Ndërlidhjet

Kosovë: Arrestohen katër vetë të dyshuar për kontrabandim me migrantë


Policia e Kosovës ka njoftuar sot se janë arrestuar katër persona, “që vepronin si grup, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se në vazhdimësi kanë kryer vepër penale të kontrabandimit të migrantëve, duke fituar mjete financiare në mënyrë të kundërligjshme”.

Nuk janë publikuar emrat e plotë të të arrestuarve, por vetëm inicialet, ndërsa nga shënimet e tjera, mund të kuptohet se janë arrestuar tre meshkuj dhe një femër, të gjithë shqiptarë të Kosovës, të moshës prej 23 e deri në 32 vjeç.

Policia thotë se në kuadër të operacionit të koduar Mleçani, që është realizuar sot në rajonin e Gjilanit dhe Podujevës, janë identifikuar edhe gjashtë viktima të trafikimit me migrantë, që ishin përgatitur nga të dyshuarit, që përmes rrugëve ilegale të shkonin në shtetet e Bashkimit Evropian.

Për këtë shërbim ata kishin paguar nga 2 mijë euro për person.

Policia thotë se të gjitha veprimet janë kryer nën autorizimin e prokurorit përkatës dhe personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje për të vazhduar me procedurat e tjera hetimore.
XS
SM
MD
LG