Ndërlidhjet

Prodhimet e qumështit mund të mbulojnë tregun kosovar


Qumësht - Fotografi ilustruese

Qumësht - Fotografi ilustruese

Disa prodhues kosovarë, pavarësisht cilësisë së produkteve të tyre, e kanë të vështirë mbulimin e tregut vendor. Importi i produkteve nga vendet e rajonit me çmim më të ulët sesa prodhimet vendore, po pengon zhvillimin e kompanive prodhuese.

Industria e prodhimit të qumështit konsiderohet me kapacitete të mjaftueshme për mbulimin e tregut kosovar, por megjithatë edhe ky sektor vuan nga varshmëria e importit.

Aktualisht, në Kosovë importohen 60 për qind të produkteve të qumështit nga vendet e rajonit dhe të Evropës, ndërsa vetëm 40 për qind e tregut mbulohet nga prodhimi i vendor.

Ramadan Mema, kryetar i Shoqatës së prodhuesve të qumështit në Kosovë, tregon se në mënyrë industriale brenda një dite sigurohen 150 tonelata qumësht në tërë Kosovën, sasi kjo deri 20 për qind më e lartë se viteve të kaluara.

“Produktet e importit vazhdojnë të dominojnë tregun vendor. Edhe pse kemi një rritje shumë të madhe, ende kemi një disfavor në raport me importin. Kemi rreth 60 për qind import dhe 40 për qind është raporti ndërmjet produkteve vendore dhe importit. Unë mendoj se kemi një hapësirë mjaft të madhe në Kosovë që të zhvillojmë prodhimin vendor dhe që ky raport të ndryshojë në të ardhmen, pasi kemi potencial, qoftë njerëzor ashtu dhe natyror”, thotë Mema.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, thonë se në raste të caktuara prodhuesit vendorë mund të mbrohen, por jo që të krijojnë deformime në treg.

Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës, konsideron se masat mbrojtëse mund të zbatohen në sezone të caktuara.

"Masat mbrojtëse varen edhe nga vetë gjendja e sektorëve të caktuar dhe në këtë drejtim nevojitet një komunikim më intensiv ndërmjet bizneseve dhe institucioneve, pasi në çdo rast nevojiten masat mbrojtëse të jenë më efikase dhe me efekte më të gjera”, pohon Rukiqi.

Mbrojtja e prodhimeve vendore ka qenë dhe mbetet një nga prioritet kryesore të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thonë zyrtarë të këtij dikasteri.

Në një përgjigje përmes postës elektronike, Arta Istrefi, nga kjo ministri tregon se me qëllim të krijimit të bazës ligjore për vendosjen e masave anti-dumping ndaj importeve, si dhe masave kundërbalancuese ndaj importeve të subvencionuara, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka sponsorizuar Ligjin për Masat Anti-Dumping dhe Kundër balancuese.

Masat anti-dumping vendosen nga Qeveria ndaj produkteve të importuara, të cilat janë eksportuar në territorin doganor të Kosovës me çmim që është nën vlerën e tyre normale.

Por, Ramadan Mema, nuk është i kënaqur më zbatimin e ligjeve ekzistuese.

"Edhe pse Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin anti-dumping, në Kosovë vazhdojnë të vijnë produkte të subvencionuara, pavarësisht marrëveshjeve të shumta që i ka nënshkruar edhe Kosova. Në mesin e tyre është edhe marrëveshja e CEFTA-s, dhe kjo marrëveshje nuk po respektohet nga vendet nënshkruese, kështu që në Kosovë vijnë produkte të subvencionuara dhe ushtrojnë dumping”, thekson Mema.

Në Kosovë ekzistojnë rreth 2000 ferma komerciale, të cilat për çdo ditë dorëzojnë qumësht të freskët në 30 qumështoret, që janë të licencuara në Kosovë.

Në sektorin e përpunimit të qumështit janë të punësuar rreth 1500 punëtorë, ndërsa në sektorin e prodhimit llogariten të jenë 10 mijë punëtorë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG