Ndërlidhjet

Dymbëdhjetë vjet nga Marrëveshja e Ohrit


Pamje nga Ohri

Pamje nga Ohri

Qytetarët e Maqedonisë janë të mendimit se Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001, para dymbëdhjetë vjetësh, nuk i ka dhënë efektet e duhura sa i përket përmirësimit të statusit të shqiptarëve në vend.

Naim Demiri, tregtar, thotë se dokumenti kornizë i Ohrit nuk arrin të gjejë zbatim praktik:

“Mua s’ma merr mendja as 15 ose 20 për qind nuk ka arritur të realizohet. Kjo sepse nuk shoh kurrfarë përparësish që ka sjell kjo marrëveshje. Nuk shoh përmirësime as në punësime, as sa i përket avancimit të çështjeve politike, ku janë shqiptarët nuk është e ndërtuar asgjë, thjesht s`ma merr mendja se është realizuar diçka më shumë se 15 ose 20 për qind”.

Ndërsa, Veadin Imeri, pensionist thotë se jeta edhe më shumë i është rënduar, sepse mban dhe familjen e të birit, përderisa, siç shprehet ai, politika është e vetmja derë përmes së cilës mund të gjesh punë.

“Më punoi djali katër vjet në fondin e rrugëve, u ndërrua politika dhe i përzunë nga puna. Sot e atë ditë me tre fëmijë rri në shtëpi pa punë”, shprehet Imeri.

Ilmi Demiri, punëtor, thotë se problem edhe më tej mbetet niveli i ulët i punësimit të shqiptarëve në institucione:

“Po punësimi i shqiptarëve është shumë dobët, shumë rëndë është të arrish deri te një punë e shtetit”.

Përderisa Rahim Ganiu, publicist, thotë se Marrëveshja e Ohrit ishte ajo që ua hapi dyert shqiptarëve në disa institucione, të cilat ishin pothuajse të mbyllura hermetikisht.

“Falë Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët e Maqedonisë arritën të inkuadrohen në më shumë institucione shtetërore, ku më herët ata nuk ishin të përfshirë, në saje të këtij dokumenti u hapën një sërë perspektivash këtu në Maqedoni. Po sipas mendimit tim, shqiptarët tani në Maqedoni janë një subjekt mjaft i rëndësishëm në avancimin e procesit të integrimit të Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, vlerëson publicisti Rahim Ganiu.

Sipas tij, problem më vete paraqet përzgjedhja e kuadrove shqiptare në postet udhëheqëse në institucione dhe papërgjegjësia e një pjese të administratorëve për t’u dëshmuar në punë.

“Te disa kuadro shqiptare, ka një lloj përtacie duke mos u angazhuar aq sa duhet ose thjesht veprimet e tyre janë përqendruar në realizmin e interesave të ngushta partiake ose personale, e theksoj këtë si ‘plagë që kërkon shërim’, sepse tani varet nga vetë shqiptarët sa do të realizohen intencat e Marrëveshjes së Ohrit”, konsideron Ganiu.

Ndërkaq, Azam Dauti, botues, vlerëson se Marrëveshja e Ohrit nuk arrrin të frymojë me forcën që garantohet me Kushtetutë dhe ligjet, të cilat burojnë nga ajo si pasojë e politizimit të skajshëm të institucioneve.

“Marrëveshja e Ohrit, si dokument, ka pasur vlerë për të ndërprerë gjakderdhjen në Maqedoni në vitin 2001. Sa i përket ndarjes së hises së buxhetit, me theks të veçantë të kulturës, më duhet të theksoj se për fat të keq, nëpërkëmbet edhe më shumë kultura shqiptare”.

“Buxheti i kulturës që nga 2002 e këndej dhe veçanërisht periudha 2006 – 2013, është periudha kur janë harxhuar me qindra miliona euro për kulturën maqedonase, ndërsa përkujdesja për kulturën shqiptare mbetet minimale, pavarësisht se shqiptarët participojnë me 50 për qind në mbushjen e buxhetit”
, potencon Azam Dauti, botues.

Marrëveshja e Ohrit, e cila u arrit me ndërmjetësimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë nga Uashingtoni dhe Brukseli, kishte për synim dhënien fund një konflikti të armatosur dhe përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG