Ndërlidhjet

Të gjitha klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për më shumë se tre vjet me radhë udhëhiqen me ushtrues detyre.

Gjatë vitit të kaluar, më 18 janar, ishin shpallur emrat e gjashtëmbëdhjetë drejtorëve të rinj të klinikave dhe shërbimeve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, dhe ky konkurs u anulua një ditë më vonë.

Zgjedhja e drejtorëve të klinikave pati shkaktuar mospajtime, si nga kandidatët që nuk arritën të përzgjidhen në krye të klinikave, po ashtu edhe nga sindikalistë të shëndetësisë, duke e vlerësuar se gjatë përzgjedhjes së kandidatëve ka pasur shkelje ligjore.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për shëndetësi, janë duke u nxjerrë edhe disa udhëzime administrative, e që si rrjedhojë do të shpallet edhe konkursi për udhëheqës klinikash brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të shëndetësisë janë duke u nxjerrë edhe disa udhëzime administrative që kanë të bëjnë me statutin e QKUK-së dhe spitaleve rajonale që do të jenë të integruara brenda shërbimit spitalor dhe klinik universitar. Pasi të kryhen këto procedura dhe disa tjera që Ministria është duke i përgatitur, atëherë spitalet, pra ky shërbim do ta ketë autonominë e plotë që të procedojë me konkurs për zgjedhjen e shefave të klinikave dhe shefave të reparteve të tyre”, thotë Faik Hoti, drejtori i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë.

Statuti i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, si akti më i lartë juridik, ka pësuar disa herë ndryshime, derisa më 5 prill të vitit të kaluar, statuti është miratuar.

E, anëtarët e Grupit të ekspertëve për shëndetësi, thonë se kjo ndikon dukshëm me performancën e punëtorëve shëndetësorë, të cilët punojnë në QKUK, gjë që rrjedhimisht do të ketë pasoja edhe për qytetarët.

Valbon Krasniqi, anëtar i Grupit të ekspertëve për shëndetësi nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, jep hollësi të tjera:

“Ne, si Grup i ekspertëve për shëndetësi, mendojmë se QKUK-ja si institucion terciar, i vetmi në Kosovë, do të duhej të ishte shembull i mirë për funksionimin e rregullt duke filluar nga aspekti menaxherial e deri te kualiteti i shërbimeve që ofrohen për institucionet tjera”.

“Vetë fakti që Ministria e Shëndetësisë dhe QKUK-ja për më shumë se tre vjet nuk arrijnë të zgjedhin drejtorë legjitimë, në bazë të konkursit të rregullt, tregon për paaftësinë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të menaxhuar me këtë institucion shumë të rëndësishëm”, thekson Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, mbetet të shihet se kur të gjitha klinikat brenda Qendrës Klinike Universitare do të udhëhiqen me drejtorë, derisa ato për më shumë se tre vjet janë duke i drejtuar ushtruesit e detyrës së drejtorëve.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG