Ndërlidhjet

Kosid i kërkon ndihmë Kerrit kundër termocentralit me linjit


Fotografi arkivi e termocentraleve aktuale të Kosovës me linjit, 17 dhjetor 2011

Fotografi arkivi e termocentraleve aktuale të Kosovës me linjit, 17 dhjetor 2011

Një grup i organizatave qytetare në Kosovë i kanë kërkuar SHBA-ve që të mbështetët në Bankën Botërore që të ndaloj fondet për ndërtimin e një termocentrali me linjit, njofton agjencia e lajmeve, Reuters.

Veprimi i Konsorciumit të Shoqërisë Civile kosovare për Zhvillim të Qëndrueshm do të jetë testi i parë për politikat e reja të kreditimit të Bankës Botërore që tashmë po fokusohen në çështje klimatike, por dhe për administratën e Obamës.

Konsorciumi i përbërë nga dhjetë organizata i ka shkruar të mërkurën Sekretarit të Shtetit amerikan, John Kerry, i cili si senator ka qenë një avokat i zëshëm për çështje të tilla, duke i kërkuar atij që të udhëheqë përpjekjen e qeverisë amerikane për të identifikuar burime për energji të pastër si një alternativë e termocentralit të propozuar me linjit prej 600 MW.

Projekti do të zëvendësonte edhe një tjetër termocentral tjetër shumë ndotës, Kosova A, që pritet të ndaloj së funksionuari në vitin 2017, shkruan më tej Reuters.

Bordi i Bankës Botërore muajin e kaluar është pajtuar për një strategji të re të energjisë që kufizon financimin e termocentraleve me qymyr apo linjit, financim që do të bëhet vetëm në “rrethana të rralla”.

Ky vendim u morr pasi presidenti amerikan, Barack Obama në qershor bëri thirrje që institucionet multinacionale dhe bankat e zhvillimeve kombëtare të mos financojnë më termocentrale me qymyr.

“Linjiti është forma më ndotëse e qymyrit, dhe nëse ky projekt realizohet atëherë ai do ta hidhte poshtë premtimin e Planit të Aksionit Klimatik”, i ka shkruar Kerrit konsorciumi i organizatave kosovare.

Justin Guay, një nga udhëheqësit e programit për ambientin në organizatën Sierra Club ka thënë se kosovarët që e kundërshtojnë ndërtimin e termocentralit me linjit kanë kërkuar ndihmën e Kerrit ndër të tjera edhe për shkak se ai e kishte kundërshtuar projektin derisa ishte udhëheqës i Komitetit të Senatit për Politikë të Jashtme.

Reuters më tej raporton se qeveria e Kosovës tani është duke e realizuar një analizë për ndikimin social dhe në ambient i cili më pas do i prezantohet drejtorëve ekzekutiv të bordit të Bankës Botërore në vitin 2014.

Pjesë e kësaj analize të qeverisë kosovare do të jetë edhe analizimi i alternativave të projektit në fjalë, duke përfshirë efikasitetin e energjisë dhe energjinë e ripërtëritshme.

Rasti i Kosovës do të ishte projekti i parë i madh që bordi i bankës duhet të vendos pas projektit të termocentralit kontravers me qymyr në Afrikën e Jugut të cilin vendosi ta përkrah financiarisht.

Sekretari Kerry i cili në atë kohë ishte Senator, atëbotë e kishte kundërshtuar projektin.
XS
SM
MD
LG