Ndërlidhjet

OKB: Takime pa rezultate për emrin


Antonis Samaras (Foto nga arkivi)

Antonis Samaras (Foto nga arkivi)

Kontesti për çështjen e emrit të Maqedonisë ka dominuar takimin e mbrëmshëm në Nju Jork mes kryeministrit grek, Antonis Samaras, dhe sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban ki Mun.

Mirëpo, pas takimit nuk janë dhënë detaje, madje siç transmetojnë mediat, kryeministri grek ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve maqedonas lidhur me angazhimin e tij për zgjidhjen e problemit.

Ndryshe, në këtë takim ku ka marrë pjesë edhe ndërmjetësi Metju Nimic, është diskutuar për propozimin e tij të muajit prill dërguar dy palëve në kontest.

Edhe nga zyra e ndërmjetësit Nimic nuk ka pasur ndonjë njoftim për rrjedhën e takimit, por sipas burimeve të diplomatike, nuk përjashtohet mundësia e një raundi të ri bisedimesh në muajin shtator. Në këtë kuadër mediat transmetojnë një deklaratë të zëvendës-ndihmësi i sekretarit shtetëror amerikan, Filip Riker, i cili ka shfaqur shpresën se negociatat mes dy vendeve mund të vazhdojnë nga fundi i verës apo fillimi i vjeshtës.

I pyetur se cili ishte mesazhi që SHBA-të i kanë përcjellë Samarasit gjatë vizitës në Uashington, Riker ka thënë: “Mesazhi është po ai që i është dhënë edhe Gruevskit, kur ishte në Uashington se ne shpresojmë që dy palët do të gjejnë një rrugë për të ecur përpara duke i shfrytëzuar shërbimet e mira të ndërmjetësit Nimic”.

Nga ana tjetër, duke komentuar aktivitetet diplomatike të palës greke, njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se Maqedonia duhet të ndryshojë strategjinë e veprimit dhe të lobojë sa më shumë për presion ndaj Athinës për zgjidhjen e kontestit.

“Maqedonia duhet të ndryshojë strategjinë, duhet të ushtrojë presion mbi Greqinë nëpërmjet kontakteve me faktorin ndërkombëtar, me SHBA-në që ata të fillojnë të japin një epilog pak më korrekt, për arsye se Greqia është në vlugun e problemeve të mëdha financiare dhe ekonomike, kështu që prioritet ka daljen nga kjo situatë ndërsa për të çështja e emrit mund të presë”, konsideron ish-diplomati Alajdin Demiri.

Ai shton se institucionet duhet të kenë kujdes edhe ndaj disa elementëve të caktuar që kundërshtojnë në forma të ndryshme negociatat për emrin. Në këtë kuadër ishte edhe një protestë e një dite më parë nga një grup intelektualësh maqedonas, të cilët akuzuan perëndimin për veprime fashiste ndaj Maqedonisë.

Por, Demiri thotë se bëhet fjalë për grup margjinal edhe pse në opinion nuk përjashtohet mundësia që protesta të jetë nxitur nga qarqe të caktuara shtetërore.

“Janë një grup njerëzish anti-NATO, anti-amerikan, janë grup margjinal që nuk kanë koncept, janë grup margjinal që nuk di se çka mbron, që askush nuk i trajton seriozisht për arsye se pikënisjet i kanë serioze, se qendra e botës është Maqedonia dhe gjithë tjerët duhet ta ndërrojnë emrin, por jo edhe Maqedonia. Pra, është një grup i intelektualëve dhe analistëve qesharakë”, thotë Demiri.

Ndërkohë, edhe profesori universitar Ilija Acevski tërheq vërejtjen për arritjen së pari të një konsensusi të brendshëm për çështjet strategjike të vendit siç është procesi euro-integrues.

“Do të ishte mirë që të ketë një konsensus rreth çështjeve strategjike. Ne kemi një shoqëri shumë të ndarë thuajse në të gjitha sferat dhe kjo pa dyshim se reflektohet në jetën e përditshme duke krijuar një atmosferë tensionuese dhe të mosbesimit ndaj njëri-tjetrit. Kur një lider ironizon me tjetrin, këtu është fundi, nuk ka bashkëpunim, këtu nuk ka unitet, nuk ka asgjë”, shprehet Acevski.

Ndërmjetësi Nimic për zgjidhjen e kontestit ka propozuar emrin “Republika Veriore e Maqedonisë”, por deri më tani palët nuk janë prononcuar nëse pranojnë ose jo këtë propozim.
XS
SM
MD
LG