Ndërlidhjet

SHBA - Rusi: Me gjithë tensionet,takime të nivelit të lartë

  • RFE /RL

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, dhe sekretari amerikan i mbrojtjes, Chuck Hagel, pritet të takohen sot në Uashington, me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe atë të mbrojtjes, Sergei Shoigu, me gjithë marrëdhëniet e përkeqësuara ndërmjet dy vendeve.

Takimi në Uashington bëhet pas shpalljes së Shtëpisë së Bardhë, se presidenti amerikan, Barack Obama, e ka anuluar takimin ballë për ballë me presidentin e Rusisë, Vlladimir Putin, që ishte paraparë për muajin shtator në Moskë.

Kjo do të thotë se presidenti Obama do të marrë pjesë në samitin e vendeve më të industrializuara të botës G20, në Shën Petersburg, por nuk do të takohet ndaras me Putinin.

Lidhjet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë tensionuar lidhur me disa çështje, ndërsa çështja më aktuale është vendimi i Rusisë për t’i dhënë azil të përkohshëm ish-kontraktorit të inteligjencës amerikane, Edward Snowden, i cili ka zbuluar informacione sekrete për programet globale monitoruese të Shteteve të Bashkuara në Internet dhe në sistemin telefonik.

Ai në Shtetet e Bashkuara është i akuzuar për spiunim.

Uashington, po ashtu, ishte i frustruar nga mbështetja e vazhdueshme e Rusisë për presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, gjatë luftës shkatërruese civile në këtë vend.

Shtetet e Bashkuara i mbështesin grupet opozitare në Siri dhe dëshirojnë ta shohin Assadin duke u larguar nga posti.

Nga ana e saj, Rusia ishte e shqetësuar për disa vite për planin e përbashkët Shtetet e Bashkuara – Bashkimi Evropian, për krijimin e mbrojtjes raketore në Evropë.

Uashingtoni thotë se sistemi ka për qëllim mbrojtjen e vendeve të NATO-s nga ndonjë sulm i mundshëm nga Irani, por Moska argumenton se kjo mbrojtje mund të ketë ndikim në aftësinë kundërvepruese atomike të Rusisë.

Shtetet e Bashkuara, po ashtu, kanë shprehur shqetësim për atë që thonë se është goditje në shoqërinë civile në Rusi, prej se presidenti Putin, është kthyer në këtë post, vitin e kaluar.

Në Shtetet e Bashkuara ka pasur protesta të shumta kundër një legjislacioni të miratuar këtë verë në Rusi, me të cilin penalizohet “propaganda” homoseksuale te të rinjtë.

Ky dhe legjislacioni tjetër, sipas të cilit kërkohet që organizatat joqeveritare, që marrin financim të jashtëm dhe janë të angazhuara në “aktivitet politik”, duhet të regjistrohen si “agjentë të jashtëm”, kanë ndikuar që në Shtetet e Bashkuara të ketë thirrje për bojkotimin e Lojërave Olimpike Dimërore në Soçi të Rusisë më 2014.

Administrata e presidentit Obama thotë se nuk e shqyrton mundësinë e bojkotit.

Lidhur me çështjen e ligjit për propagandën homoseksuale dhe pjesëmarrjen në Olimpiadën në Soçi, është shprehur ministri i sportit i Rusisë, Vitaly Mutko.

“Dëshiroj ta qetësoj çdokënd për këtë ligj në territorin e Rusisë. Ne e kemi Kushtetutën e Federatës Ruse, që garanton të drejtë për jetë private të të gjithë shtetasve, që garanton se nuk do të ketë ndërhyrje në jetën private. Ky legjislacion nuk ka për qëllim t’i privoj shtetasit e secilit vend, religjion, ose orientim, nga interesat dhe të drejtat e tyre. Ky legjislacion ka për qëllim ta ndalë propagandën në mesin e të rinjve, më tepër se çdo gjë tjetër”, tha ministri i sportit i Rusisë, Vitaly Mutko, dhe ka shtuar se ky ligj nuk do të ketë ndikim në pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore në Soçi.

“Mund t’ju siguroj se Lojërat Olimpike do të zhvillohet në nivelin më të lartë. Të gjitha të drejtat e të gjithë shtetasve do të mbrohen, por legjislacioni i secilit vend, në territorin e të cilin ju hyni, duhet të kihet parasysh. Prandaj, e them përsëri, kjo nuk do të ndikoj aspak në sportistët, të cilët duhet të vijnë dhe të garojnë”, tha ministri Vitaly Mutko.

Pritet që takimi në Uashington ndërmjet ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, do të fokusohet në situatën në Siri, Afganistan, Iran dhe Korenë Veriore, por edhe në planet për mbrojtjen raketore në Evropë. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG