Ndërlidhjet

Koncepti për tërheqjen e investimeve, i vjetruar


Ilustrim

Ilustrim

Autoritetet kompetente duhet ta ndryshojnë konceptin për tërheqjen e investimeve ndërkombëtare, konsiderojnë ekspertë për çështje ekonomike.

Sipas tyre, ekzekutivi duhet të krijojë ambient, i cili u siguron fitime investuesve potencialë, sepse qasja e krijimit të mjedisit të përshtatshëm për ta, nuk ka sjellë rezultate.

Profesori në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, vlerëson se qasja e krijimit të hapësirës për investuesit e huaj, duhet të kalojë në një shkallë më të lartë, sepse, sipas tij, çdo investitor shtrirjen e kapitalit në cilindo vend e fillon nga principi i thjeshtë ekonomik - fitimi.

“Terapia më e rëndësishme për Kosovën, do të ishte, jo krijimi i ambientit të përshtatshëm për investime, por krijim i ambientit, i cili u garanton fitim investitorëve. Këtu duhet të ndërrohet qasja, ne kemi ende atë qasjen klasike që të krijojmë mjedis të përshtatshëm për investime, ai koncept nuk mjafton. Duhet të kalojmë në një shkallë më të lartë".

"Duhet të krijojmë mjedis të tillë që iu garantojmë fitim investitorëve, askush nuk vjen në Kosovë të investojë për patriotizëm, apo në vendet tjera. Kryesisht, investitorët nisen nga principi i thjeshtë ekonomik –fitimi”
, thotë për Radion Evropa e Lirë Ramosaj.

Edhe ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, thekson se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për investitorët e huaj duke pasur parasysh burimet natyrore, pozitën gjeografike dhe fuqinë e re të popullatës për punë. Por, sipas tij, mungon qeverisja e mirë për ndonjë koncept të ri për këtë çështje.

“Unë mendoj se ato që janë thënë (si ambient i përshtatshëm për investitorët e huaj) janë fraza shkollore. Për të tërhequr investuesit e huaj, ekskluzivisht duhet të ketë qeverisje të mirë. Ne, duhet të eliminojmë krimin e organizuar, ekonominë e parregullt, problemet tjera lidhur me sigurinë e përgjithshme dhe atyre që vijnë të investojnë. Kosovës i mungon kapitali. Pra, për të tërhequr investimet e huaja, kërkohet një qeverisje e mirë, derisa nuk ka qeverisje - nuk ka investime”, shprehet Shatri.

Ekonomia kosovare pas përfundimit të luftës është gjetur në një situatë të mjerueshme. Serbia gjatë dhjetëvjeçarit pushtues, por dhe gjatë luftës, kishte shfrytëzuar, vjedhur e shkatërruar shumë fabrika dhe nuk kishte lejuar zhvillim ekonomik dhe investime.

Berim Ramosaj thekson se edhe 14 vjet pas përfundimit të luftës dhe pesë vjet të shtetësisë, ekonomia nuk ka arritur të rimëkëmbet në nivelin e duhur. Investimet e huaja, ishin shpresat e vetme, thotë Ramosaj, për përmirësim të gjendjes ekonomike, gjë që në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë, ka pësuar rënie.

Megjithatë, Ramosaj konsideron se faktor tjetër për mungesën e investimeve direkt në vend është gjendja politike, nivelit i lartë i korrupsionit, si në nivel qendror, po ashtu edhe në atë lokal.

“Ende mbesin faktorë vendimtarë në Kosovë për mungesë të investimeve situata politike, ajo e sigurisë dhe shkalla e lartë e korrupsionit. Këto janë ndoshta dy faktorët që vërtet, jo vetëm në Kosovë, por edhe vendet tjera ndikojnë. Por, në Kosovë kjo bëhet gjithnjë më e rëndë, duke e marrë parasysh edhe situatën politike”, konsideron Ramosaj.

Në anën tjetër, sipas autoriteteve kompetente, arsye që të investohet në Kosovë janë përfitimet për investitorët potencialë të huaj dhe vendorë.

Disa nga përfitimet për të investuar në vend janë: taksat e ulëta, resurse të pasura dhe ambient përkrahës të biznesit, popullatë të re e të motivuar dhe qasja e lirë në tregun e Bashkimit Evropian dhe tregjet fqinje.

Sipas Basnkës Qendrore të Kosovës, brenda 12 vjetëve të fundit (2000-2012) investimet e huaja direkte në Kosovë kapin shifrën rreth 2.4 miliardë euro.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG