Ndërlidhjet

Obama pushon marrëdhëniet me Rusinë


Barack Obama(djathtas) dhe Vladimir Putin
Barack Obama(djathtas) dhe Vladimir Putin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se Uashingtoni është duke pushuar dhe rivlerësuar marrëdhëniet me Rusinë, për shkak të, siç është shprehur, të të menduarit të prapambetur të presidentit rus, Vladimir Putin.

Duke folur në Uashington, pas anulimit të takimit të ardhshëm me Putinin në Rusi, Obama u ka thënë gazetarëve se inkurajon homologun e tij të mendojë përpara dhe jo prapa.

Ai ka thënë se është shënuar përparim në marrëdhëniet SHBA-Rusi, derisa Putini ka rimarrë presidencën ruse më 2012.

“Është bërë shumë punë e mirë që do të vazhdojë të bëhet. Ajo që është po ashtu e vërtetë, është se kur presidenti Putin, i cili ka qenë kryeministër kur Medvedevi ka qenë president, është kthyer në pushtet, kemi parë një retorikë ruse antiamerikane, e cila është përdorur gjatë Luftës së Ftohtë. Ne inkurajojmë zotin Putin që të mendojë përpara dhe jo prapa”, ka thënë Obama.

Ai ka theksuar se tani ka dallime në zhvillim për çështjet si lufta civile në Siri, të drejtat e njeriut dhe legjislacioni antihomoseksual i Rusisë.

Moska po ashtu ka zemëruar Uashingtonin duke i siguruar azil të përkohshëm ish-kontraktorit të inteligjencës amerikane, Edward Snowden, i cili kërkohet nga prokurorët e SHBA-së për publikim të sekreteve të sigurisë kombëtare.

“Mendoj se ngjarja e fundit është vetëm një më shumë në mesin e dallimeve që kemi parë gjatë muajve të fundit për Sirinë, për çështjen e të drejtave të njeriut. Kjo me siguri e bën të përshtatshme për ne që të bëjmë pushim, të rivlerësojmë se nga do që të shkojë Rusia, cilat janë interesat kryesorë dhe të rikalibrojmë marrëdhëniet. Andaj, do të bëjmë gjëra që janë mirë për Shtetet e Bashkuara dhe me shpresë për Rusinë”, ka thënë presidenti amerikan.

Megjithëse ka thënë se “askush nuk është më i ofenduar”, në lidhje me legjislacionin antihomoseksual në Rusi, Obama ka vlerësuar se nuk është gjëja e duhur për Shtetet e Bashkuara që të bojkotojnë Olimipiadën Dimërore në Soçi, më 2014.

“Ajo çfarë vërtet shpresoj është që disa nga atletët homoseksualë apo lesbike të sjellin në shtëpi medaljen e artë, argjendtë ose bronxtë, e cila mendoj se do të jetë në kundërshtim me qëndrimet që shohim atje”, është shprehur Obama.

Ai po ashtu u ka thënë gazetarëve në Uashington se përpjekjet e SHBA-së për mbikëqyrje duhet të jenë “më transparente”. Obama ka bërë të ditur se ka udhëzuar komunitetin e inteligjencës amerikane që të bëjë publike sa më shumë informacione në lidhje me programet e mbikëqyrjes.

Presidenti ka thënë se një grup i pavarur do të rishikojë metodat e mbikëqyrjes amerikane për të siguruar se përpjekjet e inteligjencës anti-terrorizëm janë në përputhje me interesat dhe vlerat amerikane.

“Të gjithë këta hapa janë të dizajnuar për të siguruar se populli amerikan mund të besojë se përpjekjet tona janë në përputhje me interesat dhe vlerat tona. Dhe, për të gjithë të tjerët në botë, dua ta bëj të qartë edhe një herë se Amerika nuk është e interesuar të spiunojë njerëzit e zakonshëm. Inteligjenca jonë është e përqendruar në gjetjen e informacioneve që janë të nevojshme për të mbrojtur popullin tonë dhe, në shumë raste, aleatët tanë”, ka thënë Obama.

Grupi rishikues do të lëshojë një raport të përkohshëm për mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara në fillim të tetorit.(v.tela)
XS
SM
MD
LG