Ndërlidhjet

Luftë brenda luftës: Kurdët dhe arabët në veri të Sirisë


Refugjatët kurdë, të ikur nga Siria për në Irak...
Refugjatët kurdë, të ikur nga Siria për në Irak...
Islamistët dhe milicitë kurde janë duke bërë një luftë brenda luftës në Siri, e cila nuk është duke shkaktuar vetëm dhjetëra-mijëra refugjatë të rinj.

Ajo është duke u bërë gjithnjë e më shumë një konflikt etnik midis arabëve dhe kurdëve, që jep arsye të reja për t’u shqetësuar për ndarjen e Sirisë.

Dhjetëra-mijëra refugjatë kurdë nga veriu i Sirisë kanë kaluar në Irak, prejse kanë nisur luftimet, muajin e kaluar.

Një banor i ka thënë Radios Iraku i Lirë se grupet islamiste arabe e konsiderojnë vrasjen e kurdëve si “hallall”, apo të falshme me fe.

“Ka dhunë, vrasje dhe rrëmbime në zonat kurde. Ata e kanë gjakun e kurdëve ‘hallall’”, është shprehur ai.

Një vajzë me emrin Gulstan ka thënë se ka parë me sytë e saj vrasje të kurdëve në Kamishli, qytet i përzier me kurdë, arabë dhe të krishterë, pranë kufirit me Turqinë.

“Nuk kemi pasur probleme, kemi pasur shtëpinë tonë dhe babai e vëllai im kanë punuar. Por, për shkak të situatës, vrasjeve, është dashur të ikim. Kemi parë masakër me sytë tanë në Kamishli”, ka thënë Gulstan.

Kriza në veri të Sirisë nuk ka nisur si konflikt etnik. Ajo ka nisur kryesisht si luftë midis grupeve rivale për kontrollin e burimeve të rajonit.

Analisti nga Doha, Marwan Kabalan, thotë se rajoni ofron disa çmime.

“Numër një është fakti se pjesa veriore e Sirisë është shumë e pasur me naftë dhe gaz. Pjesa më e madhe e rezervave të naftës ndodhet në këtë zonë, andaj bëhet fjalë për faktorin ekonomik. Tjetër është fakti se kjo zonë është po ashtu rrugë shumë e rëndësishme për furnizimet që vijnë nga Turqia”, thotë Kabalan.

Veriu i Sirisë ka qenë pothuajse tërësisht jashtë kontrollit të regjimit të Bashar al-Assadit për më shumë se një vjet – kur edhe forcat e qeverisë janë tërhequr për të luftuar rebelët në qytete më të mëdha, në qendër dhe jug të vendit.

Kjo ka bërë që partia më e fuqishme kurde, e njohur si Partia e Unionit Demokratik, dhe Këshilli Kombëtar Kurd të mbushin vakuumin e pushtetit në zonat e dominuara me popullatë kurde.

Por, në zonat me popullsi të përzier, pretendimi i pushtetit edhe nga kurdët, edhe nga grupet islamiste ka ushqyer tensione. Partitë sektare kurde kundërshtojnë përpjekjet e islamistëve për të vendosur Ligjin e Sheriatit, ndërsa këta të fundit akuzojnë kurdët për mbështetje të regjimit të Damaskut.

Tensionet etnike janë rritur edhe pasi udhëheqësit e kurdëve sirianë kanë bërë publike planet për të krijuar vetë administratën e përkohshme deri në fund të luftës civile. Kjo ka alarmuar opozitën siriane, edhe pse kurdët kanë thënë se nuk kanë në plan për të ngritur një Kurdistan të pavarur që mund të çojë në ndarje të vendit.

Megjithatë, analistët thonë se sa më shumë që zgjasin luftimet, aq më i madh është rreziku për ndarje.

“Nëse këto luftime vazhdojnë, jo vetëm midis kurdëve dhe arabëve në këtë pjesë, por edhe midis sirianëve në përgjithësi, qofshin kurdë, arabë, sunitë apo alavitë, njerëzit do të fillojnë të dyshojnë edhe më shumë nëse Siria do të dalë nga kriza me unitetin e saj të paprekur”, thotë Kabalan.

Tani për tani, nuk ka asnjë zgjidhje në horizont për luftimet në veri të Sirisë. Asnjëra palë nuk ka forcë të mjaftueshme ushtarake për të mposhtur tjetrën, por përvojë në luftime po.

Wladimir Van Wilgenburg, ekspert rajonal në Fondacionin Jamestown, e shpjegon në këtë mënyrë:

“Milicitë kurde mbështeten nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila ka marrë mjaft përvojë në kryengritjen guerile kundër shtetit turk. Në anën tjetër, grupet islamiste kanë pjesëtarë të Al Kaidës nga Iraku, me përvojë të madhe nga lufta kundër Qeverisë irakiane”.(v.tela)
XS
SM
MD
LG