Ndërlidhjet

logo-print
Rastet kur mjekët gabojnë profesionalisht me pacientët, rrallë herë janë raportuar nga të dyja palët.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se deri më tani kanë munguar mekanizmat, që do të merreshin me këtë çështje.

Por, sipas Aganit, Oda e Profesionistëve Shëndetësorë, me funksionimin e tyre, do t’i kenë të gjitha kompetencat dhe autorizimet ligjore që të merren me vlerësimin dhe pasojat dhe ndërmarrjen e masave në rast të dështimeve profesionale.

“Çdo institucion shëndetësor e ka komisionin etik dhe profesional dhe ato komisione janë të ndërlidhura me bordet qendrore etike dhe profesionale në Ministrinë e Shëndetësisë dhe kjo strukturë organizative do të jetë pas konstituimit të Kuvendit të Odës mjekësore, pjesë e Odës së Mjekëve. Pra, nuk do t’i përgjigjen më ministrit të Shëndetësisë si deri tash, por do t’i përgjigjen kryetarit të Odës”.

“Gabimet profesionale dhe ankesat e qytetarëve do të jenë subjekt i raportimit në Odën e Mjekëve, por edhe mbikëqyrjes nga ana e Inspektoratit shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, që vazhdon ta kryejë punën e tij në pajtim me ligjin”
, thotë Agani.

Ndërkaq, Hysni Bajrami, kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, ka bërë të ditur se Odat e Profesionistëve Shëndetësorë i kanë të gjitha organet, duke filluar nga Gjykata e nderit, Prokurori i Odës, e që, sipas Bajramit, ka për obligim të bëjë denoncimet përmes anëtarëve të odës dhe të vlerësojë shkallën e përgjegjësisë të secilit mjek.

“Odat e mjekëve e kanë ehe një komponentë shumë të rëndësishme, si mbrojtja e vlerave etike profesionale. Promovimi i vlerave profesionale. Andaj, odat i kanë të gjitha organet duke filluar nga Gjykata e nderit, Prokurori i Odës që ka për obligim të bëjë denoncimet përmes anëtarëve të odës dhe të vlerësojë shkallën e përgjegjësisë të secilit mjek në rast të shkeljes së etikës profesionale, në rast të shkeljes së ligjit”.

“Në këtë kuptim janë parapa sanksione jashtëzakonisht të rëndësishme. Por, duhet të them nëse odat nuk arrijnë që aspektin e përgjegjësisë së anëtarëve të odës ta ngritë, atëherë nuk mund të flasim për oda të mirëfillta. Unë konsideroj që është një rast shumë i rëndësishëm që mjekët kosovarë t’i kthehen etikës profesionale dhe jam shumë optimist në këtë drejtim”,
shprehet Bajrami.

Ndryshe, verifikimi i gabimeve mjekësore të mëdha si pasojë e të cilave pacienti mund të ketë vdekur, është i vështirë pa autopsinë e trupit, thonë mjekët në QKUK. Deri më tani, në shumë raste familjarët nuk japin pëlqimin që trupi i pajetë t’i nënshtrohet autopsisë, pasi atyre t’u jetë konfirmuar vdekja.

E, Talat Gjinolli, neurokirurg, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se deri më tash raportimet e gabimeve mjekësore rrallëherë janë denoncuar, derisa shton se vetë mjekët gabimet e tyre duhet t’i shohin me sy kritik, në mënyrë që ato të zvogëlohen.

“Unë mendoj se tjetër zgjidhje nuk ka, përpos të raportohen përmes odave gabimet dhe sukseset. Ne vetë duhet gabimet tona t’i shikojmë në mënyrë kritike, sepse askund në botë nuk ka mjekësi ku punohet pa u gabuar. Sa më shumë kjo punë bëhet në mënyrë kritike, aq më shumë zvogëlohen gabimet”.

“Unë e di se kanë qenë disa mjekë në procedura penale, por që nuk kam informatë që është dënuar apo i është marrë licenca ndonjë mjeku. Një hendikep është edhe mosfunksionimi i odave ku këto problematika ishin trajtuar dhe kishte funksionuar edhe një komision për edukim të vazhdueshëm dhe ishte dashur të përcillen mjekët për edukim të vazhdueshëm, sepse nuk mundet për një periudhë më shumë se 5 vjeçare, mos të marrin asnjëherë pjesë në kongreset botërore dhe të grumbullojnë pikë në mënyrë që të rilicencohet”
, thekson Gjinolli.

Ai shtoi se pa u grumbulluar pikë të caktuara nga edukimi profesional nuk do të mund të rilicencoheshin mjekët. Kjo është një metodë e përcjelljes aktive e profesionistëve shëndetësorë, sepse, sipas Gjinollit, edukimi i vazhdueshëm lidhet ngushtë edhe me zvogëlimin e gabimeve eventuale profesionale.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG