Ndërlidhjet

Egjipt: Qeveria i shkarkoi guvernatorët e emëruar nga Morsi


Policia përdorë gaz lotsjellës derisa mbështetësit e Morsit dhe kundërshtarët e tij përleshen në qendër të kryeqytetit Kajro
Policia përdorë gaz lotsjellës derisa mbështetësit e Morsit dhe kundërshtarët e tij përleshen në qendër të kryeqytetit Kajro
Qeveria e re e Egjiptit, e mbështetur nga ushtria, i ka emëruar së paku 18 guvernatorë të ri të provincave, derisa i shkarkon personat e emëruar nga presidenti i përmbysur islamist, Muhammad Morsi.

Emërimet e reja, gjysma e të cilëve janë gjeneralë të pensionuar, janë bërë në vend të zyrtarëve që kryesisht janë pjesëtarë të Vëllazërisë Myslimane të zotit Morsi.

Më herët gjatë ditës, policia në Egjipt ka përdorë gaz lotsjellës për t’i shpërndarë grupet, që janë përleshur në kryeqytetin Kajro.

Në përleshje kishin marrë pjesë lojalistët e presidentit të përmbysur, Muhammad Morsi, dhe mbështetësit e qeverisë së re të instaluar nga ushtria.

Mediat kanë raportuar se disa mijëra mbështetës të Morsit kishin marshuar kah ndërtesat e ministrive në pjesën qendrore të Kajros, kur banorët e kësaj hapësire filluan të brohorisin parulla kundër tyre dhe të gjuajnë me gurë dhe shishe.

Mbështetësit e Morsit u përgjigjën, poashtu, duke gjuajtur me gurë dhe ka pasur edhe përleshje.

Policia ka hedhur gaz lotsjellës për t’i ndalur konfrontimet.

Ushtria e Egjiptit e ka përmbysur presidentin Morsi më 3 Korrik, pas disa ditëve të protestave masive , në të cilat kërkohej dorëheqja e tij.

Mbështetësit e Morsit i kanë krijuar dy kampe protestuese në Kajro dhe kanë mbajtur pothuajse demonstrata ditore duke kërkuar kthimin e Morsit në presidencë.

Prej përmbysjes së tij, në përleshje janë vrarë së paku 250 njerëz.
XS
SM
MD
LG