Ndërlidhjet

OKB: Kërkohet qartësi për sulmin me armatim kimik në Siri

  • RFE /RL

Këshilli i i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për qartësi lidhur me dyshimet për sulm me armatim kimik në Siri.

Në një takim të jashtëzakonshëm me dyer të mbyllura, i mbajtur mbrëmë vonë, Këshilli i Sigurimit, që është i ndarë lidhur me zhvillimet në Siri, e ka mbështetur një hetim “të paanshëm dhe të shpejtë” për këtë incident, por nuk është thënë nëse ky hetim do të zhvillohet nga ekspertët e Kombeve të Bashkuara, që tashmë ndodhen në Siri.

Grupet opozitare siriane bënë thirrje që OKB-ja të dërgojë inspektorë të armëve kimike që tashmë janë në Siri, në vendin ku ata thonë se është bërë sulmi.

Grupi kryesor opozitar sirian tha se forcat qeveritare kanë vrarë më shumë se 1000 njerëz në sulmin me armë kimike në periferi të Damaskut.

Viktimat e së mërkurës në Damask, nga sulmi me gaz toksik...

Viktimat e së mërkurës në Damask, nga sulmi me gaz toksik...

​Koalicioni Kombëtar Sirian, në një konferencë me gazetarë në Stamboll, të mërkurën tha se sulmi që është bërë në mëngjesin e së mërkurës, është një moment që e ndryshon luftën civile.

Pjesëtari i këtij koalicioni. George Sabra, theksoi se : “Këtë radhë, sulmi ka qenë për asgjësim, se sa për terror”.

Ndërkohë, Qeveria siriane dhe ushtria e kanë hedhur poshtë akuzën se kanë përdorur armë kimike të mërkurën kundër zonave që kontrollohen nga rebelët në Damask.

Videot në internet që thuhet se shfaqin viktimat e këtyre sulmeve paraqesin trupa të vdekur në tokë pa shenja të dukshme të lëndimeve.

Bashkimi Evropian e ka dënuar atë që dyshohet se është përdorim i armëve kimike nga forcat e qeverisë siriane si “tërësisht të pa-pranueshme”, duke kërkuar hetim të menjëhershëm.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët, kanë bërë thirrje që inspektorët e Kombeve të Bashkuara, që aktualisht gjenden në Siri, me urgjencë të zhvillojnë hetime për këtë incident.

Edhe Franca dhe Turqia e kanë përkrahur këtë kërkesë.

Ndërkaq, raportohet se Rusia dhe Kina e kanë kundërshtuar thirrjen për hetime të menjëhershme të Kombeve të Bashkuara, madje Rusia që është aleat i Qeverisë së Sirisë, ky shprehur dyshime për këtë incident, duke sugjeruar se ai mund të ketë qenë “provokim” i kryengritësve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG