Ndërlidhjet

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar kohë më parë Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se miratimi i këtij Ligji, do të reformojë sistemin shëndetësor të vendit.

Ligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë është pjesë e pakos legjislative reformuese brenda Ministrisë së Shëndetësisë.

Kosova nuk ka pasur më herët oda të profesionistëve. Kjo është paraparë si pjesë legjislative përmbajtjesore brenda sistemit shëndetësor dhe kompetenca që do t'i ushtrojnë këto oda do ta lehtësojnë punën e ministrisë si institucion.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani në një konferencë për media ka bërë të ditur se me funksionalizimin e odave, profesioni i mjekut do të marrë fatin e vetë në duar dhe në këtë mënyrë shëndetësia kosovare do të avancohet.

"17 tetori u vlerësua si ditë historike për shëndetësinë kosovare ku do të mbahen zgjedhjet për kuvendin e odës së mjekëve të Kosovës, e cila konstituohet sipas Ligjit të ri për shëndetësinë. Ky kuvend menjëherë pas konstituimit do të përparojë dukshëm raportet jo vetëm brenda komunitetit të mjekëve, por edhe pacientëve", ka thënë Agani.

Ndërkaq, Hysni Bajrami, kryetar i komisionit qendror zgjedhor për odat e profesionistëve, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i tërë sistemi i menaxhimit të burimeve njerëzore do të menaxhohet nga odat e profesionistëve, duke filluar nga licencimi, edukimi i vazhdueshëm, specializimet.

"Odat kanë një mision shumë të rëndësishëm. Odat do të kenë dy lloj kompetencash. Ato publike që qeveria e ministria i ka bartë dhe nëse krahasohen këto kompetenca shihet se kompetencat që i ka bartur qeveria tek odat janë shumë të avasuara dhe nëse shikojmë mbikëqyrjen është e fokusuar vetëm në ligjshmërinë në zbatimin e këtyre kompetencave".

"Besoj që komuniteti mjekësor do t'i realizojë ato në pajtueshmëri me ligjin. Mjekët do të vetëqeverisen nga odat. Ato do të promovojnë vlerat profesionale, interesat profesionale. Por edhe do të kujdesen që anëtarët e odës t'i respektojnë rregullat e etikës profesionale", shprehet Bajrami.

E alergologu Hysni Daka, ka bërë të ditur se në kuvendin e odës do të ketë edhe mjekë nga diaspora, të cilët do të jenë këshillëdhënës.

"Në kuvend të odës së mjekëve do të ketë edhe pesë përfaqësues të mjekëve nga diaspora. Ata do të jenë të njoftuar se si zhvillohet politika shëndetësore në Kosovë. Do të jenë edhe këshillëdhënës".

Edhe Haxhi Avdyli, neurokirurg, dhe ekspert i grupit për shëndetësi në Lidhjen Demokratike të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Odat e Profesionistëve Shëndetësorë paraqesin një zhvillim pozitiv, sepse faktorizohet roli i profesionistit shëndetësor në vendimmarrje.

Sidoqoftë është themeluar edhe Komisioni Qendror Zgjedhor prej pesë anëtarëve dhe po ashtu është nënshkruar statuti i përkohshëm i Odës së Mjekëve si dhe rregullorja që përcakton mënyrën e zgjedhjes se kandidimit, ka thënë ministri Agani.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG