Ndërlidhjet

logo-print
Maqedonia shënon një trend të theksuar të uljes së natalitetit si pasojë e kushteve të rënda ekonomike, theksojnë ekspertët e demografisë.

Shkaku kryesor që ndikon në uljen e natalitetit është gjendja e rëndë ekonomike në vend, papunësia e cila është gjithnjë në rritje. Si rrjedhojë e këtyre dy faktorëve një pjesë e theksuar e qytetarëve janë të detyruar të migrojnë, duke kërkuar jetë më të mirë, natyrisht me këtë bashkëngjiten më pas dhe familjet, dhe si rezultat i kësaj kemi zvogëlim të popullsisë apo çekuilibrim të kartës demografike në Republikën e Maqedonisë”, thekson Seadin Xhaferi ekspert për çështje demografike.

Ai i quan të dështuara masat e qeverisë për të stimuluar natalitetin duke dhënë mjete financiare për fëmijën e tretë.

“Kujtoj që kjo gjendje mund të zbutet jo përmes politikave stimuluese siç i quan qeveria, për rritjen e natalitetit, ngase me shtytje artificiale kjo punë nuk bëhet. E vetmja rrugëdalje është rregullimi I çështjes sociale të qytetarëve të Maqedonisë”, thotë Xhaferi.

Me këtë qëndrim pajtohet edhe Nikolla Panov nga fakulteti i Shkencave Natyrore ne Shkup duke theksuar se gjatë dy dekadave të fundit si pasojë e problemeve ekonomike më shumë se 170 mijë qytetarë të Maqedonisë kanë braktisur vendin.

“Deagrerizimi, gjegjësisht braktisja e fshatrave , tokave punuese dhe koncentrimi i popullatës në kryeqytet ose qytetet më të vogla është një faktor shumë i rëndësishëm që ndikon në uljen e natalitetit në Maqedoni”, thekson Panov.

Madje ai thotë se Qeveria e Maqedonisë në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Natyrore në Shkup është duke hartuar një strategji të re për të kthyer të rinjtë në fshatra.

"Në këtë strategji demografike në të cilën jam i përfshirë, një nga elementet kryesore është kthimi i popullatës në fshatra ose të paktën të stopohet ky trend i vështrimit të qyteteve, sepse ku është toka punuese është dhe ushqimi, njëherazi dhe ndërtimi i shtëpive është më pak i kushtueshëm që paraqet një nga problemet kryesore për formimin e familjes”, shprehet Panov.

Ndërkohë, e përditshmja Maqedonase sipas një hulumtimi të realizuar ka dalë me rezultate se në 42 komuna, e sidomos në pjesën lindore të Maqedonisë që janë të banuara me maqedonas në vitin 2012 kanë rënie të natalitetit.

Ndërkohë janë apostrofuar komunat shqiptare si ajo e Studeniçanit, Çairit dhe Sarajit të Shkupit përfshi dhe Tetovën si komuna ku nataliteti është në rritje.

Por me këto konstatime nuk pajtohet Seadin Xhaferi, demograf, duke theksuar se realiteti është ndryshe.

“Duke marrë parasysh trendet zhvillimore krahasuar përqindjet gjatë gjysmëshekullit të fundit, ulja e natalitetit në përqindje është më e lartë te shqiptarë sesa te maqedonasit. Mirëpo institucionet e sistemit bëjnë zhurmë më të madhe ngase kujtojnë se nëse ulet përqindja e popullatës maqedonase do të zhduket edhe Maqedonia, pra është frika se ja ne do të mbetemi minoritarë do të na mbisundojnë ë tjerët do të na qeverisin të tjerët”, shprehet Xhaferi.

Ndryshe në Maqedoni para dy vitesh dështoi realizimi i regjistrimit të popullsisë si pasojë e mos pajtimeve të shfaqura mes anëtarëve të komisionit qeveritar rreth rregullave themelore për mbledhjen e të dhënave.

Anëtarët shqiptarë të komisionit kërkuan që të numërohen edhe njerëzit që kishin jetuar jashtë vendit për më shumë se një vit dhe të pranohen fotokopjet e kartave të identitetit, si një bazë për të dhënat.

Të tjerët ishin kundër kësaj, duke cituar rregullat e Agjencisë Evropiane e Statistikave - EUROSTAT.

Sipas këtyre, njerëzit që kanë jetuar jashtë vendit për më shumë se një vit, nuk duhet të përfshihen në një regjistrim kombëtar, por duhet të llogariten në vendet ku ata jetojnë tani.

Përfaqësuesit politik dhe organizatat joqeveritare shqiptare gjithashtu disa herë kanë potencuar se nuk mund të jenë të besueshme rezultatet e regjistrimit përderisa në pushtet drejtuese të Entit Shtetërorë të Statistikave nuk ka asnjë shqiptarë.

Në mungesë të të dhënave zyrtare të Entit Shtetërorë të Statistikave, regjistrimin e fundit të realizuar në vitin 2002 e përditshmja maqedonase Dnevnik ka dalë me një hulumtim të sajin ku thuhet se maqedonasi i fundit në territorin e sotëm të Republikës së Maqedonisë do të vdesë në vitin 2466, përkatësisht pas 453 vitesh.

Kjo do të ndodhë nëse vazhdon trendi i tanishëm që në çdo vit numri i maqedonasve të zvogëlohet.

Dnevnik më pas thekson se numri i maqedonasve etnikë është zvogëluar për 8 brenda çdo dite, përkatësisht që vetëm vitin që shkoi është regjistruar një numër prej 2,838 maqedonasish më pak, nëse krahasohet numri i lindjeve dhe vdekjeve.
XS
SM
MD
LG