Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Komisioni hetimor ende pa rezultate


Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë

Komisioni hetimor, i cili ka për detyrë zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit, sot pritet t`i miratojë konkludimet për ndriçimin e ngjarjeve të 24 dhjetorit me ç`rast partitë kanë “tërhequr” anëtarët e Komisionit, për të negociuar në vend të tyre, përfaqësuesit e krerëve partiakë, Martin Protuger, nga VMRO-DPMNE, dhe Radmilla Shekerinska nga LSDM.

Kryetari i Komisionit në fjalë, Borçe Davitkovski, ka bërë të ditur se kanë mbetur pa u harmonizuar vetëm dy pika kontestuese që të finalizohet raporti, duke mos dhënë detaje se cilat janë ato.

“Komisioni punoi mbrëmë vonë deri në mesnatë . Kanë mbetur për t’u harmonizuar edhe dy çështje dhe nëse në takimin që kam me Protugerin dhe Shekerinskën, arrijmë ujdi për këto dy tema, atëherë do t’i thërras të gjithë anëtarët e Komisionit”, është shprehur shkurt për mediat, Davitkovski.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, ka ritheksuar se formimi i Komisionit hetimor për zbardhjen e ngjarjeve të 24 dhjetorit, është obligim i marrë nga të gjitha palët nga komisari Stefan Fyle, me marrëveshjen e 1 marsit, si një nga kushtet kryesore për të zhbllokuar rrugën e integrimeve.

“Ajo çka ndodhi më 24 dhjetor, në punën e Kuvendit, është vërtet një fatkeqësi për demokracinë në vend, me gabime nga ana e të dy palëve të përfshira në këtë incident (deputetëve të VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së) dhe ky komision duhet të jetë objektiv rreth zbardhjes së fakteve me qëllim të parandalimit të ngjarjeve të këtilla në të ardhmen dhe jo për të gjetur vetëm fajtorët për atë se çka ndodhi”, shprehet Osmani.

Ai shton se është me shumë rëndësi që të arrihet marrëveshje në funksion të dialogut politik.

“Ne nuk jemi të involvuar drejtpërdrejt në këtë komision, ngase nuk ishim të involvuar as në incidentin e 24 dhjetorit. Por, pasi që rezultatet e dala nga ky komision ndikojnë drejtpërdrejt në rrugën e integrimeve, e integrimet janë prioritet yni si parti, jemi të shqetësuar nga mosmarrëveshjet që dalin gjatë funksionimit të këtij komisioni, prandaj inkurajojmë palët që sa më shpejt të hartojnë një raport, i cili do të jetë koncensual dhe në një mënyrë do të jetë plotësim i kritereve të marrëveshjes së 1 marsit”, thotë Osmani.

Ndërkaq, eksperti i së drejtës kushtetuese Temellko Ristevski, thotë se i tërë problemi qëndron në atë se si të gjendet një formulim i kënaqshëm për të dyja palët kush duhet të marrë përgjegjësi si pasojë e shkeljes së Kushtetutës më 24 dhjetor, gjatë punës së parlamentit të Maqedonisë.

“Në rastin kur edhe njëra palë edhe pala tjetër mbrojnë fort parimet e tyre, është shumë e vështirë për t`u arritur kompromis. Zgjidhja është e mundshme. Zgjidhja qëndron në atë që partia në pushtet të marrë përgjegjësi për shkeljen e Kushtetutës më 24 dhjetor, të cilën gjë e mohon partia e kryeministrit Gruevski”, thekson Ristevski, ekspert i së drejtës kushtetuese.

Ndryshe, sot skadon afati për përmbylljen e procesit të ndriçimit të ngjarjeve të 24 dhjetorit të vitit të kaluar, kur pas rezistencës nga deputetët e opozitës maqedonase për të lejuar votimin e projektbuxhetit 2014, policia ata i nxori me forcë.
XS
SM
MD
LG