Ndërlidhjet

Televizioni rus ndërpret intervistën me gazetarin amerikan


James Kirchick
James Kirchick
Gazetari amerikan, James Kirchick, është tërhequr me shpejtësi nga transmetimi nga rrjeti televiziv Russia Today (RT), që financohet nga Qeveria e Rusisë, pasi kishte filluar të fliste kundër Ligjit anti-homoseksual, të cilin më herët e ka nënshkruar presidenti rus, Vlladimir Putin.

Kjo dramë ndodhi derisa gazetari homoseksual Kirchick, i cili gjendej në Stokholm të Suedisë, intervistohej nga ky televizion për rastin e ushtarit amerikan, Bradley Manning.

James Kirchick, pos tjerash, ka punuar për "New Republic" dhe "Washington Post".

Kur moderatorja e emisionit të televizionit Russia Today, e pyeti gazetarin Kirchick për mendimin e tij, ai tregoi një palë çorape me ngjyra të ylberit dhe e citoi shkrimtarin dhe aktorin amerikan, Harvey Fierstein, duke thënë “të jesh i heshtur para fytyrës së djallit është diçka që ne nuk mund ta bëjmë”.

“E dini, duke qenë këtu në rrjetin propagandues të financuar nga Kremlini, unë do t’i mbath çorapet e mia nga parada e krenarisë dhe unë do të flas kundër legjislacionit të tmerrshëm kundër-homoseksual, që Vlladimir Putini e ka nënshkruar duke e shndërruar në ligj, dhe i cili ka kaluar unanimisht nga Duma ruse. Ky legjislacion e kriminalizon propagandën homoseksuale, që efektivisht e bën ilegale për njerëzit që të bisedojnë publikisht për homoseksualitetin”, tha Kirchick.

E befasuar, moderatorja e televizionit RT u përgjigj me “Yessssss”? dhe Kirchick vazhdoi duke thënë se “ne kemi parë një valë të sulmeve të dhunshme kundër njerëzve homoseksualë...” dhe në këtë moment moderatorja ndërhyri përsëri dhe sugjeroi kthim në diskutimin lidhur me ushtarin amerikan Bradley Manning.

Por, reagimi i gazetarit ishte këmbëngulës:

“Me të vërtetë nuk jam i interesuar për të folur për Bradley Manningun. Jam i interesuar të flas për ambientin e tmerrshëm homofobik aktual në Rusi. Me këtë dëshiroj që homoseksualët në Rusi ta kuptojnë se kanë miq, aleatë dhe solidaritet nga njerëzit në gjithë botën dhe se ne nuk do të heshtim në fytyrë të këtij represioni të tmerrshëm, që po kryhet nga ata që ju paguajnë, nga Vlladimir Putin. Unë jam këtu për të folur për këtë çështje”, theksoi Kirchick, i cili dominoi për më tepër se dy minuta në transmetimin direkt.

Në një moment ai i tha moderatores, e cila belbëzonte se “ju i keni 24 orë për të gënjyer për Amerikën, ndërsa unë do ta them të vërtetën për më tepër se dy minutat e mi”.

Ai i dha goditje edhe ambientit armiqësor medial në Rusi, duke thënë se ai nuk e di se si punonjësit e televizionit Russia Today mund të flenë të qetë gjatë natës, “duke e ditur se si gazetarët në Rusi keqtrajtohen në mënyrë rutinore, torturohen, dhe në disa raste, vriten nga Qeveria e Rusisë”.

Më vonë, Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar gazetarin James Kirchick në aeroportin e Stokholmit, me ç’rast Kirchick tha se ai në kushte normale nuk do të pranonte të paraqitej në televizionet si Russia Today, për të cilin ai thotë se është “kanal propagandues i qeverisë diktatoriale”.

Më tutje, gazetari amerikan shpjegoi:

“Por mendova, duke pasur parasysh atë që po ndodh aktualisht në Rusi, se kjo do të jetë me të vërtetë mënyrë e mirë për ta tërhequr vëmendjen lidhur me këtë çështje”.

James Kirchick, i cili më parë ka shkruar edhe për Radion Evropa e Lirë, tha se pasi producentët e RT në Moskë me të shpejtë e kanë prerë audion me zë të tij, ai ishte nisur për në aeroport me një taksi të rezervuar paraprakisht, të cilin televizioni RT ishte pajtuar ta paguajë, pjesërisht për shkak të paraqitjes së tij në programin e këtij rrjeti televiziv.

Por, Kirchick tha se ngjarja u zhvillua shumë shpejt.

“Pasi e kaluam gjysmën e rrugës për në aeroport, shoferin e taksisë e thirri shefi i tij, duke thënë se rezervimi është anuluar dhe se ai duhet të më hedhë në rrugë. Unë i thashë se vetë e paguaj shpenzimin. Por, përfundimisht, shoferi më tha se udhëtimi ishte gratis, prandaj mund të ndodhë që ne kemi ndonjë aktivist kundër Putinit në kompaninë e taksive në Suedi”, shpjegoi Kirchick.

Ai tha se televizioni RT nuk e ka shpjeguar aksionin e tij, por e ka thirrur atë për t’i treguar për anulimin e pagesës për taksi.

Kirchick tregon se ka përdorë “gjuhë të të rriturve dhe u ka thënë atyre ku ta vendosin atë”.

Zyrat e rrjetit RT në Moskë dhe Uashington nuk i janë përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë me e-mail, por pasi e kanë lexuar kronikën tonë, e kanë dërguar deklaratën zyrtare, në të cilën thuhet:

“Zoti Kirchick ishte ftuar për t'u paraqitur në RT si autor i artikullit - Bradley Manning shpëtoi lehtë – me qëllim që t’i kontribuojë diskutimit për vendimin gjyqësor për Bradley Manning, që qartas ishte ngjarje madhore ndërkombëtare. Zoti Kirchick vendosi që në vend të kësaj ta shfrytëzojë kohën e tij për të shprehur mendimin e tij për të drejtat e komunitetit LGBT, çështje, e cila me gjithë rëndësinë, nuk ishte e lidhur me temën e panelit. Fatkeqësisht, RT nuk kishte tjetër burim, por e vazhdoi diskutimin pa të”.

Kirchick tha se planifikon të flasë kundër ligjit anti-homoseksual të Rusisë dhe shtoi se ai do ta “inkurajoj çdokënd që paraqitet në RT, që ta rrëmbejë forumin” dhe të veprojë në mënyrë të njëjtë si ai. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG