Ndërlidhjet

Pavarësisht reagimeve të shumta të shoqatave të mediave, shumica parlamentare ka nisur shqyrtimin e amendamenteve të propozuara lidhur me dy draft-ligjet e mediave, të cilët, pas shqyrtimit në disa debate publike, janë dorëzuar në leximin e dytë dhe të fundit në Kuvendin e Maqedonisë, ku edhe pritet të miratohen nga partitë në pushtet.

Nga qeveria thonë se kanë pranuar shumicën e vërejtjeve të shoqatave, andaj edhe kanë intervenuar me 38 amendamente, që, sipas saj, kanë të bëjnë me rregullimin e punës së mediave, skemën programore, përbërjen e agjencisë së mediave, e cila, do të zëvendësojë Këshillin për radiodifuzion, uljen e gjobave që parashihen në rast të shkeljes së dispozitave ligjore, e kështu me radhë.

“Një numër i madh i vërejtjeve tashmë janë pranuar, përfshirë edhe ato që kishin të bëjnë me propozimet e dorëzuara kohë më parë në Kuvend. E dimë se qëndrimi i shoqatave është që të mos ketë ligj për mediat, por vetëm rekomandime për shërbimet audio dhe audio-vizuele, por ne mendojmë se duhet të ketë ligj për mediat ku mediat e shtypura dhe ato elektronike do të ishin nën mbikëqyrje vetëm administrative nga ana e Agjencisë së mediave“, deklaron ministri i Shoqërisë Informatike, Ivo Ivanovski.

Por, nga shoqatat e gazetarëve mbeten në qëndrimin se zgjidhjet e ofruara do të cenojnë edhe më shumë lirinë e shprehjes në Maqedoni.

Kryetari i Shoqatës së gazetarëve, Naser Selmani, thotë se janë pranuar disa vërejtje, por mbeten ende shumë të tjera që nuk janë përmbushur, si çështja e agjencisë, puna e servisit publik, i cili vendoset në pozita shumë më të favorshme se televizionet nacionale private, gjobat, e çështje tjera, që, sipas tij, cenojnë lirinë e shprehjes.

“Me këtë qasje, definitivisht, askush më nuk ka dilemë se ideja e kësaj qeverie nuk është të garantojë lirinë e shprehjes, por do të përdorë të gjitha mjetet e mundshme që të ngufasë lirinë e mediave".

"Ligji që kanë përpiluar, është në kundërshtim me Kushtetutën, është në kundërshtim me standardet evropiane dhe si i tillë, nuk do t'i zgjidhë problemet, me të cilat përballen më së shumti mediat në Maqedoni“, thotë Selmani.

Në emër të shoqatës, Selmani ka propozuar një amendament, me të cilin kërkohet që zbatimi në praktikë i këtij ligji të fillojë vetëm pas anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Selmani thotë se me këtë do të krijoheshin kushte që gjatë periudhës së bisedimeve me BE-në, për anëtarësim edhe një herë të diskutohen dobësitë e ligjit dhe mekanizmat mbrojtës për mediat.

Shoqatat tjera mediatike mbeten në qëndrimin se Maqedonia nuk duhet të ketë ligj për mediat.

“Ne vlerësojmë se një ligj i tillë do të ishte i panevojshëm, pasi nuk zgjidh asnjë problem. Vlerësojmë se një pjesë të çështjeve që mendohet se do të zgjidheshin me këtë ligj, mund të zgjidhen me ligjet tjera ekzistuese dhe përmes mekanizmave vetërregullues. Propozime-ligjet për të cilat ka nisur debati, nuk ofrojnë asnjë zgjidhje, përkundrazi, do të përkeqësojnë edhe më shumë sferën mediatike në vend", konsideron Biljana Petkovska, nga Instituti maqedonas i mediave.

Ndryshe, propozim-ligjet e qeverisë, janë kundërshtuar edhe nga partitë opozitare, të cilat duke dalë në mbrojtje të kërkesave të mediave, kanë thënë se në rast të ndryshimit të pushtetit në Maqedoni, ato do të shfuqizojnë këto zgjidhje të pushtetit.

Propozimet e qeverisë janë kritikuar edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilat kanë marrë pjesë në debatet e fundit publike të organizuara nga qeveria, e që janë bojkotuar nga shumica e shoqatave e mediave.

Çështja e mediave në Maqedoni kohët e fundit ka qenë objekt i raporteve të shumë organizatave ndërkombëtare, të cilat e kanë vendosur atë në grupin e shteteve me liri të kufizuar të mediave.
XS
SM
MD
LG