Ndërlidhjet

logo-print

Drejt mbylljes së strukturave paralele në veri


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Pjesëmarrja e serbëve do t’u jepte kuptim zgjedhjeve të sivjetme lokale në Kosovë, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në emër të Qeverisë së tij, Thaçi është zotuar edhe njëherë se pala kosovare do t’i zbatojë obligimet e marra me marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Kryeministri kosovar ka ftuar edhe njëherë serbët e komunave veriore të dalin në zgjedhje, duke vlerësuar se ky është një proces i përbashkët dhe në interesin e të gjithëve në Kosovë. Thaçi ka thënë se po pret me padurim që në veri të formohet lidershipi legal dhe legjitim që do të dalë nga zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Pjesëmarrja sa më e madhe e serbëve në veri i jep një kuptim edhe më të fuqishëm gjithë këtij procesi dhe si kryeministër i vendit dhe si Qeveri e Kosovës, i sigurojmë dhe garantojmë edhe serbët në veri se do të jemi në shërbim të tyre, do të jemi në krye të përgjegjësive për të ndërtuar jetën e re, jetën e përbashkët në Kosovën si atdhe të përbashkët”, ka deklaruar Thaçi.

Për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, me marrëveshjen e 19 prillit ishte pajtuar edhe Beogradi.

Mirëpo, së fundi, autoritetet e atjeshme kanë parashtruar një kusht tjetër, sipas të cilit, për organizimin e këtij procesi elektoral, sidomos në komunat veriore, Kosova nuk duhet të përdorë simbolet e saj shtetërore, me çka e ka vënë sërish në pikëpyetje daljen e serbëve në votime.

Ndërkohë, koordinatorja e Qeverisë së Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se janë bërë disa përparime drejt zbatimit të marrëveshjes, por sipas saj, kanë mbetur edhe shumë veprime që duhet implementuar.

Edita Tahiri (në mes)

Edita Tahiri (në mes)

Tahiri ka deklaruar se po punohet në mbylljen e strukturave ilegale serbe në komunat veriore dhe më pas, në integrimin e tyre në organet e Kosovës. I gjithë ky proces, sipas saj, mund të përmbyllet deri më 30 shtator, nëse respektohen afatet.

“Në qoftë se procesi zhvillohet sipas dinamikave të parapara, marrëveshjeve dhe konkluzioneve të dakorduara, atëherë më 30 shtator shuhen të gjitha strukturat ilegale serbe të sigurisë që kanë vepruar që nga pas lufta në Kosovë, ndërkohë që do të ndodhë edhe integrimi i individëve që dëshirojnë të bëhen pjesë e policisë së Kosovës dhe strukturave tjera të sigurisë”, ka thënë Tahiri.

Përderisa zyrtarët e Qeverisë së Kosovës flasin për shuarjen dhe integrimin e strukturave paralele serbë në institucionet e shtetit, zyrtarët në Beograd, duke u thirrur në marrëveshjen e Brukselit, u premtojnë serbëve lokalë se kjo marrëveshje është neutrale në raport me statusin e Kosovës, andaj, sipas tyre, me zbatimin e saj serbët në veri nuk e pranojnë edhe shtetësinë dhe shtetin e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG