Ndërlidhjet

KQZ-ja (s’)është nën presion për simbolet


Fotografi nga arkivi

Fotografi nga arkivi

Çështja e simboleve në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, ka krijuar plasaritjet e para përbrenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Njëri nga anëtarët e këtij Komisioni, Fadil Maloku nga Aleanca Kosova e Re, thotë se presioni mbi të, që të pajtohet me heqjen e simboleve të shtetit nga fletëvotimet, po i kushtojnë atij me largimin nga KQZ-ja.

Kjo kërkesë Qeverisë së Kosovës i është parashtruar nga Beogradi si kusht për daljen e serbëve veriorë në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Por, partia që e ka deleguar atë, AKR-ja, si dhe Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thonë se nuk janë duke ushtruar kurrfarë presioni mbi Malokun.

Sidoqoftë, Maloku thotë se presionet atij i vijnë si nga vija e partisë, ashtu edhe nga KQZ-ja.

“Ka presione, por e kam thënë edhe më herët se nuk do të bie pre e këtyre presioneve dhe politikës, ngaqë e konsideroj se KQZ-ja është institucion i pavarur, ashtu është përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës dhe ashtu do të mbetet”, ka deklaruar Maloku.

Përmes një komunikate, AKR u është drejtuar medieve duke potencuar se nuk ka bërë asnjë presion ndaj Malokut dhe ka paralajmëruar shkarkimin e tij nga KQZ-ja.

Kurse, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e ka mohuar se i ka bërë ndonjëherë ndonjë lloj presioni Malokut apo cilitdo anëtar të këtij organi. Aq më pak në lidhje me çështjet e simboleve apo logos shtetërore te materiali zgjedhor.

“Nuk e kam diskutuar me asnjë anëtar çështjen e logos, e aq më pak që kam bërë presion mbi ndonjë anëtar të KQZ-së. Pra, e them me përgjegjësi të plotë që asnjëherë as nuk është diskutuar kjo çështje, e aq më pak që kemi diskutuar këtë me Fadil Malokun”, ka deklaruar Daka.

Një anëtar tjetër i KQZ-së, që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi, thotë se mbi të askush nuk ka ushtruar deri më sot ndonjë presion lidhur me çështjen e heqjes së simboleve nga fletëvotimet.

“Asnjë lloj presioni, asnjë kërkesë dhe biseda rreth kësaj çështjeje nuk kam pasur deri në këtë moment”, ka thënë Dushi.

Kërkesa për heqjen e simboleve shtetërore të Kosovës nga fletëvotimet dhe materialet tjera zgjedhore, është parashtruar nga Serbia dhe lidhet me zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit të arritur në dialogun Prishtinë – Beograd, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zyrtarët nga qeveria serbe kanë parashtruar këtë kërkesë si kusht për daljen e serbëve verior në zgjedhjet e 3 nëntorit. Sipas tyre, logot dhe simbolet e shtetit të Kosovës nuk mund të jenë në materialet zgjedhore, pasi që Marrëveshja e Brukselit është neutrale në raport me statusin e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG