Ndërlidhjet

Mungesa e debatit kërcënon demokracinë në Maqedoni


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Regjisori maqedonas, Sllobodan Unkovski, ish-ministër i Kulturës, thotë se në Maqedoni nuk debatohet për asgjë që është me interes jetik për shtetin dhe kombin për të ardhur më pas te mendim i pjekur politikisht, i dakorduar pas një debati përmbajtjesor e të përgjegjshëm në të gjitha nivelet.

“Ne nuk jemi ulur për të debatuar seriozisht rreth temave, kush jemi në të vërtetë , çka jemi maqedonas, antik ose maqedonas slloven, madje nuk është kjo e rëndësishme, por ne nuk dimë çka dëshirojmë si Maqedoni, cili është qëllimi ynë, cila është agjenda jonë ose perspektiva jonë si shtet, pra çka dëshiron Maqedonia”, thotë Unkovski.

Ai shton se pushteti aktual, duke heshtur “debatet produktive”, pothuajse në të gjitha shtëpitë informative, me lehtësi arrin të shmangë respektimin e procedurave demokratike, madje nuk respekton asnjë normë kushtetuese e ligjore në institucionet shtetërore.

Sipas Unkovskit, intelektualët heshtin, jo aq nga frika, sa për faktin që mos i humbin privilegjet që u ka ofruar pushteti në forma të ndryshme.

“Nuk mund të them sa intelektualët heshtin dhe cila është ajo forcë intelektuale që ne e posedojmë si shtet. Personalisht, mendoj se intelektualët kryesisht heshtin jo se kanë frikë, por për faktin se heshtja e tyre konvertohet në të mira materiale, edhe atë jo vetëm gjatë kësaj përbërjeje qeveritare, por edhe gjatë qeverisë së kaluar edhe para asaj. Thjesht, ka gabim në mentalitetin që është instaluar në shoqëri. Bëhet fjalë për diçka që duhet të mësojmë që ta artikulojmë si qëndrim ndaj ndodhive të caktuara”, thekson Unkovski.

Nga ana tjetër, Vesel Memedi, profesor universitar thotë se mungesa e debatit përmban një rrezik edhe më të madh që kërcënon dhe sundimin e shtetit ligjor duke e orientuar tërë forcën e pushtetit në shërbim të vetvetes dhe në dëm të interesave të qytetarëve.

“Ajo që ka bërë të kemi mungesë të masës kritike, ka të bëjë me konformitetin. Konformiteti është aq i madh në jetën e përditshme, në shoqëri që të mund të marrin guximin për të dalë disa persona ose një grup më i madh që t`u kundërvihen këtyre, thënë kushtimisht, 'normave' që janë krijuar nga ana e shkencës, politikës dhe sferave të tjera të jetës. Thjesht, kemi mungesë të madhe të disidentëve nëse mund të shprehem kështu, edhe atë jo vetëm në politikë, por edhe ekspertëve në lëmin e shkencave natyrore dhe ata shoqërore, kulturë, art e gjetiu”, thekson sociologu Memedi.

Sipas tij, promotorë të zhvillimeve, historikisht, kanë qenë universitetet, kolegjet dhe shkollat në përgjithësi, por kjo fatkeqësisht nuk ndodh edhe institucionet arsimore janë të heshtura.

“Mendoj se duhet punuar edhe në shkollat fillore, edhe ato të mesme dhe të mos flasim për universitete, që të shmanget ky konformitet. Thjesht, ekziston një konformitet i madh në këto institucione publike dhe duhet që universitetet të jenë ato që do të iniciojnë debate dhe të rrisin masën kritike”, konsideron Memedi, duke theksuar se Maqedonia ka humbur shansin që përmes OJQ-ve të krijojë opinion publik për çështje të caktuara, si pasojë e asaj se një pjesë e drejtuesve të sektorit civil kaluan në politike, përderisa pjesa tjetër është e varur financiarisht nga buxheti i shtetit.
XS
SM
MD
LG