Ndërlidhjet

Tokat bujqësore nëpër Kosovë, janë degraduar


Tokat bujqësore në Kosovë që nga pas lufta janë shkatërruar në masë të madhe.

Këto toka janë shndërruar në zona industriale, në banesa kolektive, objekte afariste e komerciale, ndërkohë që parandalimi për shkatërrimin e tyre ka munguar përgjatë viteve.

Kosova ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 10 mijë e 887 kilometra katrorë.

Nga kjo sipërfaqe, tokë bujqësore llogariten të jenë 577 mijë hektarë, nga e cila, rreth 500 hektarë sipas disa shifrave të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural shkatërrohen vetëm brenda një viti.

Rajonet më të sulmuara nga ky fenomen janë përgjatë rrugës Prishtinë – Shkup.

Përfaqësuesi i Federatës së Bujqve të Kosovës Tahir Tahiri, tregon se shkatërrimi i tokave bujqësore i cili ka filluar pas luftës po vazhdon edhe tani pa u penguar nga autoritetet shtetërore.

“Jemi të shqetësuar për atë çka po ndodh me tokat bujqësore. Ne kemi kërkuar nga organet më të larta prej qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, pasi që në masë të madhe po uzurpohen tokat bujqësore, me objekte të panevojshme që nuk kanë të bëjnë me veprimtari bujqësore, por nuk po merren masat në atë drejtim”, tregon Tahiri.

Kosova që nga viti 2005 ka në fuqi Ligjin për tokën bujqësore i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për shfrytëzimin, mbrojtjen dhe rregullimin e tokës bujqësore.

Sipas këtij ligji, pronari apo shfrytëzuesi i tokës bujqësore është i detyruar që tokën bujqësore ta shfrytëzojë në mënyrën e cila i përshtatet vetive natyrore të tokës, duke mos e zvogëluar vlerën e saj dhe duke përdorur masat agroteknike përkatëse.

Ky ligj parasheh edhe dënime për personat fizik apo juridik të cilët ndërrojnë destinimin e tokës bujqësore apo e shfrytëzon për qëllime jo bujqësore.

Dënimi, sipas ligjit, parasheh një shumë prej 1.000 euro deri në 10.000 euro.

Por sipas Tahirit ky ligj asnjëherë nuk ka gjetur zbatim dhe nuk është ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese për ata të cilët tokën bujqësore e përdorën për veprimtari tjera.

“Me të vërtetë për çdo vit sipas konstatimeve tona Kosova gati mbi 1.000 hektarë në vit i humbim tokë bujqësore nga njerëzit e pandërgjegjshëm që bëjnë uzurpimin e këtyre tokave bujqësore”, bën të ditur Tahiri.

Nga degradimi i tokës bujqësore ekspertë të bujqësisë, kishin konstatuar se Kosova deri në fund të kësaj dekade, do të ketë krizë në sigurimin e ushqimit.

Sipas tyre, sipërfaqja e tokës së punuar në Kosovë është mjaft e ulët, që llogaritet të jetë 0.15 hektarë për kokë banori.

Ndërkaq, sipas standardeve ndërkombëtare, minimumi ekzistencial për prodhimin e ushqimit të mjaftueshëm, është 0.17 hektarë për kokë banori.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Blernad Stavileci ka thënë se degradimi i tokës bujqësore ndërlidhet me shumë fusha të tjera që janë nën kompetencë edhe të ministrive të tjera, por edhe të organeve të nivelit lokal.

Sado që Ministria e Bujqësisë mund të lëvizë në një drejtim, është e pamundur të bëhen zgjidhjet, nëse të gjithë nuk ecin në të njëjtën rrugë. Ndonjëherë është e pamundur edhe për shkak të asaj nëpër çfarë kemi kaluar, sepse nuk është se toka bujqësore ka filluar të degradohet nga dje”.

Ne e dimë të gjithë, pra, jemi dëshmitarë që pas luftës, në mungesë të infrastrukturës ligjore, në anën tjetër, si rrjedhojë e nevojave që kanë pasur njerëzit tek ne, janë bërë shumë ndërtime – edhe ato që kanë karakter më shumë privat, por edhe të tjera që kanë karakter komercial, afarist”, shton Stavileci.
XS
SM
MD
LG