Ndërlidhjet

KQZ-ja drejt krizës


Logoja e KQZ-së
Logoja e KQZ-së
Me akuza, kundër-akuza, ndërprerje mbledhjesh, shkarkime të anëtarëve dhe me debate të ndryshme, janë karakterizuar takimet e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në kohën kur tashmë kanë nisur përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, ky institucion është duke u përballur me disa probleme që sipas profesorit Mazllum Baraliu, ish-kryeshef ekzekutiv i Komisionit Qendror Zgjedhor kjo gjendje në KQZ, do të sjellë pasoja negative.

“Kurdoherë kur nuk funksionon KQZ-ja me të gjitha kapacitetet e plota, pra me anëtarin e tij dhe me delegimin e të gjithë përfaqësuesve të subjekteve politike, aty mund të ketë reflektime negative në punën e tij. Reflektime negative, rrjedhimisht mund të ketë edhe në përgatitjen me suksese efektive dhe ligjore, demokratike, të zgjedhjeve të nëntorit të këtij viti”, thotë Baraliu.

Nga ana tjetër, kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë për Radion Evropa e Lirë, se punët rreth përgatitjeve për zgjedhjet lokale, janë duke shkuar mirë, por, siç shprehet ajo, disa anëtarë të KQZ-së nga subjektet politike, po mundohen ta bllokojnë funksionimin e duhur të KQZ-së.

“Natyrisht, që nuk është mirë që ato skena të shihen në KQZ. Megjithatë, unë konsideroj se këto janë krijuar nga anëtari i Vetëvendosjes, i cili me sjelljet e tij dhe me arrogancën e vazhduar, që e ka sjellë në KQZ që nga koha kur ka ardhur, po tenton që në një farë mënyre ta bllokojë punën e KQZ-së për qëllimet e veta politike”, deklaron Daka.

Daka thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është duke shkuar drejt një krize ashtu siç mund të pretendojë ndokush, por siç shprehet ajo, ka probleme pasi që ka edhe pretendime për ndikime politike duke aluduar në subjektin politik Vetëvendosje.

Valdete Daka
Valdete Daka
“Në KQZ nuk kemi në agjendë çështje politike, po kemi çështje teknike dhe çështje të organizimit të zgjedhjeve. Ai, më akuzon mua se nuk jam duke sjellë agjenda politike, po është e kundërta. Politikën në KQZ, po e sjell ai”, shton Daka.

Kurse, Alban Krasniqi, anëtar i Komisionit, derisa kundërshton kritikat nga zonja Daka, thotë se KQZ-ja është futur në një krizë të thellë funksionimi që nga marrëveshja e arritur më 19 prill, në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij serb, Ivica Daçiq.

Krasniqi thotë se të gjitha konkluzionet e takimeve politike në Bruksel janë duke i zbatuar kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e cila, sipas tij, ka marrë edhe vendime pa u diskutuar në mbledhjet e komisionit.

“Nga negociatat, të cilat po ndodhin dhe në të cilat kryesuesja Valdete Daka, po merr pjesë, e ka vënë KQZ-në, në një situatë të tillë, ku tanimë KQZ-ja nuk merr vendime për çështje që janë të karakterit teknik, por që ato vendime merren në negociata dhe pastaj zbatohen pa u diskutuar fare në KQZ dhe pa e shikuar fare bazën ligjore".

"Përpjekja jonë e deritashme ka qenë dhe besoj se do të jetë edhe në të ardhmen, që ne ta kthejmë respektimin me një fjalë, ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë brenda KQZ-së”,
shprehet Krasniqi duke bërë të ditur se anëtar i këtij komisioni do të jetë deri më 23 gusht.

Ndërkaq, ish-kryeshefi ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, thotë se subjektet politike me një vazhdimësi bëjnë interferime politike me Komisionin Qendrore të Zgjedhjeve. Nga politizimi Baraliu nuk përjashton as kryesuesen e KQZ-së.

“Pas sondazheve të ndryshme që janë bërë, por edhe ngjarjeve elektorale që kemi pasur në zgjedhjet e fundit, është parë qartë se ka ndikim politik atje. Madje, ka ndikim edhe te vetë kryesuesja e KQZ-së nga subjektet e caktuara ose komponentët e subjekteve të caktuara”, thekson Baraliu për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, sipas kryesueses së Komisionit Qendror Zgjedhor anëtari i subjektit politik Vetëvendosje, Alban Krasniqi, nuk është më anëtar i KQZ-së, kurse për anëtarin tjetër, Fadil Maloku, partia e tij, Aleancës Kosova e Re, ka iniciuar proceduarën e shkarkimit, e cila duhet të konfirmohet nga presidentja e vendit.
XS
SM
MD
LG