Ndërlidhjet

logo-print

WP: SHBA, Rusia dhe Kazakistani e siguruan plutoniumin, para se të bie në duar të terroristëve


Ilustrim

Ilustrim

Zakonisht është lehtë të injorohet lajmi kur nuk ndodhë diçka e keqe. "Washington Posti" ka raportuar të dielën se qindra kilogramë të plutoniumit, që mjaftojnë për një duzinë të armatimit bërthamor, janë të depozituar brenda tokës për vite të tëra, në vendin e provave në Semipalatins në Kazakistan, pas shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Pas shtytjeve nga shkencëtarët, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kazakistani, e groposën plutoniumin në çimento, kështu që ai nuk mund të merret nga gjurmuesit e mbetjeve, terroristët ose shtetet me synime keqdashëse.

Pra, mund të thuhet se është bërë punë e mirë dhe ky është fund i tregimit, apo jo, e shtron pyetjen gazeta, dhe përgjigjet se - jo krejtësisht.

Nëse bota ballafaqohet me një moment tjetër, në të cilin shteti me armatim atomik është i përfshirë në trazira, operacioni në Semipalatinsk ofron leksione të vlefshme për të ardhmen.

Me gjasë, çështja më e rëndësishme është nevoja e kapërcimit të mosbesimit dhe fshehtësisë, në mënyrë që plutoniumi i braktisur mund të gjendet, shkruan "Washington Post".

Artikulli i gazetës dhe raporti më i gjatë i Qendrës Belfert në Harvard, e bëjnë të qartë se pengesa më e madhe ishte gjetja e saktë e materialit afër maleve Degelen.

Rusia, pasardhëse e arsenalit bërthamor të ish-Bashkimit Sovjetik, e dinte vendndodhjen, por ishte hezituese ta zbulonte atë. Koordinatat paraqiteshin ngadalë, gjatë më tepër se një dekade, në masë të madhe për shkak se shkencëtarët dhe ekspertët bashkëpunuan për t’i ulur dyshimet. Ata vepruan pa negociata dhe marrëveshje të mundimshme.

Çmimi prej 150 milionë dollarësh për këtë projekt, i paguar nga Shtetet e Bashkuara, duket se ishte investim i mirë, duke pasur parasysh rrezikun që plutoniumi ka mundur të dërgohej diku tjetër nga terroristët ose shtetet, që synojnë prodhimin e bombës, shkruan "Washington Post".

Rreziqet e sigurisë kombëtare ende ekzistojnë. Thirrja e presidentit Barack Obama, në vitin 2009, për “sigurimin e të gjitha materialeve të ndjeshme bërthamore në gjithë botën gjatë katër viteve” i ka nxitur presidentët dhe kryeministrat, dhe aksioni kishte filluar.

Shumë prej boshllëqeve më të rrezikshme të sigurisë, evidente pas Luftës së Ftohtë, vendet e provave me vrima të çuditshme në rrethoja, pa detektorë për alarm, e të tjera, ishin mbyllur. Por, ekzistojnë kapacitete ku masat e sigurisë ende janë të pamjaftueshme për mbrojtje kundër kërcënimeve nga terroristët dhe kriminelët.

Rusia, me rezervat më të mëdha të materialeve atomike në botë, ka bërë hapa të mëdhenj, por këto materiale mbeten të shpërndara nëpër arkipelagë të bunkerëve dhe ndërtesave.

Pakistani, i cili e ka ngadalësuar ritmin e prodhimit të bombës së tij gjatë viteve të fundit, është shqetësim i vazhdueshëm, si cak i mundshëm i sulmit terrorist.

Po ashtu, ka shumë reaktorë kërkimorë në gjithë botën me uranium të pasuruar, të mjaftueshëm për ta fabrikuar së paku një bombë, por me siguri minimale, shkruan "Washington Post".

Një sulm në Afrikën Jugore në nëntor të vitit 2007, ende mbahet mend nga ata që kanë shqetësime për vjedhje dhe terrorizëm. Dy ekipe të armatosura i kaluan 45 minuta brenda perimetrit të mbrojtur të kapacitetit Pelindaba, ku janë të vendosur qindra kilogramë të materialit me shkallë armatimi, pa u ballafaquar me forcën e sigurisë së kësaj hapësire.

Ata nuk kishin marrë kurrfarë materiali, por u larguan pa u zënë kurrë, shkruan "Washington Post".

Siguria atomike duhet çdoherë të jetë tregim i gjërave të këqija, që nuk ndodhin. Kjo kërkon punë të madhe dhe vigjilencë për të krijuar siguri se materiali bërthamor, i cili mund të përdoret për prodhimin e bombës, kurrë të mos vidhet, shkruan në fund të editorialit e përditshmja "Washington Post".
Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG