Ndërlidhjet

Shoqëria civile, kundër heqjes së stemës nga aktvendimet


Lëndë gjykatash
Lëndë gjykatash
Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare kritikojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë lidhur me largimin e stemës dhe simboleve të tjera shtetërore nga aktvendimet e Gjykatave të Kosovës.

Ata ngrenë shqetësime se veprimet e tilla mund të kenë ardhur si pasojë e bisedimeve politike në ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Drejtori ekzekutiv në Lëvizjen “FOL”, Petrit Zogaj, thotë se asnjë institucioni nuk i takon dhe nuk është e drejtë që t'i heqë simbolet nga dokumentet zyrtare. Sipas tij, aktvendimet e sotme të gjykatave në Kosovë, duken sikur të kenë shkruar persona të paautorizuar dhe të rëndomtë.

“Nuk besoj se mund të këtë ndonjë rast në botë, ku vendimet e institucioneve publike të merren në një letër A4, pa logo, pa mbishkrim dhe pa nënshkrim poshtë, vendime këto që në këtë rast janë të Gjykatave të Kosovës. Nuk ka asnjë shpjegim as logjik, as praktik, e as institucional, për këto vendime se si janë nxjerrë kohëve të fundit. Unë e kam parë një aktvendim dhe prapëseprapë nëse nuk e sheh vulën dhe e sheh vetëm pjesën lart, nuk e kupton ti për cilin institucion bëhet fjalë”, thotë Zogaj.

Ai thekson se kjo mund të ketë ndodhur edhe për faktin se serbët po kërkojnë që në fletëvotimet e tre nëntorit të mos ketë logo dhe, sipas Zogajt, kjo është strategjia e serbëve.

“Problemi po më duket se mund të lidhet edhe me debatin aktual për fletëvotimet. Tash nëse eventualisht ne po tentojmë se po diktohet që fletëvotimi të mos jetë me mbishkrim, të barten edhe tek institucionet e tjera, unë besoj që kjo është një lloj heqje dorë nga shteti, gradualisht, për hir të disa praktikave ditore – për hir të negociatave apo çfarëdo qofshin ato”, thekson Zogaj.

Mirëpo, këto pohime se gjoja largimi i stemës ose mbishkrimeve të Republikës së Kosovës nga aktvendimet e gjykatave kanë ardhur si pasojë e bisedimeve me Serbinë, i hedh poshtë Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Kryesuesi i këtij Këshilli, Enver Peci, thotë për Radion Evropa e Lirë, se largimi i stemës së Republikës nuk ka të bëjë asgjë me bisedimet me Serbinë.

“Te vendimet gjyqësore, po mbizotëron mendimi që nuk duhet përdoret kurrfarë logoje, përveç emërtimit të Gjykatës dhe numrit të shkresës së lëndës. Mirëpo, kjo nuk ka lidhje kurrfare me serbë, apo me bisedime në Bruksel, apo diçka e tillë se edhe unë kam qenë në grupet teknike dhe asnjëherë nuk është përmendur kjo çështje”, deklaron Peci.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor shpjegon se edhe në shtetet e tjera në rajon veprohet në të njëjtën mënyrë siç janë duke vepruar aktualisht Gjykatat në Kosovë.

“Në asnjë vend në rajon nuk vendosen logot, për shkak se gjykatat nuk kanë logo të vet. Ndoshta e keni parë edhe Gjykata Kushtetuese ka logon dhe nuk e ka stemën e Republikës së Kosovës në vendimet e saj. Kështu që ky ka qenë një qëndrim ndoshta edhe me kryetarët e gjykatave në shkresat ku bëhet komunikimi të përdoren logot, po në aktgjykime jo, për shkak se bien në emër të popullit - të mos vendoset kurrfarë logoje”, sqaron Enver Peci, duke shtuar se në vend-nënshkrimin e gjyqtarit është edhe vula ku vërehet stema e Kosovës dhe shkruan Republika e Kosovës dhe gjykata përkatëse.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë thënë se në aktvendimet e Gjykatave të Kosovës së fundmi nuk figuron stema e Republikës së Kosovës, derisa në aktvendimet e viteve të kaluara kanë qëndruar ato.

Shoqëria civile konsideron se personat, të cilët kanë marrë vendime të tilla, duhet të japin shpjegime dhe përgjegjësi. Ata, madje, thonë se kjo çështje duhet të shqyrtohet seriozisht.
XS
SM
MD
LG