Ndërlidhjet

Rashiti: Zgjedhjet nuk kanë elemente të statusit neutral


Naim Rashiti
Naim Rashiti

Zgjedhjet nuk kanë elemente të statusit neutral, sepse mbahen sipas një ligji të caktuar dhe logoja e kontestuar në fletëvotime nga Beogradi, është me më pak rëndësi sesa pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë Naim Rashiti, analist i Grupit të Ballkanit për Politika.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rashiti, më 27 gusht është paralajmëruar takimi i radhës Thaçi - Daçiq. Çfarë pritet të sjellë ky takim, sa i përket pjesëmarrjes së serbëve, e sidomos atyre të veriut, në zgjedhjet e 3 nëntorit?

NAIM RASHITI
Është e rëndësishme që takimi i ardhshëm - me gjasë i fundit para vendimit për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje - të përshpejtojë procesin e zgjedhjeve. Të përshpejtojë në aspektin e caktimit të një agjende se si serbët, entitetet politike, lëvizjet qytetare apo iniciativat qytetare do të regjistrohen, aplikojnë për të marrë pjesë në zgjedhje.

Kohë ka shumë pak. Ky takim duhet t'i japë përfundimisht formë gjithë sistemit të zgjedhjeve që do të mbahen në nëntor dhe, në veçanti, të rregullojë çështjen se në çfarë forme serbët e veriut do të votojnë.

E dimë që Kosova nuk ka lista zgjedhore të votuesve për veri. Me gjasë, Kosova do t’i marrë listat e votuesve të komunave serbe; Të rregullohet çështja e statusit apo në këtë rast organizatës, e cila do të bëjë organizimin e zgjedhjeve në veri; Kush, se si, në çfarë kushte dhe në çfarë rrethana do t’iu mundësohet kandidatëve që të kandidojnë për kryetar të komunave dhe që me më shumë siguri të hyjmë në fillim të shtatorit, kur edhe përfundojnë afatet për aplikimin e kandidatëve për zgjedhje.

Unë mendoj që nëse është e nevojshme, edhe mund të shtyhet afati, sepse kemi pasur edhe raste tjera në zgjedhjet e kaluara kur afati për aplikim është shtyrë dhe nuk çon peshë përderisa nuk e cenon integritetin e zgjedhjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditëve të fundit, kemi dëgjuar disa mesazhe të kryeministrit serb, Daçiq, në adresë të serbëve të veriut. Çfarë efektesh mund të kenë ato?

NAIM RASHITI
I tërë lidershipi serb në Beograd e ka bërë të qartë se është shumë i interesuar që serbët të marrin pjesë në zgjedhje. Në anën tjetër, serbët e veriut vazhdojnë ta kundërshtojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet, të cilat janë të akredituar nga presidentja e Kosovës. Besoj që Qeveria e Serbisë do t’i zëvendësojë kryetarët aktualë, udhëheqësit aktualë të komunave, me këshilla të përkohshëm. Në disa prej tyre mund të jenë edhe vetë liderët aktualë, si fazë transitore për t'i çuar këto komuna në zgjedhje lokale.

Është vështirë që të shohim se si do të reagojnë liderët aktualë të veriut dhe çfarë ndikimi do të kenë ata në organizimin e bojkotit të zgjedhjeve. Ajo që është shumë e qartë, është se serbët në veri ende e kundërshtojnë pjesëmarrjen në zgjedhje, por shumica e lidershipit në Beograd dhe institucioneve në Beograd, mendojnë se ata do të jenë në gjendje t’i organizojnë serbët për të marrë pjesë në zgjedhje.

Kjo pritet edhe nga i gjithë faktori ndërkombëtarë. Se sa e suksesshme do të jetë, se kush do të jetë fitimtar në këtë agjendë, do të shohim pak më vonë, por indikacione ka që Qeveria e Serbisë do t’i organizojë mjaftueshëm serbët e veriut që të marrin pjesë në zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, disa liderë të serbëve të veriut kanë theksuar se veprimet e tyre politike do t’i orientojnë përmes të ashtuquajturit Kuvend i përkohshëm i Kosovës, të cilin e kanë themeluar muaj më parë. A prisni që kjo të krijojë probleme në atë pjesë?

NAIM RASHITI
Kuvendi është ekzistues, por është i përbërë nga përfaqësues, kryetarë të komunave, përfaqësues të zgjedhur të serbëve në veri, pjesë aktive e jetës politike në veri. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë pasi ata të shkarkohen nga institucionet, sepse me shkarkimin e kryetarëve, Këshillat e përkohshëm do të zëvendësojnë funksionet e të gjitha instrumenteve komunale. Në njëfarë forme, Kuvendi i Përkohshëm Autonom, do të jetë një lloj institucioni paralel i jetës institucionale. Se si do të përfaqësohen, si do të reagojnë ata, është vështirë të shihet tani.

