Ndërlidhjet

Në festën e Bajramit, thirrje për tolerancë ndëretnike


Falja e Fitër Bajramit në xhaminë e Shkupit

Falja e Fitër Bajramit në xhaminë e Shkupit

Toleranca ndërmjet qytetarëve të përkatësive të ndryshme fetare, është një nga qëllimet kryesore në fushën e veprimit të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, thotë kryetari i saj, Sulejman Rexhepi.

Por, sipas tij, që të arrihet ky qëllim, duhet përkushtim edhe nga institucionet dhe grupet tjera religjioze, gjë që në rastin konkret edhe nuk ndodh.

“Për të pasur sukses, që të kultivohet në atë nivel aq sa duhet dhe njëherësh për të mos pasur defekte në jetën e përditshme, toleranca njëlloj duhet të kultivohet edhe nga ana e të gjitha bashkësive tjera fetare”.

“Por, me atë që unë shoh, këtë e them nga praktika ime, bashkësitë fetare tjera shumë pak merren me këtë çështje, sepse si duket mendojnë se është e tepërt të flitet për tolerancë, e veçanërisht bashkësia më e madhe fetare, Kisha Ortodokse Maqedonase, sikur nuk ka nevojë të merret me çështje të tolerancës, mirëkuptimit dhe të bashkëjetesës”
, thotë kreu i BFI-së, duke përmendur një sërë rastesh të ndërmarra nga institucioni që drejton në uljen e tensioneve mes përfaqësuesve të etnike të ndryshme në vend.

Për gjendjen, në të cilën ndodhet Maqedonia sa i përket tolerancës ndërfetare, kreu i BFI-së, Sulejmani, fajëson edhe politikën, e cila, siç sipas tij, nuk ka qasje të barabartë ndaj të gjitha bashkësive fetare, edhe pse me Kushtetutë dhe normat tjera juridike, ato janë të barabarta.

“Në këtë barazi teorike, e cila është e përcaktuar në Kushtetutë në aktet pozitive ligjore, ne nuk e kemi shijuar në asnjë moment, ngase ne për çdo ditë shohim dhe përjetojmë diskriminim. Ky diskriminim në disa raste është dhe tepër provokues kur favorizohet një bashkësi fetare ndaj të gjitha të tjerave, e sidomos ndaj Bashkësisë Islame, e cila është bashkësia e dytë kushtimisht të them për nga madhësia, numrit të besimtarëve të cilët jetojnë në këtë nën qiell në Republikën e Maqedonisë”, thekson Sulejmani.

Ai shpreh pakënaqësinë ndaj refuzimit të kërkesave të saj nga institucionet për kthimin e pronave apo ndërtimin e objekteve fetare të rrënuara në periudha të ndryshme kohore.

Pavarësisht kësaj, Rexhepi thotë se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç ruajtjes, por edhe kultivimit të raporteve të mira ndëretnike dhe ndërfetare.

Ai thotë se për problemet e kësaj bashkësie, në shumë raste ka njoftuar edhe institucionet ndërkombëtare, por, deri më tani nuk ka pasur ndonjë rezultat pozitiv.

“Perspektiva e Maqedonisë është vetëm barazia mes popujve, veçanërisht mes maqedonasve dhe shqiptarëve, por edhe ndaj të gjithë të tjerëve që jetojnë së bashku këtu në këtë vend. Prandaj, shpeshherë ne edhe në përfaqësitë diplomatike hapur e kemi biseduar, por para së gjithash edhe kemi argumentuar para tyre se jemi të diskriminuar”.

“Por, shpresoj se njerëzit, politikë-bërësit tanë, qoftë në nivel shtetëror ose qeveritarët të vetëdijesohen për të mirën e popullit të të gjithë popujve që jetojnë këtu, dhe në të mirë të vendit të ndryshojnë taktikën e veprimit të tyre, sa i përket qasjes së barabartë të institucioneve të bashkësive fetare në vend”, thekson kryetari i Bashkësisë Fetare Islame,
Sulejman Rexhepi.

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, ai ka porositur besimtarët që edhe në të ardhmen të jenë, para së gjithash tolerantë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ketë të ketë të ardhme bashkëjetesa mes komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare në vend.
XS
SM
MD
LG