Ndërlidhjet

Wall Street Journal: Stili paranoik i politikave turke


Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, ka vënë në dukje anën e tij represive në muajin qershor, kur ka cilësuar si “provokues dhe terroristë” protestuesit paqësorë në Sheshin Taksim të Stambollit dhe ka kthyer topat e ujit dhe plumbat e gomës kundër tyre.

Qeveria e Erdoganit është duke thelluar anën e saj paranoike, duke dënuar dhjetëra kundërshtarë me burgime të gjata, për konspiracion të dyshuar.

Me këtë hyrje nis një shkrim në gazetën Wall Street Journal.

Sipas saj, emri i konspiracionit është Ergenekon, vendlindja mitike e turqve dhe emri i supozuar i një organizate ultranacionaliste, e prirë për destabilizimin e vendit dhe përmbysjen e Qeverisë islamike të Erdoganit. Provat për ekzistencën e Ergenekonit janë të pakëta, por Erdogan ka fajësuar atë për gati çdo sulm terrorist të kryer në tokën turke, në vitet e fundit.

Gazeta shkruan se qeveria ka burgosur qindra njerëz për të cilët pretendon se janë pjesë e komplotit; shumica nga ta zyrtarë të lartë ushtarakë, por edhe gazetarë, avokatë dhe anëtarë të parlamentit. Të hënën, gjykata ka shqiptuar më shumë se 250 dënime, nisur nga pesë vjet heqje lirie deri në burgim të përjetshëm. Në mesin e atyre që kanë marrë maksimumin ka qenë Ilker Basbug, ish-shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë turke, dhe Dogu Perincek, kryetar i Partisë së Punëtorëve.

Mbështetësit e Erdoganit thonë se, sado imagjinar mund të duket Ergenekoni, ushtria turke ka organizuar tre grusht-shtete, të fundit më 1997, kur ka përmbysur qeverinë islamiste të Necmettin Erbakanit. Dhe, nuk ka dyshim se mandati i vjetër politik është përbërë nga gjykatës të lartë, zyrtarë ushtarakë dhe burokratë, të cilët kanë qenë laikë në orientimin e tyre, por shpesh autokratikë.

Kjo është një arsye përse ngritja e Erdoganit në pushtet ka rritur shpresat se Turqia mund të bëhet një demokraci më e pjekur dhe më përfaqësuese. Por, në vend të kësaj, kryeministri ka shfrytëzuar dekadën e tij në zyrë për të zëvendësuar një shtet të thellë me një tjetër, shkruan gazeta. Qindra verdiktet mund të jenë projektuar për të krijuar përshtypjen e një konspiracioni të madh, por gjykimi masiv është një mënyrë e varfër për t’iu dhënë të pandehurve individualë të drejtën ligjore.

Justifikimi i tillë nuk do t’iu shërbejë interesave afatgjatë të Erdoganit dhe partisë së tij politike. Deri në kohët e fundit, shumë turq laikë kanë mbështetur Erdoganin, sepse ai ka mbajtur prosperitetin ekonomik, duke reduktuar ndikimin politik të ushtrisë. Por, qasja e tij brutale ndaj protestuesve në Taksim dhe tani këto aktgjykime kanë bërë që shumë mbështetës të Erdoganit të kthehen kundër tij. Gjëja e fundit që duan turqit është Vladimir Putini i tyre, thuhet në artikull.

Për vite të tëra, Turqia ka qenë model i një vendi mysliman që ka mundur të ndajë xhaminë nga shteti. Me aktgjykimet e së hënës, ajo duket më e afërt me Lindjen e Mesme: një shtet ku fati i qytetarëve varet nga tekat e të fuqishmit, shkruan Wall Street Journal.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG