Ndërlidhjet

Dalja e eurozonës nga recesioni - lajm i mirë për Kosovën


Ilustrim
Ilustrim
Fundi i recesionit në zonën e euros do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes ekonomike edhe në Kosovë, por jo në masë të madhe, konsiderojnë ekspertë për çështje ekonomike.

Sipas tyre, rritja e ekonomike në 17 vendet e shteteve të Bashkimit Evropian,mund të ndikojë në rritjen e investimeve të huaja dhe dërgesave nga emigrantët që jetojnë në këto shtete.

Alban Hashani, nga Instituti “Riinvest” thekson se ndryshimet ekonomike në eurozonë, ndihen në mënyrë indirekte, për shkak të nivelit të ulët të integrimit të ekonomisë vendore në ekonominë evropiane, por edhe globale.

“Kryesisht, efektet e eurozonës në Kosovë kanë qenë në mënyrë indirekte përmes kanaleve të remitencave, pra në ata sektorë ose në ato shtete ku diaspora jonë është e përqendruar, ka pasur ulje të remitencave".

"Unë mendoi se një kthim i indikatorëve pozitivë në nivel të eurozonës, do të ndikojë prapë se prapë në mënyrë indirekte në Kosovë. Pra, efekti nuk do të jetë shumë i madh në mënyrë direkte, për arsye të integrimit të ulët të ekonomisë së Kosovës në ekonominë evropiane”, konsideron Hashani.

Ditë më parë, zyra e statistikave e Bashkimit Evropian “ Eurostat” ka publikuar njoftimin se të dhënat e përbashkëta të bllokut prej 17 shteteve, që përdorin euron, kanë pasur rritje prej 0.3 për qind në çerekun e dytë të vitit 2013.

Sipas një raporti të Bankës Botërore të publikuar gjatë këtij viti, thuhet se ndikimin më të madh në recesionin e vendeve të Ballkanit Perëndimor është duke e shkaktuar recesioni në vendet e eurozonës, për shkak të lidhshmërisë së tregjeve të këtyre vendeve, duke përfshirë edhe Kosovën, thotë Agron Demi, udhëheqës i Institutit për Studime të Avancuara “GAP”.

Sipas tij, mbi 55 për qind e tregtisë së Ballkanit Perëndimor bëhet me vendet e eurozonës dhe kjo ka ndikim direkt edhe në zhvillimin e vendeve si Kosova.

Kështu që, dalja e eurozonës nga recesioni, do të ketë ndikim pozitiv, thotë Demi, duke shtuar se në radhë të parë mund të ketë rritje simbolike të investimeve të huaja.

“Për së paku pesë vitet e fundit, investimet e huaja kanë shënuar rënie dhe arsye kryesore ka qenë se vendet e eurozonës kanë qenë në recesion. Arsye tjetër është se ne për çdo vit marrim afër gjysmë miliardi euro të hyra nga diaspora, të cilët janë të punësuar kryesisht në vendet e eurozonës. Arsye tjetër është se çdo forcim i këtyre vendeve, do të ndikojë në punësimin, rrjedhimisht në rritjen e remitencave që ata dërgojnë në Kosovë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Agron Demi.

Arsye e ndikimeve pozitive në Kosovë nga fundi i recesionit të eurozonës, sipas Demit, është se Kosova përdor monedhën euro dhe forcimi i saj, do të ndikojë pozitivisht edhe te bizneset:

“Arsye e tretë është se Kosova përdor euron dhe çdo forcim i monedhës euro karshi monedhave tjera do të ndikojë edhe në fuqinë blerëse të kosovarët, sidomos atyre bizneseve, të cilat nuk janë duke përdorur euron dhe ku monedha euro është në epërsi ndaj monedhave tjera".
...gjithsesi është një lajm i mirë edhe për Kosovën dalja nga recesioni i vendeve të eurozonës

"Këto tri arsye janë të mjaftueshme që në Kosovë të ketë një impakt pozitiv dhe gjithsesi është një lajm i mirë edhe për Kosovën dalja nga recesioni i vendeve të eurozonës”.

Sidoqoftë, eurozona ka dalë nga recesioni 18 muajsh, është rënia ekonomike më e gjatë që prej prezantimit të euros në vitin 1999. Rritja pozitive është nxitur më së shumti nga dy ekonomitë më të fuqishme të eurozonës, Gjermanisë dhe Francës.

Produkti i brendshëm bruto i Gjermanisë është rritur për 0.7 për qind, derisa GDP-ja e Francës është rritur për 0.5 për qind.

Megjithatë, Komisioni Evropian ka paralajmëruar se reformat e vështira ekonomike duhet të jenë të vazhdueshme për të ruajtur zgjerimin e ekonomisë së eurozonës.
XS
SM
MD
LG