Ndërlidhjet

Formimi i këshillave të përkohshëm serb, si masë e paralajmëruar nga Beogradi, për Qeverinë e Kosovës konsiderohet si veprim ilegal dhe shkelje e Marrëveshjes së 19 prillit.

Masat e qeverisë serbe mëtojnë transformimin e institucioneve paralele të qeverisjes lokale, përderisa me Marrëveshjen e Brukselit, Beogradi ishte zotuar se do të mbyllte të gjitha organet paralele deri më 30 shtator.

Vendimi për formimin e këshillave të tillë, sipas një njoftimi nga qeveria serbe, fillimisht është marrë për Prishtinën, Novobërdën dhe Pejën. Kurse, parashihet që njësoj të veprohet edhe për komunat në veri.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se një problematikë e tillë mund të ngrihet si shqetësim edhe në raundin e ardhshëm të bisedimeve në Bruksel, ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq që zhvillohet më 27 gusht. Me veprime të tilla, ka vijuar ai, po cenohet zbatimi i Marrëveshjes së 19 prillit.

“Janë veprime ilegale që tentojnë të bëjnë një transformim nga gjendja ekzistuese, por është e papranueshme për ne. Çdo gjë, që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e 19 prillit, do të jetë e trajtuar si ilegale dhe presim që përveç reagimit tonë, të ketë reagime edhe nga Brukseli dhe bota demokratike. Në veçanti, presim dhe e ftojmë edhe Brukselin që ta thotë shumë qartë se veprime të tilla janë në kundërshtim me frymën dhe përmbajtjen e Marrëveshjes dhe me atë që presim që të del si rezultat nga dialogu ”, ka thënë Kuçi.

Në preambulën e Kushtetutës, Serbia e trajton Kosovën si pjesë të saj integrale, kështu që edhe vendimet në raport me Kosovën i merr duke u mbështetur në Kushtetutën dhe ligjet serbe.

Njëri nga liderët e serbëve të veriut, Marko Jakshiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se qeveria serbe mund të vendosë masa të përkohshme nëpër komunat e Kosovës.

Mirëpo, ai beson se këto masa po ndërmerren edhe si pjesë e skenarit të shuarjes së institucioneve serbe në Kosovë, me çka nuk pajtohet.

“Unë parashoh se do të nxisë reagime të serbëve të Kosovës, si edhe atyre në Serbi. Nuk mund të vendosen masa të përkohshme vetëm pse populli dhe përfaqësuesit e serbëve që jetojnë këtu nuk duan të dalin në zgjedhjet e shpallura nga i vetëshpalluri shteti i Kosovës dhe Atifete Jahjaga”, ka thënë Jakshiq.

Siç bëhet e ditur, Beogradi paralajmëron masa të përkohshme, sipas të cilave fillimisht do të ndërroheshin kryetarët e komunave aktuale paralele, më pas do të shpërbëheshin kuvendet komunale dhe do të emëroheshin këshilla të përkohshëm deri në zgjedhje.

Mirëpo, një skenar i tillë nuk është paraparë me Marrëveshjen e 19 prillit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në bazë të asaj marrëveshjeje, Prishtina ka besuar se institucionet paralele serbe do të mbyllen dhe jo të transformohen.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi beson se veprimet e fundit të Beogradit do të mbeten pa efekte në praktikë.

“Po është tendencë e qeverisë së Serbisë që ta bëjë një transformim apo të ndërrojë njerëzit ekzistues, por kjo nuk ka efekt. Ndryshimet duhet të jenë rrënjësore, duhet të jenë demokratike, ligjore dhe sipas Kushtetutës e ligjeve tona. Ato do të trajtohen si ilegale dhe natyrisht që do të ketë një reagim politik, por do të thosha edhe një reagim tjetër bashkë me faktorin ndërkombëtar që është në Kosovë”, është shprehur Kuçi.

Bazuar në Marrëveshjen e 19 prillit dhe planit të saj të zbatimit, Prishtina dhe Beogradi ishin pajtuar për veprime të përbashkëta që do të çonin në shuarjen e strukturave paralele serbe në Kosovë deri më 30 shtator, në mënyrë që me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të formohen organet e reja legale dhe legjitime.

Sidoqoftë, Beogradi ende nuk është pajtuar që organet nëpër komunat me shumicë serbe të funksionojnë sipas akteve ligjore të Kosovës dhe kryesisht thirret në neutralitetin e Marrëveshjes së 19 prillit, duke mëtuar që edhe organet e reja që do të dalin nga zgjedhjet lokale, të funksionojnë si neutrale në raport me pavarësinë e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG