theksoi:

“Vendit i duhet një zgjidhje kombëtare, e cila lëviz nga ekstremi dhe ekstremizmi në bërjen e politikës, në qeverisje dhe në fokus në sundim të ligjit dhe të mbështetjes së ligjit. Dialogu dhe plani, i cili është paraqitur gjatë zgjedhjeve dhe ka marrë mbështetjen e shumicës së votuesve ishte – moderimi dhe toleranca”.

Ndërkaq, presidenti iri iranian ka shtuar se “ky është aspirim i përbashkët i të gjitha grupeve shoqërore dhe politike, për t’i mbrojtur të arriturat e mëdha të revolucionit Islamik dhe për t’i respektuar përpjekjet e qeverisë që pasuan”.

Sipas presidentit të ri të Iranit, duhet të shqyrtohen “shqetësimet e vendit dhe mungesat dhe mundësitë e kufizuara, nga të cilat po vuan populli në situatën aktuale”.

Ajatollah Ali Khamenei ka vlerësuar se zgjedhja e Rohanit për president është “mesazh për lojalitetin ndaj revolucionit islamik, shpresë në udhëheqësi...dhe besim në individët e përkushtuar për t’i shtuar sukseset dhe për t’i reduktuar problemet” në Iran.

Khamenei, po ashtu, tha se Rohani “thërret nga baza klerike, e cila u është kundërvënë armiqve”, që është një shprehje që ai e ka përdorë për t’i përshkruar vendet perëndimore, që kanë imponuar sanksione kundër Iranit, lidhur me programin e vet kundërthënës atomik.

Më tutje, Khamenei tha:

“Dëshiroj të them se lidhur me këto presione nga armiku, është korrekte të thuhet se ato sollën vështirësi për popullin, por ato, po ashtu, sollën përvojë të vlefshme për zyrtarët dhe popullin. Leksion i madh është se ne kemi mësuar nëpërmjet këtyre presioneve ekonomike që ne duhet të mbështetemi në prodhimet vendëse sa më tepër që të mundemi. Ne nuk duhet të mbështetemi në vendet e jashtme, dhe ata që shpresat i mbështesin në botën e jashtme dhe jashtë vendit të Iranit, eventualisht do të ballafaqohen me probleme ”.

Hassan Rohani e zëvendëson Mahmud Ahmadinejadin, dy mandatet presidenciale të të cilit ishin shënuar me rizgjedhje kontestuese dhe goditje brutale ndaj rivalëve.

Lidhur me zgjedhjen e Hassan Rohanit për president të Iranit, është prononcuar kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Presidenti iranian tha pardje se Izraeli është plagë në trupin islamik. Presidenti në Iran është ndërruar, por qëllimi i regjimit atje nuk ka ndryshuar, ai ka mbetur i njëjtë. Qëllimi i Iranit është zhvillimi i kapacitetit atomik dhe i armatimit bërthamor dhe synim i tij është shkatërrimi i shtetit të Izraelit dhe kjo paraqet rrezik jo vetëm për ne dhe për Lindjen e Mesme, por edhe për gjithë botën, dhe ne të gjithë jemi të përkushtuar për ta parandaluar këtë”, tha Benjamin Netanyahu, duke folur në mbledhjen e Qeverisë së Izraelit. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG