Ndërlidhjet

A sinjalizon kaosi në Egjipt vdekjen e Pranverës Arabe?

  • Heather Maher

Pamje pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë në kampet e Vëllazërisë Myslimane në Kajro

Pamje pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë në kampet e Vëllazërisë Myslimane në Kajro

Një vit më parë, egjiptianët kanë votuar në zgjedhjet e para të lira presidenciale. Sot, kjo shfaqje e shkurtër e demokracisë është zhdukur nga një president i përmbysur, vrasjet e civilëve nga ushtria dhe bisedat në rritje për luftë civile.

Egjiptianët nuk janë të vetmit arabë, të cilët kanë rrëzuar me sukses sunduesit e tyre, por jetojnë në pasiguri dhe dhunë. Tunizianët dhe libianët janë duke duruar luftëra të hidhura për pushtet dhe duke thelluar varfërinë. Sirianët përballen me ikje jashtë vendit ose rrezik nga vrasjet brutale. Në Jemen, qeveria e brishtë është duke luftuar me një ushtri armiqësore dhe mungesë ligji.

Mungesa e përparimit demokratik dhe rrëshqitja e Egjiptit në sundim ushtarak kanë nxitur shumë vëzhgues të pyesin nëse shenja të kobshëm të Pranverës Arabe tashmë kanë nisur të shfaqen.

Mona Yacoubian, këshilltare e lartë për Lindjen e Mesme në Qendrën Stimson, vë në pah arsyet për alarm.

“Sigurisht, është shumë e vështirë që, ulur këtu në Uashington, të flasësh për shpresa të mëdha të demokracisë, kur Egjipti është duke rrëshqitur edhe më shumë në kaos, kur Siria është në grahmat e një lufte të përgjakshme civile dhe kur Libia vazhdon të luftojë me milicitë”, thotë Yacoubian.

Ajo thekson se shumë vëzhgues kanë pritur që periudha e post-revolucionit në Tunizi, ku ka ndodhur kryengritja e parë, dhe në Egjipt, ku ka ndodhur më e madhja, të shkojë mirë. Por, në vend të kësaj, vakuumet në pushtet, pas rënies së qeverive, kanë shkaktuar luftëra të hidhura politike ndërmjet grupeve që nuk kanë pasur ndonjë përvojë në demokraci.

Njerëzit e mbajtur gjatë në heshtje kanë qenë papritmas në gjendje që të shprehin pikëpamjet e tyre fetare dhe politike, duke ekspozuar polarizime të thella që nganjëherë kanë shpërthyer në dhunë.

Yacoubian, e cila ka qenë në Tunis vetëm dy muaj më parë, thotë se, edhe pse vëzhguesit mund të ndjehen pesimistë në lidhje me përparimin e Pranverës Arabe, njerëzit në rajon i kanë thënë asaj se nuk ka kthim prapa.

Ngjashëm ka dëgjuar edhe Karima Bennoune. Bennoune, profesoreshë e së drejtës në Universitetin e Kalifornisë, është kthyer nga rajoni në fillim të këtij muaji.

“Duke folur me gra aktiviste në terren, ju ende dëgjoni një optimizëm të caktuar, një ndjenjë se ende ka shpresë. Një grua tuniziane më ka thënë se Pranvera Arabe për të nuk është e vdekur; në fakt është frymë e rezistencës së jashtëzakonshme në Tunizi, ndaj islamizmit dhe përpjekjeve për të vendosur një lloj të ri të totalitarizmit”, thotë Bennoune.

Si shumë vëzhgues të tjerë të Lindjes së Mesme, edhe Bennoune thotë se përparimi ekonomik është aq jetik sa edhe ai politik.

Në Egjipt, papunësia, varfëria dhe pasiguria ushqimore janë rritur që nga rënia e Hosni Mubarakut më 2011. Investimet e huaja dhe turizmi janë shkatërruar po ashtu.

Libia ka pësuar rënie për 60 për qind të bruto prodhimit të brendshëm në vitin 2011, pasi kompanitë e huaja kanë larguar punëtorët e tyre gjatë luftimeve për përmbysjen e Muammar Qadaffit.

Gjatë gjithë historisë, ndryshimet politike revolucionare kanë marrë kohë. Pranvera e famshme e Pragës më 1968 është shtypur nga tanket sovjetike, por u ka ndihmuar ndryshimeve në Evropën Qendrore dhe Lindore, të cilat kanë çuar në rënien e Murit të Berlinit më shumë se 20 vjet më vonë.

John Esposito, profesor i fesë, studimeve ndërkombëtare dhe studimeve islamike në Universitetin e Xhorxhtaunit, thotë se edhe revolucionet e suksesshme, si ai francez, rus dhe amerikan, janë pasuar me dekada kaotike dhe të rrezikshme.

“SHBA-ja është një shembull i mirë në kuptimin që ne kemi kaluar revolucionin dhe pastaj luftën civile, në të cilën janë vrarë edhe më shumë njerëz. Pra, nëse shihni historinë tonë, ajo duket si kaos absolut”, thotë Esposito.(v.tela)
XS
SM
MD
LG