Ndërlidhjet

Përshëndetja me “katër gishtërinj”, e cila duket se origjinën e ka nga Turqia, është shndërruar shumë shpejt në simbol të atyre që mbështesin presidentin e përmbysur egjiptas, Muhammad Morsi, dhe Vëllazërinë Myslimane.

Dora e zezë, me katër gishta të ngritur, në një sfond me ngjyrë të verdhë, quhet “R4bia” dhe i referohet xhamisë dhe sheshit, Rabaa al-Adawiya, në Kajro, vendin e përplasjeve të përgjkashme ndërmjet forcave të sigurisë në Egjipt dhe mbështetësve të ish presidentit Morsi.

Sheshi afër xhamisë

Sheshi afër xhamisë

Në gjuhën arabe, Rabaa, do të thotë “i katërti” . Mbështetësit e Morsit kishin qëndruar në xhaminë Rabaa al-Adawiya, për katër javë radhazi, duke kërkuar rikthimin e presidentit.

Mbështetjen më të fuqishme simbolit R4bia ia ka dhënë kryeministri turk, Recep Tayip Erdogan, duke ngritur katër gishtërinj më 17 gusht, gjatë promovimit të një projekti në Bursa të Turqisë.

Aktivistët u kanë bërë thirrje përdoruesve të rrjeteve sociale që ta vendosin këtë simbol në profilet e tyre në Twitter dhe Facebook, për të kundërshtuar njëkohësisht edhe simbolin V, që nënkupton Fitore [Victory], i cili gjithashtu po përdoret nëpër rrjete sociale nga kundërshtarët e presidentit tashmë të përmbysur.

Kundërshtarët e Morsit gjithashtu e kanë satirizuar këtë simbol, duke e përshkruar ideologjinë e Vëllazërisë Myslimane si ekstreme.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 1,000 njerëz janë vrarë në disa pjesë të Egjipit, që kur nisi zhbërja e kampeve të mbështetësve të Morsit javën e kaluar.

Zyrtarë të lartë të Vëllazërisë Myslimane janë arrestuar ndërkohë në ndërlidhje me akuza mbi terrorizmin, ndërkaq protestuesit kanë akuzuar qeverinë e përkohshme se po mëton të rikthejë diktaturën ushtarake. (a.v.)
XS
SM
MD
LG