Ndërlidhjet

Çfarë uji pimë?


Anëtaret e grupit "Haveit" duke performuar në fontanat në sheshin e Prishtinës shenjë proteste për reduktimet e ujit.

Anëtaret e grupit "Haveit" duke performuar në fontanat në sheshin e Prishtinës shenjë proteste për reduktimet e ujit.

Kosova edhe 14 vjet pas luftës nuk ka arritur që qytetarët t’i furnizojë me ujë të pijshëm 24 orë. Por, sa ndikojnë reduktimet e ujit në cilësinë e ujit të pijes?

Zyrtarë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik thonë se analizat e ujit bëhen në baza ditore dhe cilësia e ujit të pijes është brenda standardeve. Burbuqe Nushi, zyrtare në IKSHP, shpjegon:

"Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është përgjegjës për monitorimin e kualitetit të ujit. Nga analizat e këtij muaji dhe të muajit të kaluar, që janë bërë nga Instituti, del uji është brenda standardeve të parapara. Nuk ka ndonjë pikë alarmante. Analizat janë në kontinuitet dhe brenda standardeve të parapara".

Ndryshe, oraret e reduktimeve të ujit në kryeqytet gjatë sezonit të verës, janë mjaft të ashpra.

Sipas zëdhënëses së Ujësjellësit Rajonal "Prishtina", Arjeta Mjeku, ata që furnizohen nga Liqeni i Batllavës, kanë reduktime nga ora 22 deri në orën 5 në mëngjes, derisa ata që furnizohen nga Liqeni i Badovcit kanë reduktime nga ora 10 deri 16 dhe nga 23 deri në orën 5 mëngjes.

Por, Qaush Bajrushi, ish-drejtor i Ujësjellësit Rajonal " Prishtina" në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë thotë se reduktimet e ujit, ndikojnë negativisht në cilësinë e ujit të pijes.

"Reduktimet e ujit dhe mungesa e furnizimit të qytetarëve me ujë 24 orë, ndikon negativisht. Në ndërprerjen prej 10 orësh, tubacionet e ujit janë të zbrazëta dhe depërton ajri, dhe mund të vijë deri tek infektimi i tubacioneve në pjesët e brendshme dhe është situatë mjaft e rëndë".

"Deri sa të mos zgjidhet kjo, pra furnizimi me ujë 24 orë, do të jetë ky problem. Është një thënie e OBSH-së, se 'shteti që siguron 24 ujë të pijes për qytetarët, ka siguruar 50 për qind të shëndetin publik'. Mossigurimi i ujit në sasi të mjaftueshme sjell deri te sëmundjet e ndryshme, për shkak të kualitetit jo të mirë të ujit"
, vlerëson Bajrushi për Radion Evropa e Lirë.

E, Arjeta Mjeku nga Ujësjellësi Rajonal "Prishtina", thotë se brenda këtij institucioni bëhen analizat ditore të ujit, e që, sipas saj, në vend, edhe pse ka reduktime të ujit, ajo nuk ndikon në cilësinë e ujit të pijes.

"Ne, si kompani, i bëjmë analizat e ujit në laboratorin tonë. Përgjegjësi e ujësjellësit është gjithçka që ndodh nga fabrika ku përpunohet uji, nëpër gypa apo rrjetet shpërndarëse si dhe deri tek ujëmatësi i konsumatorit. Çdo gjë që ndodh aty ku gypat vendosen privatisht, ne nuk mbajmë përgjegjësi".

"Mostrat e ujit i marrim çdo ditë në 18 pika në rrjetin e qytetit në monitoringun e shpejtë dhe bazik dhe ato analiza janë brenda standardeve dhe uji është i përshtatshëm për pije
", deklaron Mjeku për Radion Evropa e Lirë.

Ndërsa, zyrtarë në Ministrinë e Ambientit bëjnë të ditur se tash për tash, Kosova ka rezerva të kufizuara ujore.

Por, sipas tyre, që nga viti i ardhshëm, qytetarët nuk do të kenë problem me furnizim me ujë të pijshëm, meqë Qeveria e Kosovës, e posaçërisht Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me donatorët, është zotuar disa herë se do ta ketë prioritet këtë çështje dhe në të ardhmen të fokusohet më shumë në shfrytëzimin e ujit të pijshëm.

Ndryshe, në Kosovë 30 për qind e popullatës nuk janë të kyçur në sistemin ujësjellës. Kjo, bën që rreth 50 për qind e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, ta kenë burimin nga cilësia e dobët e ujit.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG