Ndërlidhjet

Mbyllja e disa ambasadave amerikane vazhdon deri më 10 gusht


Pamje ngha protestat e 17 qershorit 2013 në Jemen, para objektit të Ambasadës Amerikane

Pamje ngha protestat e 17 qershorit 2013 në Jemen, para objektit të Ambasadës Amerikane

Shtetet e Bashkuara thonë se 19 ambasada dhe konsullata në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, do të vazhdojnë të jenë të mbyllura deri më datën 10 të këtij muaji, për shkak të shqetësimeve për sulm të mundshëm terrorist.

Disa prej këtyre misioneve diplomatike ishin mbyllur të dielën. Një numër i tyre pritet të rihapen sot, përfshirë ato në Bagdad, Kabul dhe Algjeri.

Ligjëvënësit në Uashington, të cilët ishin informuar për kërcënimet për sulme terroriste të al-Kaidës gjatë muajit gusht, thanë se raporti i shërbimeve të zbulimit ishte në mesin e raporteve më serioze, që ata e kanë parë prej sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Shtetet e Bashkuara dhe Interpoli, poashtu, kanë publikuar alarm global të sigurisë për udhëtarët.

Këto masa paraprake po ndërmerren pasi qindra militantë të al-Kaidës kanë arritur të arratisen nga burgjet në nëntë vende gjatë muajit të kaluar, përfshirë edhe burgjet në Irak, Libi dhe Pakistan.

Në Shtëpinë e Bardhë gjatë fundjavës është mbajtur një takim i nivelit të lartë për shqetësimet lidhur me terrorizëm.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, nuk ka marrë pjesë në mbledhjen në Shtëpinë e Bardhë, por është informuar pas saj.

Në takim morën pjesë këshilltarja për siguri kombëtare, Susan Rice, sekretari i shtetit, John Kerry, sekretari i mbrojtjes, Chuck Hagel, dhe sekretarja e sigurisë së brendshme, Janet Napolitano. (f.b.)
XS
SM
MD
LG