Ndërlidhjet

Rinis dhuna në Egjipt, dhjetëra njerëz humbin jetën


Zjarre dhe shkatërrim pas përleshjeve në Kajro
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:04 0:00

Zjarre dhe shkatërrim pas përleshjeve në Kajro

Së paku 50 persona janë raportuar të vrarë në Egjipt, derisa dhjetëra-mijëra mbështetës të presidentit të rrëzuar, Muhammad Morsi, kanë protestuar në Kajro dhe qytete të tjera.

Raportet flasin për përleshje midis forcave të sigurisë dhe protestuesve në disa zona.

Vëllazëria Myslimane, udhëheqës i së cilës është Morsi, ka thirrur “të premten e zemërimit” për të protestuar vrasjen e qindra islamistëve nga goditja e policisë, të mërkurën.

Autoritetet e përkohshme të Egjiptit kanë ngritur numrin e të vdekurve këtë ditë në më shumë se 620. Vëllazëria Myslimane, në anën tjetër, thotë se bëhet fjalë për më shumë se 2,000 të vrarë.

Autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme mbarëkombëtare dhe Ministria e Brendshme ka paralajmëruar se policia do të përdorë municionin e vërtetë nëse sulmohen ndërtesat e qeverisë.

Policia, e mbështetur nga automjete të blinduara ushtarake, është vendosur të premten në udhëkryqet kryesore të Kajros.

Mbështetësit e Morsit kërkojnë rikthimin e presidentit islamik, i cili është përmbysur dhe arrestuar nga ushtria më 3 korrik.

Ata akuzojnë ushtrinë për shkatërrim të demokracisë me largimin e Morsit, presidentit të parë të zgjedhur të Egjiptit.

“Shefi i ushtrisë, Abdel Fattah Sisi, thotë se do që të zbatojë demokracinë në Egjipt, por ai e ka shkatërruar atë. Ne kemi votuar dhe kanë fituar njerëzit islamikë. Përse i ka shkatërruar? Ku është demokracia? Ku është zëri ynë? Mbi të gjitha, ai ka vrarë të gjithë ata që janë kundër tij”, ka thënë një protestues me emrin Muhammad Ramadan.

Ushtria ka rrëzuar Morsin pas protestave masive për dorëheqjen e tij.

Shqetësimet ndërkombëtare për dhunën e vazhdueshme në Egjipt janë rritur ndjeshëm.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për “përmbajtje” dhe “pajtim kombëtar”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka anuluar stërvitjet e planifikuara ushtarake me Kajron, të parapara për muajin e ardhshëm.

Franca dhe Gjermania, të premten, kanë bërë thirrje për takim të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, për të diskutuar bashkëpunimin e bllokut me Egjiptin.

Qeveria me rrënjë islamike e Turqisë ka dënuar ashpër goditjen policore ndaj mbështetësve të Morsit.

Presidenca e përkohshme e Egjiptit ka hedhur poshtë kritikat ndërkombëtare, duke thënë se ato nuk bazohen në fakte dhe mund të inkurajojnë aktivitete të grupeve të dhunshme.

E mërkura është vlerësuar të ketë qenë dita më e përgjakshme në Egjipt që nga revolucioni i vitit 2011. Revolta popullore e dy vjetëve më parë ka çuar në rrëzimin e presidentit Hosni Mubarak, i cili ka sunduar Egjiptin për 29 vjet.(v.tela)
XS
SM
MD
LG