Ndërlidhjet

Veriu mes presioneve të Beogradit dhe ruajtjes së paralelizmave


Mitrovicë
Mitrovicë
Në përpjekje të zbatimit të obligimeve ndërkombëtare të marra me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, autoritetet në Beograd po i ndërmarrin veprimet finale në kuadër të bindjes së komunitetit serb nga komunat veriore për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë.

Përveç thirrjeve politike dhe takimeve të presidentit serb, Tomisllav Nikolliq, me lidershipin e komunave veriore, Beogradi, përmes kryeministrit Ivica Daçiq u ka dërguar edhe mesazhe kërcënuese këtyre liderëve se mund të zëvendësohen në funksionet që kanë me njerëz të tjerë, nëse kundërshtojnë politikat e Qeverisë së Serbisë.

Presioni mbi serbët veriorë është shtuar pas vendimit të lidershipt të atjeshëm që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit, me arsyetimin se me pjesëmarrje do të pranonin shtetin e Kosovës, të cilin ky lidership nuk e njeh.

Dragan Veliq, nga i ashtuquajturi Këshill nacional serb mendon se thirrjet e liderëve nga komunat veriore do të dëgjohen nga pjesa më e madhe e popullatës serbe të atjeshme.

“Mendoj se një numër i konsiderueshëm i serbëve do të mbështesë kërkesën dhe vendimin e liderëve nga veriu dhe nuk do të dalin në zgjedhje, ngase ata për 14 vjet po bartin mbi vete barrën e mbijetesës në Kosovë”, thotë Veliq.

Mirëpo, vendimi i liderëve nga komunat veriore, megjithatë nuk ka ndikuar në gatishmërinë e subjekteve tjera të këtij komuniteti poshtë lumit Ibër që të marrin pjesë në zgjedhje.

Petar Miletiq, aktualisht nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, mendon se vendimi i organeve serbe në veri për bojkot, nuk paraqet vullnetin e gjithë komunitetit serb as në komunat veriore. Sipas tij, Beogradi do të jetë faktori kryesor, nga i cili do të varet dalja e serbëve në zgjedhje. Kurse, thirrjet për bojkot mund të ulin vetëm përqindjen e pjesëmarrjes së këtij komuniteti.

“Mendoj se një vendim i tillë është gabim dhe se serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit”, është shprehur Miletiq. Një vendim i tillë, sipas tij, me siguri që ndikon edhe në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, por nuk mund të pengojë daljen e tyre".

“Pres që zgjedhjet të mos kenë një dalje masive, por dalje do të ketë, ngase ai që ka më së shumti ndikim në veri, e ky është Beogradi, po i mbështet zgjedhjet”
, thekson Miletiq.

Ndërkaq, një tjetër përfaqësues i serbëve, Ranxhel Nojkiq, nga komuna e Graçanicës, vlerëson se nëse Beogradi tregon vendosmëri për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhje në gjithë territorin e vendit, ky komunitet do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së qeverisë serbe.

Rezistencën dhe kundërshtimin e liderëve aktualë të komunave veriore, Nojkiq e sheh edhe si refleksion të frikës së tyre nga humbja e legjitimitetit dhe legalitetit pas aranzhimeve të reja që po arrijnë për veriun Prishtina dhe Beogradi.

“Legjitimiteti dhe legaliteti i tyre ngadalë po bie, ngase në pozita të rëndësishme institucionale si Beogradi, ashtu edhe Prishtina po vendosin njerëz të tjerë”, shprehet Nojkiq.

Ai rrëfen se si ka vizituar këto ditë në disa raste komunat veriore dhe se njerëzit në atë pjesë, sipas tij, duan që të vendoset rend dhe ligj, duke konsideruar se më mirë është të ketë çfarëdo ligji, sesa të mos ketë fare.

Në fund të këtij muaji, pritet që në Bruksel të mbahet një nga takimet vendimtare në nivel të kryeministrave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në lidhje me pjesëmarrjen e komunitetit serb nga komunat veriore në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Sipas vlerësimeve të analistëve, por edhe disa përfaqësuesve në Beograd, pjesëmarrje minimale, e cila do të siguronte legjitimitetin e organeve te reja në veri do të duhej të sillej nga 15 deri në 20 për qind.

Kurse, dështimi eventual që të sigurohet një pjesëmarrje minimale e këtij komuniteti në këto zgjedhje, do të vlerësohej më pas nga Brukseli edhe si dështim i zbatimit të Marrëveshjes së 19 prillit, me çka Serbia do të rrezikonte seriozisht marrjen e datës për nisjen e negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG