Ndërlidhjet

Maqedonia rishikon buxhetin në shtator?


Ilustrim
Ilustrim
Opozita Maqedonase dhe ekspertët e ekonomisë theksojnë se Maqedonisë i duhet sa më parë rishikimi i buxhetit, ngase Qeveria tashmë ka shpenzuar 78 për qind të minusit për tërë vitin.

Deficiti buxhetor vetëm për gjysmën e parë të vitit ka tejkaluar 225 milionë euro, kurse për tërë vitin 2013 është planifikuar deficit prej 288 milionë eurosh.

Partia më e madhe maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, kërkon që qeveria, deri në fillim të shtatorit, të bëjë rishikimin e buxhetit, ngase mund të jetë shumë vonë për intervenim nëse tejkalohet shkalla e moslikuiditetit të buxhetit, drejt së cilës po shkon ekonomia e vendit.

"Po deklarimet e fundit që vijnë nga dikasteri i financave dëshmojnë se Qeveria po tenton të krijojë hapësirë se pse duhet të ndryshojë mendimin dhe të shkojë në rishikimin e buxhetit, edhe pse mund të mos e bëjë këtë, por ajo që ka vënë si synim për ta realizuar dhe mundësitë financiare janë shumë larg njëra-tjetrës”, thotë Vanço Uzunov, nënkryetar i LSDM-së, duke komentuar deklaratën e ministrit të Financave, Zoran Stavreski se në shtator do të vendosë qeveria se do të ketë ose jo rishikim të buxhetit.

Nga ana tjetër, Visar Ademi, ekspert i ekonomisë, konsideron se me këtë trend siç po ecën ekonomia e vendit, shmangia e rishikimit të buxhetit apriori do të thotë dhe shkelje e Ligjit për hartimin e buxhetit shtetëror.

"Disa muaj më parë theksova se është e domosdoshme të rishikohet buxheti i shtetit, ngase kështu siç është planifikuar, dukej sikur qeveria bëhej gati për zgjedhje të parakohshme. Nëse qeveria nuk arrin t'i mbledhë të ardhurat e planifikuara dhe investimet e huaja shënojnë rënie gjithnjë e më shumë, njëkohësisht dhe eksporti vazhdon të ketë trend të zbritjes, atëherë kuptohet se rishikimi i buxhetit është i pashmangshëm”, vlerëson Ademi.

Në pyetjen se çka do të mund të shpëtonte për momentin një rishikim i buxhetit, ai shprehet skeptik për rezultate të dukshme pozitive.

“A mund të shpëtojë diçka ky rishikim i buxhetit? Them se jo, sepse nuk ka ndonjë ndryshim radikal në konceptin ekonomik dhe politik të shtetit. Akoma vazhdojnë konfliktet ndërpartiake; akoma kemi institucione të brishta, të cilat funksionojnë me kapacitetin e duhur ose funksionojnë në bazë të vendimeve partiake, andaj duke pasur parasysh gjithë këto, nuk besoj se do të ndodhë diçka në këtë periudhë, që ta ndryshojë mënyrën dhe filozofinë e qeverisjes në Maqedoni”, shprehet Ademi.

Ndryshe, ministri i Financave, Zoran Stavrevski, thotë se deri në fund të muajit, do të dihet nëse do të ketë apo jo rishikim të buxhetit për këtë vit, duke u përgjigjur në alarmin e ndezur disa muaj më parë nga ekspertët dhe opozita se arka shtetërore është e zbrazët.

"Do presim të shohim si do të kalojë muaji gusht dhe atëherë do të mësojmë se a do të kemi nevojë për ndonjë korrigjim. Por, me rëndësi është se në përgjithësi, realizimi i buxhetit dhe të ardhurat, janë në kuadër të asaj që është planifikuar”, deklaron Stavreski

Por, nënkryetari i LSDM-së, Vanço Uzunov, nga Lidhja Social Demokrate, thotë se është i pakuptimtë ky qëndrim i ministrit Stavreski, se duhet pritur rezultatet e gushtit përderisa pikërisht gjatë korrikut dhe gushtit, si pasojë e remitencave të mërgimtarëve arka shtetërore arrin të mbushet më së shumti, krahasuar me muajt e tjerë.

“Nuk është fjala aspak se cilat do të jenë rezultatet rreth mbushjes së arkës shtetërore gjatë muajit gusht, ngase rezultatet mund të jenë pozitive, meqë gjatë këtij muaji në Maqedoni hyjnë të ardhura të gatshme nga mërgimtarët, të cilët vijnë këtu dhe harxhojnë një pjesë të konsiderueshme të parave. Kjo, në një masë të caktuar, e gjallëron ekonominë e vendit gjatë periudhës së verës, por çështja qëndron në atë se si do të mbijetohet në shtator, tetor e nëntor kur minusi gjithnjë e më shumë rritet”, shprehet Uzunov.
XS
SM
MD
LG