Por, është me gjasë, nëse Serbia, nëse qeveria e saj është përcaktuar me çdo kusht që të vazhdojë ta kanalizojë financimin dhe mbështetjen përmes institucioneve tani të përkohshme, që do të jenë deri në zgjedhje dhe pastaj institucioneve kosovare, atëherë ndikimi i tyre nuk do të jetë aq sa e kanë tani, do të jetë paralel.

Serbët vazhdimisht janë të prirë që ta përcjellin politikën shtetërore. Ajo që ndodh në veri këto vitet e fundit, është tërësisht e re në politikën serbe, ku popullata kundërshton politikën shtetërore. Se sa do të kenë sukses ata në kundërshtimin e politikës shtetërore dhe qëllimeve të politikës së Beogradit për të organizuar pjesëmarrjen në zgjedhje dhe për të institucionalizuar brenda institucioneve të Kosovës ose Kushtetutës së Kosovës, jetën politike të serbëve, mbetet të shihet.

Por, indikacione ka që ende është e paqartë. Indikacione ka se Serbia do të mund të bëjë më shumë në këtë aspekt, por në anën tjetër edhe pjesa më e madhe e lidershipit në veri është e përcaktuar që të kundërshtojë pjesëmarrjen aktive në jetën politike kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Kërkesa e Beogradit për heqjen e logos shtetërore të Kosovës nga fletëvotimet, a mendoni se mund të pengojë procesin?

NAIM RASHITI
Unë nuk besoj që simbolika është e rëndësishme, besoj që pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje për herë të parë në Kosovë që nga viti 1999, është shumë e rëndësishme.

Prioritet duhet t'i jepet pjesëmarrjes sa më legjitime të serbëve në zgjedhje dhe krijimit të institucioneve, me apo pa logo do të bëhet kryesisht për të përfituar më shumë, për të qenë më e pranueshme për serbët e veriut që të votojnë në zgjedhje.

Natyrisht, zgjedhjet nuk kanë elemente të statusit neutral, sepse zgjedhjet mbahen sipas një ligji të caktuar, Ligjit të Kosovës. Në rastin e zgjedhjeve në veri është pak më ndryshe për faktin që OSBE-ja do të bëjë, jo vetëm lehtësimin, por, në fakt, do të bëjë edhe organizimin e zgjedhjeve në veri dhe OSBE-ja vetë është në pozicion statusi neutral dhe me mandat është e përcaktuar që të mos ketë shumë ndërvarshmëri dhe bashkëpunim me institucionet e Kosovës.

Nëse ndodh një akord ndërmjet institucioneve të Kosovës, OSBE-së dhe serbëve të jetë që fletëvotimet të jenë pa logo, nuk ka gjë të keqe, përveçse do t'i inkurajojë serbët më shumë të marrin pjesë në zgjedhje. Nuk e besoj që do të bëhet praktikë për shumë vite për të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç zgjedhjeve, në takimin e radhës Thaçi - Daçiq, pritet të diskutohet edhe çështja e shuarjes së strukturave paralele. A konsideroni se janë përmbushur disa afate të planifikuara lidhur me këtë çështje?

NAIM RASHITI
Më duket takimi i majit ka pasur një agjendë afatesh se cila qeveri do të veprojë, dhe ato afate nuk janë përmbushur. Nuk janë përmbushur afatet për marrëveshjen për telekomin, energjetikën, financimin, të gjitha këto, por pengesat kanë qenë të ndryshme, duke filluar nga pushimet verore, nga ndryshimet në Qeverinë në Beograd dhe nga dinamika e zhvillimeve politike sa i përket procesit të veriut.

Ajo që po shihet është se është vështirë të transformohet veriu, të transformohen institucionet e sigurisë në veri, pa rregullimin e statusit të institucioneve civile. Me gjasë që pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje, numri i kandidaturave, kualiteti i garave zgjedhore, do të përcaktojë edhe dinamikën e transformimit të institucioneve të sigurisë në veri.

Nuk besoj se do të jetë shumë telashe se a shuhen apo transformohen më 30 shtator apo 30 nëntor, e rëndësishme është që përkrah institucioneve civile të krijohet edhe një mbështetje publike nga ana e popullatës atje për transformimin e institucioneve të sigurisë dhe për institucionet e reja të sigurisë.
XS
SM
MD
LG