Ndërlidhjet

Daçiq kërcënon liderët veriorë - në zgjedhje ose ndërroheni


Ivica Daçiq
Ivica Daçiq
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka kërcënuar liderët serb të komunave veriore të Kosovës me ndërrimin e tyre nëse vazhdojnë të kundërshtojnë politikat e Qeverisë serbe.

Daçiq ka kërcënuar liderët verior pas vendimit të këtyre të fundit për bojkotimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë të shpallura më 3 nëntor. Vendimi i tyre për bojkot paraqitet si sfidë serioze në zbatimin e Marrëveshjes Prishtinë – Beograd të arritur në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Daçiq ka folur me tone tejet të ashpra në raport me qëndrimet e këtyre përfaqësuesve duke thënë se ata nuk mund të udhëheqin politika që bien ndesh me interesin e Serbisë.

Askush nuk mund të udhëheqë funksione shtetërore në Serbi dhe të udhëheqë politikë që është në kundërshtim me interesat e shtetit të Serbisë. Kjo do të thotë që do të pasojnë ndryshime në funksionet shtetërore në Kosovë të atyre që udhëheqin politika në kundërshtim me interesat e shtetit të Serbisë”, është shprehur Daçiq.

Sipas tij, me zgjedhjet e 3 nëntorit serbët në Kosovë do t’i kenë të zgjedhurit e tyre legalë dhe legjitimë dhe të cilët do të jenë të pranueshëm edhe për bashkësinë ndërkombëtare dhe nuk do të jenë më si struktura paralele, të cilat nuk i njeh askush.

“Ne insistojmë që serbët të marrin pjesë në këto zgjedhje, sepse nga organet lokale do të formohet më pas edhe Bashkësia e Komunave Serbe që është në interesin e Serbisë dhe para së gjithash, të serbëve që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Daçiq.

Kryeministri serb edhe këtë herë ka preferuar që serbët e Kosovës në zgjedhjet e 3 nëntorit, të dalin me një listë unike.

Duke i komentuar zhvillimet rreth zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe pjesëmarrjes së serbëve nga komunat veriore, Nenad Gjurgjeviq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd nuk beson që procesi do të rrezikohet. Bojkoti, sipas tij, do të ketë pasoja negative më së shumti për vetë serbët e Kosovës.

Ai nuk beson që liderët veriorë, pavarësisht mbështetjes politike që kanë nga popullata lokale do të mund të sfidojnë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.

“Nëse Beogradi përcaktohet që të mbështet listën unike dhe të mbështesë fushatën e saj kjo do të ishte përgjigja edhe për zbatimin e marrëveshjes”, ka thënë Gjurgjeviq.

Sipas tij nëse serbët e Kosovës e lëshojnë këtë rast, atëherë ata do të humbin mbështetjen si nga Beogradi, Prishtina ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Në funksion të bindjes së serbëve nga veriu për pjesëmarrje në procesin elektoral në Kosovë, të martën në Beograd pritet që presidenti serb Tomisllav Nikolliq t’i takojë sërish përfaqësuesit e këtij komuniteti.

Ndërkaq në fund të muajit, pritet që në Bruksel të mbahet një nga takimet vendimtare në nivel të kryeministrave midis Prishtinës dhe Beogradit në lidhje me pjesëmarrjen e komunitetit serb nga komunat veriore në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Dështimi eventual që të sigurohet një pjesëmarrje minimale e këtij komuniteti në këto zgjedhje do të vlerësohej më pas nga Brukseli edhe si dështim i zbatimit të Marrëveshjes së 19 prillit, me çka Serbia do të rrezikonte seriozisht marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG