Ndërlidhjet

Arabia Saudite shton përpjekjet për të larguar Assadin


Damask
Damask
Nuk është më sekret se Arabia Saudite dëshiron që ta rrëzojë nga pushteti presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Por, se sa është i gatshëm Riadi që të përdorë paranë që ka, për ta arritur këtë qëllim, mund të befasoj shumëkënd.

Një prej masave ishte takimi javës së shkuar më 31 korrik në Moskë, ndërmjet të shefit të Inteligjencës saudite, Princit Bandan bin Sultan dhe presidentit rus, Vlladimir Putin.

Detajet e këtij takimi mbeten ende të paditura zyrtarisht, mirëpo një burim opozitar sirian, i afërt me sauditët, thotë se princi ka ofruar hiq më pak se një marrëveshje prej 15 miliardë dollarësh për të blerë armatim rus, nëse Moska pajtohet që të zbusë përkrahjen e vet për Assadin, dhe të ndalë së bllokuari rezolutën për Sirinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Njëkohësisht, princi thuhet se ka garantuar që asnjë shtet nga Gjiri nuk do të transportojë gaz natyror përmes Gadishullit Arabik, që do të paraqiste një sfidë për pozitën e Rusisë, si furnizuesi kryesor i gazit në Evropë.

Por, si duket Moska nuk ishte aq e interesuar, pasi Kremlini bëri të ditur të premten se raportimet e mediave për këtë ofertë të majme saudite, janë të pavërteta.

Këshilltari për Punë të Jashtme i presidentit rus, Yuri Ushakov, iu tha gazetarëve se “Putini nuk ka diskutuar për këtë marrëveshje”, duke shtuar se, “asnjë çështje specifike për zhvillimin e një bashkëpunimi ushtarak nuk është shtruar” në këtë takim, i cili, sipas tij, ishte më shumë i një “karakteri filozofik”.

Megjithatë, u shtjellua apo jo në detaje kjo ofertë, vizita e shefit të Shërbimeve të Inteligjencës të Arabisë Saudite, nuk lë dyshime se konfliktin e Sirisë e ka vendosur si prioritet të politikës së saj të jashtme.

Volker Perthes, nga Instituti gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Berlin, thotë:

"Që nga qershori, dhe korriku i këtij viti, ata (sauditët) kryesojnë me financimin e opozitës siriane dhe në një mënyrë edhe vendosin se kush do të jetë në krye të opozitës siriane, duke dërguar shumë e më shumë para për blerje të armëve, dhe besa edhe valixhe me para për opozitën siriane. Përveç kësaj bujarie, ajo është bërë shumë aktive në planin diplomatik, si në Perëndim ashtu edhe në Rusi”.

Ajo që po e drejton këtë politikë saudite, sipas Perthes është frika.

"Ajo ka frikë, me sa duket se Irani mund të fitojë, ose që Irani të vendosë hegjemoni në Lindjen e Mesme dhe në Levant, që të lidhë përmes tokës urën që çon nga Irani përmes Irakut dhe Sirisë me Libinë. Frikësohet se Hezbollahu mund të fitojë në Libi në raport me sunnitët, të cilët Arabia Saudite i përkrah me vjet, dhe ka frikë se Assadi mund të fitojë luftën, ose që nëse opozita fiton, të mos jetë ajo opozitë që e përkrah ajo”, vlerëson ai.

Por, Riadi ka edhe brengë tjetër, përpos këtyre.

Është edhe rreziku se konflikti në Siri do të destabilizojë Jordaninë, ku mbreti Abdullahu i II-të, vazhdon të përballet me lëvizje të shtuara opozitare, në kohën kur ky shtet po mundohet të përballojë fluksin e qindra mijëra refugjatëve sirianë.

Theodore Karasik nga Instituti i Dubait për Lindjen e Afërt dhe Analizat Ushtarake për Gjirin, shprehet:

"Nëse Mbretëria e Jordanisë duket të jetë në telashe, atëherë sauditët me vrap do ta mbronin, ashtu siç sauditët vepruan për rastin e Bahreinit. Nga këndvështrimi i tyre, rënia e monarkisë do të ishte një katastrofë e madhe, me pasoja e degëzime të shtuara gjeopolitike për monarkitë e tjera”.

Mbi të gjitha këto telashe, është edhe problemi që po e shtyn dalëngadalë konfliktin në Siri në një luftë sektare, pasi ekstremistë nga shtetet fqinje po përfshihen vullnetarisht “në luftën e shenjtë”, e që sipas Karasikut, rrezikon që të përshkallëzojë në mbarë rajonin.

"Këto grupe, të cilat kanë lidhje me Al-Qaeda dhe ato grupe që lidhen me to, që përkrahen nga Irani dhe Hezbollahu, kanë po ashtu përballje të dhunshme me njëra-tjetrën, pra kjo luftë në Siri nuk po bëhet vetëm nga shteti dhe kryengritësit, por edhe ndërmjet nivelit jo-shtetëror dhe grupeve të ndryshme militante”, potencon Karasik.

Riadi përballet me dy rreziqe nga militantët saudit, të cilët një ditë do të kthehet nga Siria.

I pari është që luftëtarët sunitë pas kthimit mund të përforcojnë luftën që Al-Qaeda i ka shpallur familjes mbretërore.

Rreziku i dytë është se, po ashtu, luftëtarët e komunitetit të shiitëve mund të radikalizojnë edhe më shumë pakicën e tyre që historikisht është nënvlerësuar në këtë shtet të pasur me naftë.

Në kohën kur Arabia Saudite po merr përsipër rolin e udhëheqësit që mbështet kryengritësit sirianë, vazhdon të mbetet e panjohur se sa sheh vend ajo për kompromis me fuqitë e tjera botërore, që kanë hise në këtë konflikt.

Konflikti në Siri, që nisi me demonstratat kundër Bashar al-Assadit në mars të vitit 2011, sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara, ka marrë jetën e mbi 100,000 njerëzve, ndërsa mbi 2 milionë banorë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.(f.aliu)
XS
SM
MD
LG