Ndërlidhjet

Mungesa e kapaciteteve prodhuese vendore


Prodhuesit vendorë vazhdimisht ankohen për ambient jo të favorshëm të të bërit biznes.

Por, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se edhe në qoftë se ambienti përmirësohet, mungojnë kapacitete prodhuese që mbulojnë importin në vend.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, konsideron se ekzistojnë në vend disa sektorë që përmbushin 70 për qind të nevojave të konsumatorëve, por që ekzistojnë edhe sektorë të tjerë që janë më pak të zhvilluar dhe ato mbesin të varura nga importi.

“Si do që të jenë politikat në Kosovë, nuk janë aq të favorshme për të krijuar sektorë të ri dhe për të rritur sektorët ekzistues në mënyrë që të mbulohen kërkesat dhe për ndalur importin e produkteve të huaj”, tha Shahini.

Edhe eksperti për çështje ekonomike, Naim Gashi, vlerëson se Kosova nuk ka potenciale prodhuese që ta mbulojë konsumin e përgjithshëm.

Sepse sipas tij, vendi ka një mungesë të produkteve ushqimore karshi kërkesave të konsumatorëve.

“Në Kosovë ka shumë hapësirë që të bëhet më tepër, në mënyrë që të zvogëlohet importi por jo edhe të plotësohet. Për arsye se asnjë shtet në botë nuk është i vetëmjaftueshëm me prodhimin vendor, kështu që edhe Kosova këtu nuk bën përjashtim”.

“Tendenca jonë si shoqëri, komunitet i biznesit dhe si qeveri është që përmes fuqizimit të prodhimit vendor ne të ulim atë hendikepin që kemi në bilancin tregtar ndërmjet eksportit dhe importit”, thekson Gashi.

Importi në Kosovë për vite me radhë ka dominuar krahas eksportit.

Të dhënat e fundit të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, tregojnë se eksporti për muajin qershor të këtij viti kishte vlerën 26. 3 milionë euro ndërsa importi 222.4 milionë euro, çka do të thotë se është një rënie prej 12.8 për qind për eksport si dhe një rritje për 2 për qind në import krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Por, Gashi thotë se me krijimin e parakushteve, sidomos në sektorin e bujqësisë, prodhimtaria në Kosovë ka shënuar disa hapa pozitivë por jo të mjaftueshëm.

Ai konsideron se një përmirësim i mundshëm në këtë sektorë mund të realizohet përmes politikave më të favorshme fiskale, në mënyrë që për prodhuesit të mos aplikohen taksat në vitet e para të fillimit të prodhimit.

“Unë inkurajoj institucionet vendimmarrëse që t’i kushtojnë më tepër rëndësi prodhimit vendor dhe të krijojnë kushte më të favorshme, pikë së pari që fermerët ekzistues të kenë çmime të përballueshme në treg, e njëkohësisht që t’i inkurajojmë fermerët e rinj, do të thotë edhe prodhuesit e rinj që të merren më sektorin e prodhimtarisë në Kosovë. Kjo do të ndërlidhet edhe më kreditimin e ekonomisë përmes kredive të vogla dhe të mesme”, shprehet Gashi.

Edhe Agim Shahini, thotë se autoritetet kompetente duhet që të angazhohen më tepër në këtë drejtim në mënyrë që në një masë të rritet eksporti, pasi eliminimi i importit nuk mund të ndodhë.

“Në asnjë vend rajonal nuk ka ndonjë ndonjë kapacitet që plotëson qind për qind kërkesat e vendit, vetëm nëse marrim Vojvodinën, për të shembull me grurë dhe me disa produkte ushqimore. Por, Kosova nuk e ka prioritet dhe nuk e ka në agjendë të vetë krijimin e politikave për të zhvilluar prodhimtarinë dhe zëvendësuar importin me produkt vendor”, thotë Shahini.

Të dhënat e fundit të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për muajin qershor 2013 prej 160,0 milionë euro krahasuar me deficitin prej 187,6 milionë euro me periudhën e njëjtë të vitit 2012.
XS
SM
MD
LG