Ndërlidhjet

The Times: Dalja nga recesioni


Ilustrim
Ilustrim
Eurozona më në fund ka dalë prej recesionit. Kjo, megjithatë nuk është fundi i krizës, apo së paku ende jo, shkruan “The Times” në numrin e saj të datës 15 gusht.

Sipas gazetës, fundi i krizës kërkon trajtimin e dobësive strukturore të monedhës së Bashkimit Evropian, e cila është krijuar gabim që në fillim.

Zbutja e kësaj krize do të jetë së paku më e lehtë nëse ekonomia evropiane kolektivisht vazhdon të zgjerohet, ashtu siç po ndodh tani, në vend se të tkurret. Është tejet e rëndësishme edhe për perspektivat ekonomike të Britanisë njëjtë siç për eurozonën që kjo të bëhet.

Të dhënat e publikuara sipas të përditshmes britanike, tregojnë se grupi prej 17 ekonomive kombëtare që e përdorin euron, kanë pasur rritje prej 0.3 për qind në tremujorin e dytë. Në çdo prej gjashtë tremujorëve të fundit, ekonomia e eurozonës është tkurrur.

Fundi i një recesioni të hidhur është lajm i mirë për amvisëritë dhe bizneset në eurozonë. Ky është, gjithashtu, një lajm i mirë për Britaninë, pasi ekonomitë e eurozonës janë partnerët kryesorë për tregti të këtij shteti.

Nëse ekonomia britanike pret të zgjerohet në mënyrë të qëndrueshme, përmirësimi duhet të arrihet tek investimet dhe rrjetet e eksporteve se sa një konsum i mbushur me borxhe. Kjo, sipas gazetës "The Times", kërkon një rimëkëmbje të tregut në BE. Shtatë prej dhjetë destinacioneve kryesore për eksportet britanike janë shtetet e BE-së.

Sidoqoftë, siç shkruan gazeta, rritja e një tremujori është thjesht një fazë preliminare në trajtimin e dobësisë strukturore të eurozonës. Çekuilibrimi mes shteteve të zonës është shumë i madh.

Kjo mungesë balance është një rrezik për stabilitetin politik, si dhe për përmirësimin e ekonomisë. Pabarazia e gjerë në normat e rritjes në mes të ekonomive individuale të eurozonës, thekson këmbënguljen e tyre.

Gjermania, ekonomia më e madhe e eurozonës, është rritur për 0.07 për qind dhe Franca ka pasur rritje prej 0.5 për qind; Italia e Spanja mbesin në recension, shkruan "The Times".

Struktura e rritjes në eurozonë nuk përputhet shumë me dallimin e ngurtë në mes të përmirësimit në Evropën Veriore dhe tkurrjet e vazhdueshme në ekonomitë e zhytura në borxhe të Evropës Jugore. Ekonomia e Holandës ka pësuar rënie derisa ajo e Portugalisë është rritur për 1 për qind. Megjithëkëtë, ka një linjë të gabuar në eurozonë, shkruan "The Times".

Monedha e Bashkimit Evropian është dashur të krijojë përparim dhe stabilitet. Në vend të kësaj, ka krijuar shmangie dhe mosmarrëveshje. Ekonomitë e Evropës Jugore me probleme historike të inflacionit të madh dhe rritje të dobët kanë qenë të lidhura fort së bashku me ekonominë (në veçanti me Gjermaninë) që historikisht kanë financa të fuqishme publike dhe besueshmëri në inflacion.

"The Times" vazhdon më tej duke vlerësuar se monedha e BE-së e ka bërë të pamundshme për ekonomitë me kosto të lartë që të arrijnë konkurrencë përmes zhvlerësimit. Sidoqoftë, arkitekturës së eurozonës i ka munguar mekanizmi për transfere fiskale në kufijtë kombëtarë për t'u marrë me goditjet ekonomike.

Eurozona është duke e paguar një çmim të lartë, sipas "The Times", për këto dështime të një skeme që është nxitur nga racionaliteti ekonomik.

Kriza nuk e ka një rrënjë të përbashkët, për ato që janë ekonomi të dobëta, të gjitha kanë një përzierja të problemeve të ndryshme. Greqia, për shembull, ka pasur financa publike në kaos, derisa Italia ka pasur probleme afatgjata të rritjes së dobët.

Kriza, megjithatë, e ka pasur një rezultat të përbashkët për periferinë e eurozonës: humbjen e besimit në tregun financiar në aftësinë paguese të këtyre shteteve.

Duke mos e pasur një mekanizëm të zhvlerësimit, eurozona mund të rimëkëmbet duke e çuar para një mekanizëm të centralizuar fiskal, shkruan "The Times".

Ekonomitë e tyre të zhytura në borxhe ka nevojë që të rrisin efikasitetin, të liberalizojnë tregun e punës dhe të shkurtojnë shpenzimet.

Ky kurs do të jetë i vështirë, por, gjithmonë sipas "The Times", duke e huazuar thënien, kjo nuk ka alternativë.

Përgatiti: Artan Haraçia
XS
SM
MD
LG