Ndërlidhjet

logo-print

Kryeqyteti dhe aktivitetet për të rinj


Pamje në Prishtinë, verë 2013...

Pamje në Prishtinë, verë 2013...




Të rinjtë gjatë sezonit veror kanë më shumë kohë të lirë dhe ditë pushimi. Por, sa ka në kryeqytet aktivitete kulturore për t’i ofruar kësaj kategorie të shoqërisë, flasin ata vetë për rubrikën e përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë.

Linda Kastrati thotë se aktivitetet nuk janë në nivel të kënaqshëm, derisa shton se edhe interesimi i të rinjve nuk duket të jetë aq i madh.

“Po mendoj që deri diku, ndoshta jo në nivel të kënaqshëm, por mendoj që më shumë bëhen ankesa dhe në fund nuk shfrytëzohen nga të rinjtë. Edhe po të kishte, sipas mendimit tim, nuk do të shfrytëzoheshin në masën e duhur pasi që mendoj qasja e të rinjve ka ndryshuar shumë”, shprehet Linda.

Derisa Faiku nga Prishtina thotë se mënyra e të jetuarit te të rinjtë në kryeqytetin e Kosovës, ka bërë që ata të orientohen më shumë kah rrjetet sociale, sesa kah aktivitet kulturore, rekreative, që ofron komuna.

“Besoj që Prishtina ofron në mënyrë solide aktivitete kulturore rekreative, por mënyra e të jetuarit sot, ka bërë që të rinjtë të orientohen kah aktivitetet tjera dhe mendoj se në këto aktivitete nuk janë shumë aktivë. Më shumë janë orientuar kah ambientet e mbyllura, lojëra të ndryshme, shpenzohet kohë e gjatë në rrjete sociale. Domethënë po ndryshon qasja. Njerëzit po merren më shumë me aktivitete të kufizuara që kanë më pak rekreativitet”, thotë Faiku

Edhe Bardha Maloku jep mendimin e saj:

“Krijimi i kushteve në Sheshin Nëna Terezë, tashmë po krijohet një hapësirë ku pritet të ketë aktivitete kulturore. Ka edhe mundësi private, për shembull, mund të shkosh në Qendra tregtare dhe të luash shumë lojëra që ofrohen”.

Ndërkaq, zyrtarë në Kuvendin Komunal të Prishtinës thonë se ky institucion bën shumë për të rinjtë e kryeqytetit. Vlora Dumoshi, zyrtare në Komunën e Prishtinës, jep hollësi të tjera:

“Komuna e Prishtinës u jep mbështetje të madhe të rinjve të Prishtinës. Këtë vit kemi aprovuar në Kuvendin e Komunës planin e veprimit ku i kemi mbështetur gjitha aktivitete me një shumë të konsiderueshme. Gjithashtu, ne kemi dhënë edhe hapësirë, duke e vendosur Qendrën Rinore dhe të gjitha ngjarjet rinore që ndodhin në Prishtinë, ne i mbështesim financiarisht”.

“Tash jemi në prag të Ditës së Rinisë Ndërkombëtare dhe Komuna e Prishtinës zyrtarisht do ta hapë një qendër kulturore. Gjithashtu, Komuna e Prishtinës po i ndërton edhe fushat sportive të dedikuara për të rinjtë, në kryeqytet, por edhe në pjesë rurale”.

“Interesimi është i madh. Nëse shkojmë në Gërmi, shihet që është përplot me të rinj dhe tani në Taukbahqe do të përfundohet shtegu i atletikës, 4 fusha të tenisit etj”,
thotë Vlora Dumoshi.

Por, ndryshe nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës shprehet Anita Ferati. Ajo thotë se kryeqyteti nuk ofron aq sa duhet.

“Mendoj se ka shumë pak aktivitete. Ne si të rinj kemi shumë energji për t’u marrë me më shumë aktivitete, e jo vetëm të shkojmë në kurse private e të paguajmë. Shteti duhet të ofrojë gjithçka për të rinjtë, sikurse në vendet tjera në botë, e jo rinia ta kalojë kohën vetëm nëpër lokale”, thekson Anita.

E, Rona Berisha thotë se varet nga të rinjtë se si dëshirojnë ta kalojnë kohën e lirë, derisa kryeqyteti nuk ofron diçka specifike për ta.

“Sa i përket organizimeve nga Komuna e Prishtinës, nuk ka. Po deshe mund të gjesh vende, por nuk ofrohen mjaftueshëm. Ka vende ku mund të luash basketboll, tenis, por jo diçka specifike”, shprehet Rona.

Ka edhe të rinj që thonë se sezonin e verës e shfrytëzojnë për punë.
Kushtrim Pireva thotë:

“Ka aktivitetet sportive, kulturore. Por, mendoj se të rinjtë nuk i shfrytëzojnë edhe shumë. Është sezoni i verës dhe shumë të rinj janë duke e shfrytëzuar sezonin e verës për punë".

Edhe Donika Rafuna, thotë se aktivitete për të rinjtë ka shumë pak:

“Ka shumë pak aktivitete për të rinjtë. Unë për vete, kohën kryesisht e kaloj në shtëpi, ose dal ndonjëherë gjatë kohës së lirë. Mendoj se Komuna është dashur të bëjë më shumë në mënyrë që rinia mos ta kalojë kohën vetëm nëpër lokale”.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG