Ndërlidhjet

logo-print

Pritet vendimi i serbëve të Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhje


Mitrovicë...

Mitrovicë...

Liderët serbë në pjesën veriore të Kosovës, pas takimit me udhëheqësit shtetërorë serbë në Beograd, deklaruan se në ditët në vijim do të vendoset për pjesëmarrjen e tyre në lidhje me zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 3 nëntor.

Vendimi do të merret pas konsultimeve me përfaqësues të serbëve që jetojnë në veri të lumit Ibër dhe atyre në Beograd.

Njëri nga udhëheqësit e serbëve të veriut të Mitrovicës, Millan Ivanoviq, tha se në Beograd është theksuar nevoja për një pikëpamje të përbashkët lidhur me zgjedhjet.

Nga ana tjetër, Rangjell Nojkiq, njëri nga përfaqësuesit e serbëve në Komunën e Graçanicës, tha se deklaratat e tilla tregojnë se diçka e rëndësishme po ndodh.

Ai shtoi se deri në javën e ardhshme do të merret vendimi, duke mbështetur idenë që në këto zgjedhje serbët në veri të dalin me një listë të përbashkët.

"Lidhur me çështjen e serbëve të veriut, mendoj se është mirë që po ndodh diçka. Megjithatë, ata po hyjnë në një rrezik nëse vendosin të dalin në zgjedhje, sepse tash ata duhet t’i bindin votuesit, në të kundërtën e asaj që kanë deklaruar deri tash".

"Kështu që, unë e përshëndes këtë qëndrim dhe nëse është i sinqertë nga ana e serbëve të veriut. Mendoj se është mirë për serbët që të ketë një listë unike, e cila do të jetë edhe fillimi i veprimeve të përbashkëta në zgjidhjen e problemeve të serbëve në gjithë Kosovën”,
u shpreh Nojkiq.

Kurse, ish-sekretari shtetëror për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, tha se pajtohet që në këtë drejtim duhet të ketë një qasje të përbashkët për problemin e serbëve, ne kuptimin e asaj që të gjithë ta pranojnë qëndrimin e Qeverisë dhe të angazhohen për një listë me njerëzit më me kredibilitet.

Serbëve të veriut, një ditë më parë, u është thënë që mos të presin inkurajim për të bojkotuar eventualisht procesin e zgjedhjeve, por që Qeveria në Serbi do të qëndrojë me popullin e saj në Kosovë, pa marrë parasysh se çfarë vendimi merret.

Lidhur me këtë, Ivanoviq thekson se Beogradi nuk e ka dërguar mesazhin e qartë të popullata serbe në Kosovë për dalje në zgjedhje.

"Me keqardhje dua ta konstatoj që Serbia sistematikisht e ka pamundësuar formimin e një elite autoktone dhe autonome politike serbe në Kosovë. Ky fakt është i pakundërshtueshëm. Për këtë arsye serbët e Kosovës nuk janë në gjendje që vetë të marrin vendime të rëndësishme. Domethënë, nuk është mirë, nuk është fer dhe nuk është korrekte të nxiten të marrin vendime tërësisht në mënyrë të pavarur, në një kohë kur paraprakisht askush nuk i ka aftësuar, në fakt i kanë pa-aftësuar të mendojnë në mënyrë të pavarur”, tha Ivanoviq.

Ndërkohë, serbët që janë pjesë e Qeverisë së Kosovës që nga fillimi kanë kundërshtuar Listën e përbashkët. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, tha se është e rëndësishme që të ketë sa më shumë faktorë politikë për zgjedhjet e ardhshme.

“Është e sigurt që paralajmërimi i të ashtuquajturës Listë ndoshta nuk është kundër demokracisë, por është në kundërshtim më arsyen e shëndoshë, sepse kjo nuk është çështje e referendumit – këto janë zgjedhje lokale të cilat merren me çështje lokale”, theksoi Petroviq.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG