Ndërlidhjet

logo-print

Zgjedhjet sfidojnë simbolet e Kosovës në veri


Qendër votimi në Graçanicë (Fotografi nga arkivi)

Qendër votimi në Graçanicë (Fotografi nga arkivi)

Heqja dorë nga simbolet shtetërore të Kosovës, duket të jetë kërkesa tjetër e Serbisë si kusht për t’i inkurajuar serbët e komunave veriore që të dalin në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Përderisa kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, pati deklaruar në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë se fletëvotimet do të jenë konform ligjeve në fuqi të Kosovës, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se për Serbinë është e papranueshme që fletëvotimet për zgjedhjet lokale të kenë simbolet shtetërore të Kosovës.

Duke i komentuar këto zhvillime që ndërlidhen me zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, analisti dhe publicisti nga Prishtina, Halil Matoshi, thotë se shteti përfaqësohet nga simbolet dhe se heqja dorë do të ishte e papranueshme.

“Nëse Kosova pretendon të organizon zgjedhje si shtet në gjithë territorin e saj atëherë heqja e stemave, simboleve të Republikës së Kosovës do të thoshte se atje nuk janë zhvilluar kurrfarë zgjedhjesh”, thotë Matoshi.

Ndryshimi i fletëvotimeve për pjesën veriore të Kosovës konsiderohet i papranueshëm edhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim. Shqipe Pantina nga ky koalicion që zakonisht merret me monitorimin nga afër të zgjedhjeve në Kosovë, konsideron se zgjedhjet duhet të mbahen në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, përfshirë edhe veriun.

“Zgjedhjet në Kosovë duhet të organizohen në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e aplikueshme dhe kjo nënkupton që zgjedhjet organizohen nga KQZ-ja si institucion i Republikës së Kosovës dhe ato duhet të përmbajnë të gjitha simbolet e Republikës së Kosovës. Po ashtu, edhe marrëveshjet, qoftë edhe kjo e fundit me Serbinë, duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës”, shprehet Pantina.

Bazuar në praktikën e deritashme të dialogut dhe kompromiseve që po arrihen në bisedimet Prishtinë – Beograd, të ndërmjetësuara nga Brukseli, Halil Matoshi nuk e përjashton edhe mundësinë që në emër të sigurimit të pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, Kosova të hiqte dorë nga simbolet në fletëvotime dhe vendvotimet që do të hapen në komunat veriore.

Halil Matoshi

Halil Matoshi

“Nëse Prishtina zyrtare e pranon këtë kompromis, sigurisht që pala tjetër, që do të thotë pala serbe në këtë rast, do të kërkojë edhe diçka shtesë që për Prishtinën do të ishte e papërballueshme. Kështu që unë mendoj që në këtë rast sa u përket fletëvotimeve unike për tërë territorin e Kosovës pala kosovare nuk guxon që të heqë dorë”, thekson Matoshi.

Në bazë të marrëveshjes Prishtinë – Beograd, zgjedhjet lokale në komunat veriore, do t’i lehtësojë misioni i OSBE-së. Andaj, Aleksandar Vulin, u ka thënë medieve serbe se “OSBE-ja duhet të jetë neutrale ndaj statusit, ose nuk do të ketë zgjedhje”.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 3 nëntor. Në bazë të marrëveshjes Prishtinë – Beograd, për herë të parë në këto zgjedhje është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e komunave veriore të banuara me shumicë serbe, të cilat ende nuk kanë pranuar të integrohen në sistemin legal kushtetues të Republikës së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG