Ndërlidhjet

SHBA: “Armiqtë e Islamit” sulmuan Irakun

  • RFE /RL

Washington

Washington

Uashingtoni ka dënuar autorët e shpërthimeve të së shtunës në Irak, duke i cilësuar si “armiq të Islamit”.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se “bombardimet që kanë bërë kërdinë nëpër kafene dhe tregje të mbushura me njerëz, kanë qenë sulme frikacake ndaj familjeve që kanë festuar Fitër Bajramin”.

Zyrtarët irakianë thonë se së paku 69 njerëz kanë humbur jetën të shtunën, vetëm disa javë pas sulmeve të Al Kaidës në burgjet pranë Bagdadit, të cilat kanë çuar në lirimin e qindra militantëve.

Së paku 57 të vrarë dhe qindra të plagosur janë regjistruar vetëm në Bagdad.

Burimet zyrtare thonë se sulmi më vdekjeprurës ka pasur në shënjestër një treg në periferinë juglindore të Bagdadit, pak para perëndimit të diellit.

Së paku 11 bomba të tjera kanë qëlluar kafene, tregje dhe restorante, kryesisht në lagjet e banuara me shumicë shiite të kryeqytetit.

Sulmet kanë ndodhur me gjithë patrullat e shtuara të sigurisë për të mbrojtur qytetarët gjatë kremtes së Bajramit, e cila ka shënuar fundin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit.

Në qytetin e shenjtë shiitë të Qerbelasë, makinat bombë kanë vrarë të shtunën katër persona dhe kanë plagosur 11 të tjerë.

Në Nasiria, janë regjistruar gjashtë njerëz të vrarë dhe 25 të tjerë të plagosur.

Makinat bombë, po ashtu, kanë qëlluar një xhami shiite në qytetin verior të Kirkukut, duke vrarë së paku një person dhe plagosur pesë të tjerë.

Numri i të vrarëve të shtunën është më i larti në një ditë të vetme në Irak, qysh më 20 korrik kur sulmet në burgjet pranë Bagdadit dhe të tjera kanë vrarë 71 persona.

Autoritetet thonë se gjatë muajit të agjërimit këtë vit janë vrarë 670 njerëz, duke e bërë atë Ramazanin më të përgjakshëm në Irak qysh në vitin 2007, kur dhuna sektare ka qenë në kulmin e saj.

Shifrat e publikuara së fundmi nga Qeveria irakiane kanë treguar se numri i të vrarëve në korrik ka arritur në afro 1,000.

Uashingtoni ka përsëritur ofertën e tij për shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kapjen e udhëheqësit të Al Kaidës në Irak, Abu Bakr al-Baghdadi.

Ai besohet se fshihet në Siri dhe fajësohet për orkestrimin e disa sulmeve terroriste në Irak qysh në vitin 2011.

Ato përfshijnë sulmin e fundit në burgun Abu Gharib, një sulm vetëvrasës në Ministrinë e Drejtësisë dhe të tjera kundër forcave të sigurisë së Irakut dhe kundër qytetarëve.(v.tela)
XS
SM
MD
LG