Ndërlidhjet

Më 27 gusht, Thaçi e Daçiq diskutojnë për zgjedhjet


Kabineti qeveritar
Kabineti qeveritar
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në raundin e ri të negociatave me homologun nga Serbia, Ivica Daçiq më 27 gusht në Bruksel, nën ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.

Thaçi ka njoftuar kabinetin e tij qeveritar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me baroneshën Ashton, ku ai ka konfirmuar edhe pjesëmarrjen në takimin e radhës më 27 gusht.

Ai ka thënë, po ashtu, se në këtë takim do të diskutohet për temat tashmë të hapura, kurse ndër më të rëndësishmet për momentin, është ajo e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, sidomos atyre nga komunat veriore.

“Këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme, sepse organizohen për herë të parë në gjithë territorin e vendit ku do të marrin pjesë të gjithë qytetarët pa dallim etnik. Për herë të parë do të marrin pjesë edhe serbët në veri dhe unë i ftoj që të përgatiten sa më mirë edhe ata, qoftë përmes partive politike, lëvizjeve politike, kandidatëve të pavarur dhe që të respektojnë afatin e rregullt për regjistrimin e tyre në KQZ”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka shprehur bindjen e tij se me marrëveshjen e 19 prillit të arritur në dialogun me Beogradin, është siguruar që zgjedhjet të mbahen në gjithë territorin e vendit. Ai ka inkurajuar edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ta respektojë plotësisht këtë marrëveshje.

Në anën tjetër, edhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka konfirmuar se ka biseduar përmes telefonit me baroneshën Ashton. Ai ka shprehur besimin e tij se në takimin e 27 gushtit mund të arrihen marrëveshje për çështjet kontestuese.

Por, për dallim nga qëndrimet e kryeministrit Thaçi, autoritetet në Beograd e shohin Marrëveshjen e 19 prillit si neutrale në raport me statusin e Kosovës. Këshilltari i presidentit të Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se me daljen në zgjedhje serbët dhe organet e reja lokale nuk po integrohen në kuadër të institucioneve të shtetit të Kosovës.

“Komunat që do të formohen si rezultat i këtyre zgjedhjeve nuk do të jenë komuna të shtetit të pavarur të Kosovës, por do të jenë komuna serbe, përmes së cilave përfaqësuesit e serbë në Kosovë me legjitimitet të plotë dhe njohur ndërkombëtarisht do t’i realizojnë të drejtat e komunitetit”, është shprehur Gjuriq.

Sipas tij, dalja në zgjedhje nuk e afirmon shtetin e Kosovës, ngase organizimi i organeve lokale nëpër komunat serbe bëhet vetëm sipas Marrëveshjes së Brukselit, e cila është neutrale në raport me statusin e Kosovës.

Marrëveshja e arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit parasheh konstituimin e Asociacionit, përkatësisht Bashkësisë së komunave serbe, i cili më pas do të siguronte një nivel të autonomisë lokale nëpër komuna, sidomos atyre në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sidoqoftë, mbetet të shihet fillimisht nëse Beogradi do t’ia dalë që t’i bindë serbët e atjeshëm që të dalin në zgjedhje në një përqindje, qoftë edhe minimale, që do të siguronte legjitimitetin e organeve të reja lokale në atë pjesë.
XS
SM
MD
LG