Ndërlidhjet

Të rinjtë nga diaspora, në Kosovë vetëm për pushime


Ilustrim
Ilustrim

Të rinjtë, të cilët jetojnë në shtete e ndryshme evropiane, për rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë thonë se gjeneratave të reja në Kosovë, po iu mungojnë shumë gjëra, ndër to puna dhe një sistem i më i mirë i arsimimit.

Ata konsiderojnë së institucionet e vendit duhet t’u japin sa më shumë hapësirë gjeneratave të reja, të cilat arrijnë me sukses të përfundojnë studimet, si në vend, ashtu dhe ata që kryejnë studimet në vendet evropiane, e me gjerë.

Xhevrie Haxhimyftiu, e cila ka ardhur nga Gjermania për pushime, thotë se për gjeneratat e reja në Kosovë, nuk po ka stimulime në asnjë drejtim.

“Perspektiva e të rinjve në Kosovës duhet të jetë prioritet. Në shtete evropiane të rinjtë kanë mundësi më të mëdha duke ofruar bursa, kurse këtu në Kosovë ka bursa, por nuk ka stimulime”, thotë Xhevria.

Kurse, Blerim Ulaj, i cili jeton po ashtu në Gjermani, thotë se në Kosovë po ndodhin ndryshime, por aktivitetet për të rinjtë po mungojnë.

“Unë jetoj në Gjermani dhe sa herë që vij në Kosovë shoh ndryshime. Është zhvilluar infrastruktura, por sa i takon çështjes së të rinjve, ndryshimet janë të pakta”, shprehet Blerimi.

Mirëpo, Kadri Gashi nga Prishtina konsideron se si për të rinjtë që jetojnë jashtë vendit, ashtu edhe ata brenda vendit, ka mundësi të ndryshme si për punë, ashtu edhe shkollim. Por, siç shprehet ai, ata duhet të kenë interes.

“Mundësitë i kanë shumë më shumë se ne dikur, si për shkollim, sipër gjëra të tjera. Unë mendoj se edhe shteti duhet të kujdeset me shumë për gjeneratat e reja me qëllim që ato të mos pësojnë ndonjë degjenerim”, thekson Kadriu.

Edhe Doruntina Fejzullahu nga Holanda, konsideron se ekzistojnë mundësi për të rinjtë në Kosovë, duke shtuar se në secilin aspekt ka nevojë për përmirësime.

“Një herë kam shkuar në një shkollë me një të afërme timen dhe kam vërejtur se në orë të mësimit nuk ka rregull, nuk ka qetësi. Nxënësit më shumë flisnin e bënin zhurmë në orë të mësimit, se sa në pushime mes orëve. Bënin zhurmë sikur të ishin në një kafeteri. Kjo nuk është në rregull”, tregon përvojën e saj Doruntina.

Ndryshe mendon Valentina Berisha. Sipas saj, në përgjithësi në gjithë Kosovën ka mungesë të vendeve ku të rinjtë mund të zhvillojnë aktivitete:

“Ka mungesë të vendeve ku mund të relaksohen. Mungojnë qendrat rinore dhe kjo nuk është gjë e mirë”.

Ismet Hasanaj, i cili jeton në Gjermani thotë se nuk mund të flasë shumë për Kosovë, por ajo që ka vërejtur për një kohë të shkurtër janë ndryshimet.

“Të rinjtë në Kosovë kanë nevojë për dikë që mund t’ju tregojë rrugën. Po i shoh disa ide të të rinjve që janë shumë të mira dhe po e vërej dallimin nga më herët. Mendoj se janë duke përparuar deri diku po ende ka nevojë për punë”, thotë Hasanaj.

Kurse, Valentina Ramadani, e cila jeton në Turqi, shprehet:

“Unë jetoj në Turqi dhe sa i takon rinis në Kosovë dhe aktiviteteve të tyre, mendoj se nuk ka shumë. Ata tash për tash me sa po shoh unë, mund t’i gjesh në kafeteri dhe diskoteka tjetër jo”.

Në muajt e verës, Kosova vizitohet nga një numër i madh i mërgimtarëve.

Në mesin e mërgimtarëve ka shumë të rinj, të cilët thonë se Kosova u pëlqen për pushime, por kur pyeten se a duan të kthehen për të jetuar përherë, ata prerazi përgjigjen me “JO”.

Të rinjtë në të shumtën e rasteve kohën e lirë e kalojnë në kafeteri. Këtë e bëjnë, siç thonë atë, për shkak të mungesës së alternativave, por edhe pse mungon iniciativa e të rinjve për t’u marrë me ndonjë aktivitet tjetër.
XS
SM
MD
LG