Ndërlidhjet

logo-print

Veriu ka “kundërpërgjigje” ndaj Beogradit


Mitrovicë...

Mitrovicë...

Kërcënimet e autoriteteve të Beogradit se do t'i ndërrojnë funksionarët në veri të Kosovës, të cilët i ka emëruar shteti serb, nëse ata i kundërshtojnë zgjedhjet lokale të Kosovës, të 3 nëntorit, mund edhe të realizohen, vlerësojnë liderët e serbëve të veriut.

Por, sipas tyre, kjo do të ishte kundër kushtetutës serbe. Lideri i serbëve të veriut, Marko Jakshiq, i tha Radios Evropa e Lirë se autoritetet e Beogradit mund t’i ndërrojnë vetëm personat në funksionet, të cilat ato i kanë emëruar.

“Qeveria nuk ka të drejtë t’i ndërrojë përfaqësuesit komunalë, të cilët janë zgjedhur në bazë të votave të qytetarëve. Atë që qeveria nuk e ka vendosur, nuk ka të drejtë ta ndërrojë. Megjithatë, në gjithë këtë vërshim të paraqitjes së dhunshme, pavarësisht që është në kundërshtim me Kushtetutën e shtetit të Serbisë, nuk mund të jetë befasuese që qeveria të ndërmarrë masa dhe t’i ndërrojë kryetarët e komunave, pavarësisht që kjo nuk është në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën”, theksoi Jakshiq.

Por, lideri tjetër i serbëve të veriut, Oliver Ivanoviq, ish-funksionar në qeverinë e mëparshme serbe, i theksoi për Radion Evropa e Lirës se përfaqësuesit aktual të serbëve të veriut nuk kanë zgjidhje më të shumta nga ato që ofron Beogradi.

“Të gjitha letrat e tyre, këta përfaqësues serbë, i kanë orientuar kah bojkoti, duke menduar në mënyrë naive se kjo do ta ndryshojë politikën shtetërore, apo që ndoshta do ta detyrojnë Serbinë që të heqë dorë nga zgjedhjet dhe zbatimi i marrëveshjes së Brukselit. Kjo është naive dhe shkurt-pamje".

"Sa i përket dhunës, unë nuk mendoj se do të ketë, të paktën jo në masë serioze dhe që do t’i rrezikonte zgjedhjet dhe procesin zgjedhor. Thjesht, për shkak se Serbia ka mjete që mund t’i përgjigjet kësaj. Një gjë e tillë do të ishte veprim i rrezikshëm, sidomos ndaj atyre që e propagandojnë”,
theksoi Ivanoviq.

Por, Jakshiq shprehu mendimin se serbët e veriut tashmë ka kohë që e kanë kundërpërgjigjen e gatshme, në rast se autoritetet e Beogradit vendosin t’i ndërrojnë funksionarët e tyre në veri të Kosovës.

“Serbët e veriut, duke menduar se një gjë e tillë mund të ndodhte eventualisht, e kanë formuar Kuvendin e përkohshëm të Kosovës, i cili është në përputhje me Kushtetutën dhe Kuvendin e përbëjnë, përafërsisht, njerëzit që kryesisht dhe në mënyrë të rregullt i kanë kaluar zgjedhjet që i kishte shpallur Kuvendi i Serbisë".

"Prandaj, ekziston Kuvendi i përkohshëm, ekzistojnë njerëzit që janë të orientuar kah ky kuvend. Unë, mendoj se veprimi politik do të orientohet përmes atyre institucioneve, të cilat e pranojnë kushtetutën e Serbisë dhe ndër to është Kuvendi i përkohshëm i Kosovës”,
u shpreh Jakshiq.

Në anën tjetër, Ivanoviq, vlerësoi se favorizimi nga ana e përfaqësuesve serbë i të ashtuquajturit Kuvend i përkohshëm i Kosovës, që sipas tij është vetëm një krijesë e improvizuar, mundet vetëm t’i hutojë serbët e veriut, por nuk do të ketë efekt më të madh.

“Ndonëse edhe ashtu nuk ka pasur ndonjë rëndësi të veçantë, unë mendoj se ky Kuvend do ta humbë çdo element të rëndësisë në momentin që do të përfundojnë zgjedhjet dhe në bazë të këtyre zgjedhjeve lokale të konstituohet Kuvendi i Bashkësisë së Komunave Serbe”, vlerësoi Ivanoviq.

Ndryshe, kërcënimet për ndërrimin e liderëve serbë të veriut nga funksionet që kanë, erdhi dy ditë më parë nga kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq.

Ai ka insistuar që serbët lokalë në veri të Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit, në mënyrë që t’i fitojnë të zgjedhurit e tyre legalë dhe legjitimë, të cilët do të jenë të pranueshëm edhe për bashkësinë ndërkombëtare dhe nuk do të jenë më si struktura paralele, të cilat nuk i njeh askush.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG