Ndërlidhjet

Guardian: Dhuna kundër migrantëve në Evropë, në rritje


Fotografi nga arkivi
Fotografi nga arkivi
Racizmi është në gjumë të lehtë në djepin e vet evropian dhe kjo nuk është diçka e kohëve të fundit, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja londineze "Guardian", duke konstatuar se dhuna kundër migrantëve është në rritje dhe duke e shtruar pyetjen se përse të privilegjuarit frikësohen nga ata që janë nevojtarë?

Më tutje gazeta i radhit disa raste të të shprehurit të racizmit, ndërsa fillon me anëtarin e Parlamentit Evropian, Godfrey Bloom, nga Partia për Pavarësi e Mbretërisë së Bashkuara (UKIP), për të cilin konstatohet se nuk është “anëtar periferik i partisë periferike”, siç ka shkruan gazeta "Telegraph", por është një monstrum populist, i cili e fsheh egërsinë e tij prapa budallallëkut të klubit të golfit dhe e kritikon ndihmën për “tokën bongo-bongo”, që është një referencë poshtëruese, kryesisht për shtetet në Afrikë.

Bloom as që e di e as që kujdeset për atë se çka kanë bërë evropianët e bardhë në “tokën bongo-bongo”. Ai nuk e kupton se për ta arsyetuar racizmin, duhet të dehumanizohet viktima, atëherë dhe tash. Bloomi duhet ta lexojë historinë "Fantazma e Mbretit Leopold" të autorit Adam Hochschild se çka ka bërë Belgjika në Kongo, por ai nuk dëshiron.

Ndoshta, ne duhet të fillojmë me rastin e Oprah Winfrey, së cilës nuk i ishte lejuar ta prekte çantën e femrave prej 35 mijë dollarëve amerikanë, në një dyqan luksoz në Cyrih të Zvicrës, që i kishte pëlqyer gjatë rrugës për të marrë pjesë në dasmën e këngëtares së njohur Tina Turner? Kjo është me rëndësi, pasi është një testament këmbëngulës i racizmit, megjithëqë në rrethana të tjera, të nivelit të lartë, shkruan gazeta.

Në këtë listë mund të futet edhe paraqitja e anëtarit konservator të Parlamentit britanik, Jacob Rees-Mogg, në Grupin Tradicional Britanik (TBG) që ka bërë thirrje për deportimin e zonjës Doreen Lawrence. Rees-Mogg ishte shkolluar në Eton College dhe Oxford, dhe i është tërhequr vërejtja për pikëpamjet e tij në TBG nga grupi anti-fashist Searchlight, por ai pretendoi injorancë në çdo mënyrë. Pra, injorancë, keqkuptim dhe shok, konstaton "Guardian".

Gazeta më tutje shkruan se preferon të mbetet në rastin e Zvicrës, Zvicrës së dashur, tokë e çokollatave, klinikave dhe e orëve me tingullin e qyqeve. Zvicra, vendi i katërt më i pasur në botë sipas GDP-së, me shkallën e papunësisë rreth 3%.

"Çfarë kaosi e kërcënon qetësinë e saj dhe gjumin e qetë?', pyetet "Guardian".

Javën e kaluar, mësuam se azilkërkuesve nuk do t'u lejohet hyrja në 32 hapësira publike në qytetin Bremgarten në kantonin Aargau, ku ata janë të vendosur në ish - kazermat ushtarake gjatë procesit të kërkesave të tyre: pra nga pishinat, nga qendrat e kujdesit ditor, pastaj nga kazinoja, shtëpia e pensionistëve, e madje edhe nga kishat, megjithëqë priftërinjtë kishin dhënë vërejtje.

“Për shkaqe të sigurisë”, thotë Raymond Tellenbach, prefekt i Bremgartenit, dhe shton se “ne vendosëm që në këto hapësira të mos kenë qasje me qëllim që ta evitojmë konfliktin potencial, dhe para se gjithash, për ta parandaluar përdorimin e drogës”.

Zoti Tellenbach përfundon me shprehjen “ne nuk jemi johuman”. Autorja e artikullit në "Guardian", Tanya Gold, shkruan se nuk pajtohet me këtë. Për ta kufizuar lëvizjen e personave të jashtëm të pafat është johumane, dhe ky kufizim është një trend i pasqyruar në qytetet e tjera zvicerane. Nga kjo do të mund të kuptohej linja se azilkërkuesit janë moralisht të këqij, të varur nga droga dhe shkak i arsyeshëm për ankth seksual. Ata janë verboten (fjalë gjermane me kuptim “i ndaluar”).

Mbrojtësit e azilkërkuesve në gjithë Evropën raportojnë për trendët që vijojnë: rritje në keqtrajtimin gojor dhe rritje e dhunës fizike ndaj azilkërkuesve, edhe pse ky mbetet një krim, për të cilin nuk raportohet sa duhet dhe nuk zhvillohen hetime.

Pastaj shkurtime në rritje të fondeve për OJQ-të, që i mbështesin azilkërkuesit (aktualisht Komisioni Spanjoll për Ndihmë të Refugjatëve është i kërcënuar), prandaj azilkërkuesit nuk kanë dijeni për të drejtat e tyre juridike; mungesa e kapaciteteve të pranimit; refuzimi për të lejuar tokë për azilkërkuesit në Evropë, që shpeshherë përfundon me vdekjen e tyre. (Këtu theksohet rasti i Jimmy Mubenga, i cili vdiq në fluturimin e riatdhesimit në Angolë, në vitin 2010, që përkujton se ata vdesin duke shkuar edhe në drejtimin tjetër, po ashtu).

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatë thotë se 1500 njerëz janë mbytur ose raportohen të zhdukur, duke u përpjekur për ta kaluar Mesdheun, në vitin 2011.

Sipas Këshillit Evropian për Refugjatë dhe të Mërguar, javën e kaluar, 102 njerëzve në anije me origjinë nga Libia, përfshirë edhe gra shtatzëna dhe fëmijë, nuk u është lejuar hyrja në Maltë dhe kanë pritur pashpresë në det, shkruan "Guardian".

Ata mbetën atje dy ditë, derisa vendet grindeshin, dhe përfundimisht, Italia i mori ata.

Ekzistojnë, po ashtu, politika të pafrytshme të arrestimit të pakufizuar, mizor dhe të shtrenjtë, në të cilat veçohet Britania. Kur është shumë e rrezikshme që azilkërkuesit të deportohen, për shembull në Somali dhe Zimbabve, Qeveria britanike lejon që ata të arrestohen pa fund, ndërsa kalojnë prej torturës në torturë, shkruan gazeta.

Sipas organizatës humanitare, Detention Action, 4373 azilkërkues, përfshirë fëmijë, janë ndaluar në vitin 2011.

Si kontinent, ne duhet të jemi të turpëruar për johumanitetin tonë, derisa ai vlon dhe spërkat rreth nesh.

Por, kush kujdeset kur Godfrey Bloom, flet idiotësi për idiotët? Ne e kemi zgjedhur dashin e lashtë të kurbanit; tash le të lejojmë që gjaku të rrjedhë, shkruan në fund të artikullit të gjatë, autorja Tanya Gold, në të përditshmen londineze, "Guardian".
Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG